Presidenti i Republikës Prof.Dr. Bajram Begaj priti trupin diplomatik në Shqipëri: Shpreh bindjen se edhe Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor. Angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare do të vijojë paralelisht me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike
Angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare do të vijojë paralelisht me të gjitha reformat e filluara në vend, në veçanti me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet tona për drejtësi sociale.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj organizoi në mjediset e Pallatit të Brigadave një pritje nderi për përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri me rastin e mbylljes së vitit 2023, arritjet, angazhimet dhe sfidat e këtij viti. Në pritjen e fillimivitit me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Kreu i Shtetit u ndal te sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballet sot bota, por edhe rajoni. Presidenti i Republikës tha se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin për paqe në rajon dhe më gjerë, sepse paqja është themeli i mirëqënies, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektit të ndërsjellë. Në fjalën e rastit Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj tha: “Ky takim është i një rëndësie të veçantë, sepse është mundësi e mirë të ndajmë bashkë jo vetëm rezultatet e vitit që shkoi, por edhe sfidat dhe shpresat për vitin, që sapo ka filluar. Sfidat dhe shpresat janë sa globale, edhe rajonale, dhe sa më të ndërgjegjshëm të jemi për kompleksitetin e tyre, aq më shumë do të jemi të përgjegjshëm për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme. Po përballemi me kriza dhe kërcënime. Ato janë të shumëllojshme për nga natyra dhe shpesh të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën.

Këto kriza dhe kërcënime gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shpesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta.”- tha në hapjen e fjalës së tij Presidenti i Republikës. Ai u ndal në fjalën e tij edhe në zhvillimet që ndodhin në Ukrainë dhe Izrael pa harruar ngjarjen e rëndë në Banjskë. “Agresioni rus ndaj një vendi sovran si Ukraina vazhdon. Populli dhe qeveria ukrainase janë heronjtë e përditshëm të një qëndrese në emër të sovranitetit dhe dinjitetit njërëzor. Shqipëria e mbështet Ukrainën në luftën e saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Sulmi terrorist i Hamasit kundër Izraelit e rindezi konfliktin, duke përkeqësuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme. Mbështesim zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Po ashtu edhe rajoni ynë nuk ka qenë imun ndaj kërcënimit prej krizave reale. Akti terrorist i shtatorit 2023 në Banjskë dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe Europën. Fatmirësisht, nuk pati përshkallëzime. Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Europën.” – tha Presidenti Begaj. “Angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare do të vijojë paralelisht me të gjitha reformat e filluara në vend, në veçanti me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet tona për drejtësi sociale. Thellimi i reformave dhe nxitja e zhvillimit social- ekonomik të vendit është para së gjithash për të mirën e qytetarëve tanë.

Shpreh bindjen se edhe Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të veçantë Ballkanit Perëndimor. Është me rëndësi që rajoni të mbështetet dhe të krijohen mekanizmat, që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve
Këto ndihmojnë gjithashtu edhe në çeljen e kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për të konsoliduar besimin e aleatëve dhe të miqve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjej rastin të falënderoj SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Europian për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ecurinë e procesit të integrimit dhe zhvillimin e reformave të gjithanshme që kemi ndërmarrë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE. Arritjet e vitit të shkuar do të pasurohen nga ngjarje të reja gjatë vitit 2024. Të tillë e quaj 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, që shpresoj se do të gjejë një rajon më bashkëpunues dhe më pranë BE-së. Shpreh bindjen se edhe Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të veçantë Ballkanit Perëndimor. Është me rëndësi që rajoni të mbështetet dhe të krijohen mekanizmat që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve. Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar. Faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë e rajonit. Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj Euro-Atlantik. E përshëndes vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës! Për ambasadorët e vendeve, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, dua të ripërsëris kërkesën ta njohin Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm.

Gjej rastin të ritheksoj mbështetjen tonë që dialogu Kosovë -Serbi të jetë i hapur dhe të avancojë, të normalizojë marrëdheniet mes palëve dhe të çojë drejt njohjes reciproke. Uroj që presidencat belge dhe hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe presidenca malteze e OSBE-së, gjatë këtij viti t’i kushtojnë vëmëndjen e duhur rajonit të Ballkanit Perëndimor në funksion të mbizotërimit të frymës së bashkëpunimit dhe të dialogut.” – tha Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili më tej vijoi duke thënë se: “Sot bota ka nevojë për më shumë diplomaci, bashkëpunim e dialog. Diplomacia nuk është opsion, është domosdoshmëri, që lind nga nevoja për një botë të paqtë e të sigurt. Unë besoj se paqja, bashkëpunimi dhe shpresa për një të ardhme më të mirë, duhet të jenë lajtmotivet tona gjatë këtij viti. Me shpresën se paqja, siguria dhe bashkëpunimi do të jenë orientimi i komunitetit botëror në qasjen ndaj sfidave të reja, ju uroj vendeve, popujve dhe organizatave tuaja tuaj, një vit të mbarë e të begatë! Të bashkëpunojmë intensivisht që sfidat t’i kthejmë në mundësi reale zhvillimi, mirëqenieje dhe solidariteti. Të përkushtohemi për një të ardhme ndryshimesh konkrete e shpresash që bëhen realitet, si mundësi frymëzimi për brezat e rinj. Mbetem i gatshëm që këtë vit të vijojmë më intensivisht bashkëpunimin për të promovuar mesazhin e paqes, solidaritetit dhe shpresës. Ju faleminderit!”- tha kështu në fjalën e mbajtur në pritjen me trupin diplomatik, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bajram Begaj.






















