Shkarkohet drejtori i KESH, kush është drejtori i ri që e zëvendëson

2084
Sigal

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka shkarkuar ditën e sotme drejtorin ekzekutiv të Korporatës Energjitike Shqiptare  Agron Hetoja.

Në vend të tij është emëruar Benet Beci, i cili më parë ka qenë drejtor ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Kujtojmë se më herët ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku shkarkoi drejtorin e ARRSH-së, Afrim Qëndron, drejtorin e OST, