Hyqmet Zane: Kosova dhe Çamëria

1098
Sigal

Shqiptarët e Kosovës e të Çamërisë, të  vrarë dhe të tradhëtuar

Cila gjykatë do t’i dënojë vrasësit para se të penalizojë viktimat ?

 

Në këtë vit 2020 po marrim vesh se e gjitha çka ka ndodhur në Kosovë, paska pasur vërtet viktima, por ata që u vranë duhen gjykuar, sepse kështu ia do midea Serbisë që ka bindur dashnorët ndërkombëtarë se është e pafajshme për vrasjet deri në genocid që u bënë në Kosovë sidomos gjatë vitit 1999, pa folur për një shekull e më shumë që serbët u kanë bërë shqiptarëve. Çudi e madhe kjo sa të habit edhe fakti që ka një mburojë Serbia edhe në SHBA, sa flitet që kandidati për preseident Bajden, kur na paska qenë zv/president i Amerikës  u ka kërkuar falje serbëve që janë sulmuar nga amerikanët në mbrojtje të Kosovës, siç pohoi në një emisionin televiziv te “Syri,” ku shqiptaro-amerikanja Evi Kokalari e pohoi njw fakt të tillë të trishtë.

Nuk di se çfarë emri t’i ve këtij realiteti, por ajo më ngjason me sjelljen e Greqisë ndaj kriminelit Napoleon Zerva që, edhe pse e dinte se çfarë masakrash bëri pas 27 qershorit 1944, e bëri ministër të brendshëm pas Luftës II Botërore dhe i ngriti monumente në Gumenicë dhe në një vend tjetër. Hapur kjo do të thoshte që shteti grek ka qenë nxitës dhe bashkëpunues me Zervën për asgjësimin e një popullate të tërë në Çamëri. Dhe më pas u justifikua me akuzën se kjo popullsi ishte “bashkëpunëtore” me nazistët ( ?! ), në një kohë që vetë qeveria greke me kryeministrin Ralis dhe të tjerët para tij kanë qenë bashkëpunëtor të hapur me gjermanët.

E bëj këtë paralelizëm mes serbëve dhe grekëve sepse është një botë e tërë krimesh ndaj shqiptarëve, sa nuk di se cila prokurori apo gjykatë ndërkombëtare duhet t’i dënojë krimet e tyre edhe pse në kohë të ndryshme ?

Për vëmendjen time intelektuale, kam intervistuar në kohë të ndryshme dëshmitarë okularë që kanë parë krimet dhe genocidin në Çamëri dhe në Kosovë dhe i kam përmbledhur në një libër “Kosova dhe Çamëria, përmes dëshmive rrënqethëse” si botim i vitit 2009, që është një e vërtetë e dokumentuar ngjarjesh.

Dua të them , se krime dhe masakra të përmasave të tilla nuk lenë vend për asnjë pyetje e justifikim, për asnjë interpretim tjetër. Dhe të  duken të mjera, absurde e perverse justifikimet e atyre ndërkombëtarëve që në vend të dhënies së drejtësisë, janë bërë palë me vrasësit. Mosdënimi i Napoleon Zervës dhe andartëve që bënë krime të pashembullta të tipit genocid në Çamëri, që janë të dokumentuar me emër dhe mbiemër dhe dënimi vetëm i Millosheviçit i Mlladiçit dhe Karaxhiçit nga Haga, por edhe disa njerëzve të veçantë nga gjykatat serbe me dënime qesharake, janë fakte kokëforte që na trishtojnë për besimin që kemi tek ndërkombëtarët dhe shfaqjet e realiteteve ndryshe si në Greqi,  ashtu edhe në Kosovë.

Filozofi i madh, gjermani Karl Jaspers, pas mbarimit të luftës së dytë botërore, pas mundjes së Gjermanisë, zhvilloi teorinë e tij mbi fajin. Materialet e hartuara i mbajti, në fillim, si leksione me studentët e vet në semestrin dimëror, 1945-1946 në Universitetin e Heidelberg-ut. Pastaj i përmblodhi në një libër që e botoi në vitin 1946 (Piper-Verlag, München). Titulli i librit është “Schuldfrage. Für Völkermord gibt es keine Verjährung” (Mbi çështjen e fajit. Për genocidin nuk ka kurrë falje/amnisti). Libri analizon filozofikisht dhe politikisht krimet e nacionalsocializmit gjerman të vendosura në një suazë të përgjithshme politike-teorike-kriminalistike. Një analizë e tillë ishte, sipas tij, një detyrë e ngutshme, urgjente politike. Në veprimtarinë kriminale ai dallon katër lloje fajesh: faj kriminal, faj politik, faj moral, faj metafizik.   Për secilin faj jep përkufizimin dhe instancën përgjegjëse – gjykuese.

