Shpërdoron 44 milionë lekë për panaire, ndërsa 1936 objekte kulturore drejt shkatërrimit

156

“Vijon shpërdorimi i fondeve , madje për panaire, teksa shërbimi në turizmin malor në vendin tonë lë për të dëshiruar. Shkak mungesa e mbështetjes nga shteti dhe infrastruktura. Auditi shprehet se këto raste për abuzime me fonde kanë ardhur si pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Turizmit dhe AKT”

Sigal

Gjotina/Fondet e Turizmit Malor janë vjedhur. Në këtë rezultat ka dalë Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi të kryer në Ministrinë e Turizmit. Sipas gjetjeve të auditimit, në këto vite fondet janë përdorur në kundërshtim me ligjin. Kështu, 44 milionë lekë janë shfrytëzuar pa kriter për panaire. Kjo për shkak se Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Mjedisit me drejtoreshë Kornelia Ferizaj nuk ka zbatuar ligjin dhe ka lejuar që këto para të ndahen sipas qejfit.“Nga auditimi i shpenzimeve të AKT për pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare (transaksionet në valutë të huaj, shpenzimet e taksive dhe hotelit), përgjatë periudhës 2019- 2020, rezultoi se janë përdorur pa ekonomicitet rreth 38,150. Kjo situatë është krijuar edhe për arsye se nga AKT nuk janë marrë masat për miratimin e një rregulloreje të posaçme. As për organizimin e punës dhe sigurimin e hoteleve me kosto sa më të ulët.”,- thuhet në raport.Këto shpenzime marramendëse janë bërë për shkak se AKT nuk ka vrojtuar procedurat që kryheshin për panaire. Duke zgjedhur çdo shërbim me çmimin më të shtrenjtë. Prandaj, KLSH kërkon që të merren masa urgjente, pasi punonjësit e AKT po abuzojnë me fondet. Theksohet se, janë zhvilluar panaire me rreth 3 milionë lekë, por që nuk kanë qenë të miratuara nga Ministria e Turizmit dheMjedisit e drejtuar nga Mirela Kumbaro. Gjithsesi AKT në shkelje të ligjit ka shfrytëzuar fondet.“Në muajin dhjetor të vitit 2019 janë kryer shpenzime në vlerën 3,507,438 lekë, për llogari të 3 panaireve që zhvillohen në vitin 2020 (Madrid, Holandë dhe Vjenë). Ndërkohë që për vitin 2019, këta 3 panaire nuk kanë qenë të miratuar nga Ministri përgjegjës për turizmin. Po ashtu, nuk ka patur planifikim të fondeve buxhetore. Pra, nga AKT është bërë rishpërndarje e fondeve përtej datës 15 nëntor. Kjo është bërë në mungesë të një arsyetimi, si dhe pa marrë miratimin e nëpunësit Autorizues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit”,- thuhet në dokument.

1-Janë manipuluar të ardhurat

Më tutje KLSH raporton se operatorët dhe agjencitë turistike nuk kanë raportuar rregullisht statistikat për vizitorët, orët dhe ditët e qëndrimit, guidat. Pra, duke fshehur të ardhurat. Ndërkohë, Ministria e Turizmit… nuk ka kryer asnjë kontroll dhe nuk ka marrë asnjë masë.

Rezulton se përgjatë periudhës 2019-2020, agjencitë, operatorët dhe strukturat akomoduese nuk kanë raportuar çdo muaj statistikat e turizmit, pranë MTM-së. Ndërsa, nga kjo e fundit nuk është marrë asnjë masë, për moszbatimin e ligjit nga subjektet private”,- thuhet në dokument.

Auditi shprehet se këto raste për abuzime me fonde kanë ardhur se pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Turizmit… dhe AKT. Dy institucionet nuk kanë bërë punë që iu takon për të zbatuar ligjin dhe menaxhuar fondet për këtë sektor.

AKT nuk ka indikatorë të miratuar, mbi të cilët të bëjë vlerësimin e fondeve të shpenzuara për një panair. AKT nuk ka studim për monitorimin e tregut, mbi prirjet dhe preferencat e konsumatorëve, se çfarë ata kërkojnë nga turizmi në tërësi dhe ai malor në veçanti. Kjo duhet bërë me qëllim pjesëmarrjen në panaire sipas tematikës së tyre, me qëllim rritjen e efektivitetit të promovimit. Si dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit të turizmit malor”, -thuhet në raport. KLSH thekson se, për vendosjen e kritereve fituese për panairet e vitit 2019, që janë publikuar në portalin e-Albania nuk ka një analizë.

