Shkelja e Kushtetutës për zgjedhjet vendore

553
Sigal

PS lëshon ndryshimin e Kodit Zgjedhor që KQZ-ja të caktojë datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale. VOA: Ndërhyrjet të pamundura. Prof. Dr. Kristaq Kume: Kushtetuta i jep kompetencë vetëm Presidentit të caktojë datën e zgjedhjeve.

PS-ja kërkon të bëj puç zgjedhor, për të emëruar kryebashkiak në Shkodër

Prof. Dr. Kristaq Kume: Kushtetuta i jep kompetencë vetëm Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve

Mazhoranca nuk e respekton dekretin e Presidentit të Republikës që në 13 tetor të organizohen zgjedhje vendore, qoftë edhe në bashkinë e Shkodrës, prandaj, mendon që të bëjë ndryshime në Kodin Zgjedhor, (meqë tani ka në parlament edhe 94 vota) duke i dhënë kompetenca KQZ-së që të caktojë një datë për zgjedhje në bashkinë e Shkodrës, duke anashkaluar, shpërfillur tërësisht Kushtetutën, e cila i jep vetëm Presidentit të Republikës kompetencën kushtetuese të caktojë datën e zgjedhjeve.  Juristët e PS të ndodhur përballë një ushtrimi të vështirë juridik, e shikojnë zgjidhjen në ndryshimin e Kodit Zgjedhor. “Ndryshimi nenit të kodit zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme duke ia hequr të drejtën e dekretimit të Presidentit të Republikës dhe kalimin e kësaj kompetence KQZ-s, për raste të ngjashme si ato të Valdrin Pjetrit, është zgjidhja e vetme për momentin” ka thënë një burim nga PS.  Për të bërë këtë ndryshim emergjent në kodin zgjedhor socialistët i kanë votat në parlament. Një ndryshim i tillë do të jetë jo vetëm zgjidhje për Shkodrën, por edhe për ndonjë bashki tjetër si ajo e Vorës, ku me gjatës zgjedhjet e pjesshme janë të pashmangshme. Presidenti i Republikës Ilir Meta, as që e ka në mëndje të dekretojë një datë të re zgjedhjesh për Shkodrën, duke e kapur maxhorancën Shah-Mat. Presidenti si zgjidhje jo vetëm për Shkodrën por edhe për të gjithë Shqipërinë shikon datën 13 Tetor.

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së prononcohet për gazetën “Telegraf”

Prof. Dr. Kristaq Kume ish kreu KQZ në një intervistë për gazetën “Telegraf”  u shpreh se zgjedhjet e parakohshme në Shkodër kalojnë vetëm përmes një dekreti të Presidentit dhe se çdo zgjidhje tjetër do të jetë kundër Kushtetutës. Prof. Dr. Kristaq Kume, pohon se edhe nëse bëhen ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor, asnjë reformë zgjedhore nuk mund të jetë në frymën e Kushtetutës, nëse i heq Presidentit të Republikës kompetencën kushtetuese të caktojë datën e zgjedhjeve dhe t’ia delegojë ndonjë institucioni tjetër, për shembull., KQZ-së. Nëse ka ndonjë mendim, që reformë zgjedhore të quajnë delegimin e kompetencës për të caktuar datë zgjedhore KQZ-së, atëherë, bëhet fjalë për non sens reformë zgjedhore.