Shqipëria është një shtet që drejtohet nga mafia

350
Sigal

Eurodeputeti francez Jerome Riviere është shprehur me nota të forta kritike ndaj qeverisë Rama gjatë konferencës për Planin e Investimeve për Ballkanin. Ndërkohë që BE, PE dhe Këshilli I Europës kanë deklaruar se me votimin e njënshëm të Kodit Zgjedhor në Shqipëri po instalohet diktatura dhe po minohet shteti I së drejtës. Gjermania: 15 kushtet e integrimit, kodi kontravers, bllokimi I aleancave dhe goditja ndaj opozitës

Radio publike gjermane, Deutschlandfunk, raporton se në Shqipëri është miratuar një kod zgjedhor kontrovers. Në raportim theksohet se qëllimi i kodit është bllokimi i aleancave dhe dobësimi i opozitës. “Në Shqipëri, parlamenti miratoi një reformë të diskutueshme të ligjit zgjedhor. Në zgjedhjet parlamentare, partitë nuk do jenë më në gjendje që të krijojnë aleanca. Sipas njoftimeve të medias, kjo do të zvogëlojë më tej shanset e partive të opozitës kundër Partisë Socialiste në pushtet. Partia e kryeministrit Rama e ka qeverisur Shqipërinë me një shumicë absolute që prej vitit 2017. Opozita akuzon socialistët për korrupsion dhe mashtrim elektoral dhe ka bojkotuar parlamentin. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do mbahen në prill të vitit që vjen”, raporton Deutschlandfunk.

Reagimi i Parlamentit Europian

Bashkimi Europian, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës reaguan ashpër kundër miratimit të Kodit Zgjedhor nga Parlamenti shqiptar vetëm me votat e mazhorancës, pa konsensusin e opozitës, që faktikisht, do të thotë se PS-ja dhe kryeministri Rama prishën marrëveshjen e 5 qershorit. Përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të PPE në Parlamentin Europian, Eurodeputeti Michael Gahler ka reaguar ashpër për votimin e sotëm (dje) në Parlament për Kodin Zgjedhor. Gahler shprehet se Rama po pengon zgjedhjet e ardhshme të prillit. Reagimi i Gahler: “Duke votuar sot (dje) shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama, hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë.”

Eurodeputetët kritika ndaj kryeministrit Rama

Eurodeputeti francez Jerome Riviere ka shprehur kritika të forta dje gjatë një konference për paketën e zgjerimit të BE 2020 dhe Planin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Eurodeputeti Riviere u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndahen nga njëra-tjetra për procesin e anëtarësimit. “Me Shqipërinë, një shtet që drejtohet nga mafia, por edhe me shumicë myslimane, Europës që ju pretendoni të mbroni, do t’i vijë fundi”, -tha Riviere, duke lënë të kuptohej se nuk do ta miratonte raportin. Deklarata e Riviere solli reagimin e kreut të Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, i cili i kërkoi eurodeputetit të mos fyente një vend mik si Shqipëria, deklaratë që u mbështet nga shumica e eurodeputetëve të pranishëm. Po ashtu, kritik ka qenë dhe një europdeputet hungarez, nga partia Jobbik, i cili foli në lidhje me votimin e djeshëm të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Sipas tij, “zgjedhjet e ardhshme në prill nuk do të jenë demokratike”. Ndërkohë, zërave kritikë i është kundërpërgjigjur Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, e cila theksoi para eurodeputetëve se “ procesi i integrimit për Shqipërinë nuk duhet të ndalojë, pasi populli shqiptar është më pro-europiani në rajon.”