Nuk dëgjohet zëri i konsumatorëve

Për fat të keq shpesh herë shërbimi në turizmin malor në vendin tonë lë për të dëshiruar. Shkak për këtë bëhet mungesa e mbështetjes nga shteti për operatorët turistik, si dhe në infrastrukturë. Por AKT nuk ka lejuar asnjë hapësirë që konsumatorët të bëjnë ankesat e tyre me mangësitë që hasin në shërbim.Gjetje: Referuar nenit 9 të Ligjit të Turizmit, MTM nuk ka një bazë të dhënash të ankesave të konsumatorëve ndaj subjekteve që ofrojnë shërbime turistike. (Më hollësisht trajtuar në pikën (1.1.3) faqe (32-56) të Raportit Përfundimtar të Auditimit). Rekomandim: Ministria e Turizmit të marrë masat e nevojshme për krijimin e databazës për ankesat e konsumatorëve ndaj subjekteve turistike”, përcakton KLSH. Duke theksuar se, këto pengojnë dhënien e informacionit për turistët e huaj. Duke zvogëluar interesin e tyre për turizmin malor në Shqipëri.

“Mungesa e politikave harmonizuese midis institucioneve dhe ministrisë së Kulturës, i ka shkaktuar një dëm të jashtzakonshëm historisë së Kombit. Nga inventari i monumenteve: 122 nuk ekzistojnë”

2-Menaxhimi i monumenteve, raporti: 122 nuk ekzistojnë dhe po kaq janë shkatërruar plotësisht

Historia duket se po rishkruhet, në Shqipëri nuk ka aksione për gërmime e nxjerrjen e qytetërimeve të vjetra nga nëntoka, por të ndërtimit të kullave. Ndёrkohё Monumentet ekzistuese tё Kulturës po përballen me shkatërrimin më të egër, që as në periudhën e komunizmit nuk ndodhi, duke u trajtuar si të “njerkës”, e në fakt janë tonat. Shqipëria  mori dhe 50 milionë euro nga BE-ja për monumentet e dëmtuara nga tërmeti. Por teksa raportet tregojnë për zhukjen e monumenteve në drejtim të paditur, aq më shumë lindin dyshime dhe për fatin e këtyre fondeve. Të paktën 122 monumente nuk ekzistojnë më në vendin tonë dhe po kaq është numri i atyre që janë shkatërruar plotësisht.

Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit me tematikën e menaxhimit të monumenteve të kulturës ndalet pikërisht në këtë aspekt, duke vënë theksin te nevoja për ndërhyrje në të tjerë monumente për t’i kthyer ato në gjendje më të mirë.“Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e monumenteve të kulturës nuk e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në mënyrë efektive, me qëllimin final, mbrojtjen, mirëadministrimin, inventarizimin dhe vlerësimin e monumenteve në vendin tonë, me rezultatin e vetëm që 122 monumente nuk ekzistojnë, 122 monumente janë plotësisht të shkatërruara, 884 monumente në gjendje të pranueshme, por kanë nevojë për restaurim, 745 objekte në gjendje të mirë dhe në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdueshme, 98 objekte të tjetërsuara, si dhe 15 objekte pa kartelë.” vlerëson KLSH. Duke u ndalur në këtë problematikë, audituesit nënvizojnë se kjo situatë është shkaktuar edhe nga një programim joefektiv i burimeve njerëzore dhe financiare në territor, sidomos sa i takon institucioneve të specializuara të ngarkuara me mbrojtjen dhe administrimin e këtyre monumenteve. Të njëjtën përgjegjësi adresohet se mban edhe Ministria e Kulturës, e cila qëndron në krye të tyre.“Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës, si institucion politikbërës nuk është angazhuar maksimalisht në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për trashëgiminë kulturore, duke lënë sistemin kombëtar për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore pa Inspektoriat, çka do të thotë, pa pasur në dorë mundësinë e ndëshkimit ndaj atyre që abuzojnë, shkatërrojnë apo tjetërsojnë monumentet e kulturës”- thuhet në auditim.