Shpallet në kërkim KKD dhe ministri Majko

535
Sigal

Këto muaj ku pandemia Covid-19 ka detyruar shtetet të marrin masa të forta izolimi komunitar dhe kufitar, shumë shtetas kanë mbetur në rrugë pa rrugë. Por vendet me qeverisje humane dhe racionale i kanë dalë për zot qytetarëve të tyre duke u siguruar në kushte të vështira kthimin në shtëpi. Ndërsa shteti shqiptar, ka lënë prej disa ditësh 33 shqiptarë në vijën e gjelbër mes Greqisë dhe Shqipërisë në mëshirë të fatit dhe shtetit fqinj, dhe nuk e di sa të tjerë në vende të tjera në pritje të Lasgushit. Sot bëhet me dije se 10 prej tyre janë kthyer mbrapsht në Greqi, disa kanë hyrë me forcë në territorin shqiptar dhe janë gjobitur, 7 kanë mbetur ende në zonën neutrale në pritje.

Përveç disa mediave që kanë shprehur shqetësim për këta qytetarë, askush tjetër nuk është ndjerë. Ata që kanë në dorë çelsat e portave apo sekretin e zgjidhjeve rrinë me shpresën e kalimit me heshtje edhe të kësaj çështjeje si shumë të tjera ose përcjellin prej rehatisë së divanit mesazhe dhe zgjidhje çnjerëzore.

Kujtojmë se qeveria shqiptare posaçërisht për emigrantët ka ngritur një ministri diaspore, e cila duhet të dijë që nuk është vetëm për aktivitete shpërndarjeje çmimesh apo reklamime suksesesh, por edhe për të përcjellë zërin e grupeve që ajo përfaqëson.

Ministri Majko është zhdukur nga daljet publike, i vetmi rast ku i ka dalë emri këto ditë ishte në një shkrim ku ngrinte në piedestal dashurinë në kohën e kolerës, pa kuptuar në fakt as librin e Markezit dhe as situatën e sotme.

Krahas tij vepron edhe Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili është një organ që përfaqëson emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të atdheut. Ky këshill përbëhet prej 15 anëtarësh, 3 prej të cilëve përfaqësojnë shqiptarët në SHBA, 2 të Kanadasë, 6 të Europës, 2 të Britanisë, një Turqisë, një Australisë. Dhe ja ku u bënë 15 pjesëtarët. Ndër këta 15 anëtarë, të cilët jo të gjithë janë gjithmonë gojëkyçur, një prej tyre duhet të jetë edhe përfaqësues i diasporës në Greqi. Nuk është ndjerë as ky anëtar dhe as anëtarët e Europës mesa duket. Pra funksioni i këtij këshilli si përfaqësues të emigrantëve nuk po duket i shprehur në rast konkret nevoje. Kujt i duhet ky këshill atëherë? Për raste suksesesh s’ka nevojë njeri për lajmëtarë. Njerëzit kanë nevojë për një dorë kur kanë halle.

Gazetari i njohur në Londër Petrit Kuçana, para disa ditësh i drejtoi një letër këtij këshilli pikërisht për këtë qëllim. Të ndërhynte dhe të ushtronte funksionin ndërlidhës mes diasporës dhe qeverisë shqiptare. Deri më sot kjo letër nuk ka marrë përgjigje zyrtare. Kryetari i KKD nuk është ndjerë, anëtarët mesa duket nuk veprojnë më vete pa një lider. Ndërkohë që këta anëtarë janë zgjedhur aty në bazë të kriterit të integritetit të lartë dhe reputacionit në komunitetin ku ata jetojnë si dhe aftësisë për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës. Vërejmë se në rastin konkret të nevojës për prezencën e KKD, nuk po shpaloset botërisht as integriteti dhe as aftësia. Lind pyetja, a ka vlerë reale ky këshill? Dyshojmë.

Sa i përket Minstrit të Diasporës, shqiptarët edhe njëherë ta marrin vesh mirë se ministri është i zënë me prokurimet e qelesheve që t’i shpërndajë ato në udhëtimet e radhës nëpër botë sapo të çelen kufijtë. Madje valixhen me padurim duhet ta ketë lënë te dera gati.

Në mungesë të këtyre të sipërpërmendurve, të cilët i shpallim në kërkim, kujt t’i kërkosh hesap? Ministrit të Jashtëm në detyrë do thoni ju. Sigurisht që edhe ai ka pjesën e vet të madhe, por siç e dini ai është thjesht në detyrë i komanduar nga një tjetër. E kështu zinxhir venë këto punë, njëri ia delegon tjetrit dhe halli mbetet jetim edhe pse dikushi ka thënë që është babai i të gjithëve.

Urojmë që bashkëatdhetarëve mbetur rrugëve t’u dalë nëna për zot, se babain e morëm vesh që është vetëm për show./Flasshqip.ca