Sipas tij, faji kriminal ka të bëjë me shkeljen flagrante të ligjeve dhe është objektivisht, lehtësisht i provueshëm; faji politik  prodhohet nga veprimet e burrave të shtetit, e politikave të ndjekura si pasojë e të cilave vuajnë bashkëkombësit, të cilët (nga ana e tyre) janë dhe bashkëfajtorë për regjimet politike në të cilat jetojnë.

Faji moral : Për çdo veprim tonin ne mbajmë përgjegjësi morale. Këtu përfshihen dhe veprimet ushtarake dhe politike. Asnjëherë nuk është justifikim urdhëri. Se krimet mbeten të tilla edhe kur janë bërë me/nën urdhra politikë a ushtarakë.

Për fajin metafizik  Jaspers thotë se ne njerëzit kemi pjesën tonë të fajit për krimet që ndodhin përreth nesh, në kohën tonë, kur ne nuk bëjmë aq sa mundim për të penguar një padrejtësi.

Duhet thënë se grekët dhe serbët i kanë kryer të gjitha fajet si atë kriminal, edhe atë politik, edhe atë moral si dhe atë metafizik. Por për habinë e të gjithëve si është e mundur që këto dy shtete nuk kanë asnjë penalitet, por vetëm privilegje dhe asnjëherë penalitete. Për pjesën e serbëve edhe marrëveshja e lidhur mes Serbisë dhe Kosovës në Uashington, po komentohet  se i ka dhënë Serbisë mjaft privilegje dhe shumë pak Kosovës. Si mund të shpjegohet një gjë e tillë, kur po duket sheshit se edhe e ashtuquajtura “Gjykata Speciale” e ngritur në Kosovë, po dënon komandatët e UÇK-së dhe jo serbët, komandatët e ushtrisë dhe paramilitarët bënë vrasje dhe krime nga më të paimagjinueshmet duke zhdukur rreth 15 mijë njerëz të moshave të ndryshme, pleq e fëmijë, burra e gra, të rinj dhe të reja, ndërkohë që ranë dëshmoirë rreth 17 mijë luftëtarë.

Të njëjtat fjalë mund të thuhet edhe për veprat kriminale të grekëve në Çamëri që zhdukën sa nuk mbahet mend, por që të regjistruar janë 2830 njerëz , si dhe rreth 3 mijë njerëz të tjerë që vdiqën rrugëve për në Shqipëri të dokumentuara në Kllogjër që të gjithë pleq e të fëmijë, burra e gra në mënyrën më monstruoze të eleminimit fizik që janë të tmerrshme t’i mendosh e jo më që të kesh qenë dëshmitar si ata burra që më kanë rrëfyer dhe që i kam në librin tim.

Ku janë ndërkombëtarët, ata të drejtët, ata të Helsinkit, ata të demorkacisë së vërtetë, ku janë ata të barabartët mes popujve, ku janë të Drejtat e Njeriut sipas deklaratës së Kopenhagenit, ku janë ? Të gjykosh sot në emër të Dik Martit që shpif dhe flet marrira tipike të denja për mendjet e çartura, bile edhe me mbështetjen abuzive të Karla Del Pontes, apo të nderosh vrasësin dhe kriminelin grek Napoleon Zerva, këto janë një krim më vete, që ndërkombëtarët, europianët apo kushdo qofshin ata, edhe amerikanët që kanë drejtësi, por që po bëhen palë me vrasësit me genocid në Kosovë dhe në Çamëri. E besoj dhe e nderoj John Enoch Pawell kur ka thënë se “Çiltërsinë time mos e merr për dobësi, e as për budallallek. Është një cilësi e imja që as e ndryshoj dhe as nuk dua ta ndryshoj. Zoti kështu më krijoi dhe jo pa një qellim. Prandaj dhe çdo gjë në jetën time vazhdon të jetë në një rrugë të drejtë”.

Disa vjet  pas mbarimit të luftës civile në Greqi, u bë një lloj amnistie e quajtur “riatdhesimi” për të gjithë të akuzuarit, kur duhet të ishte edhe për shqiptarët e Çamërisë, por që nuk pati asnjë efekt se vrasjet ndaj çamëve u cilësuan të “drejta” ose ishte edhe një bashkëpunim i qeverisjes komuniste të Enver Hoxhës  me shtetin grek, sepse çamëve iu hoq shtetësia greke me këtë qëllim të caktuar (!). Tamam kështu siç po ndodh sot në Kosovë me gjykatën speciale që po dënon jo vrasësit, por ata që u bënë mbrojtësit e popullit të Kosovës. Hapur kësaj i thonë “më fal se të vrava” edhe pse genocidi grek dhe ai serb nuk u dënuan ligjërisht si shtet dhe sot ashtu si çamët edhe kosovarët mbeten të vrarët që u tradhëtuan edhe ndërkombëtarisht, për fatin e keq.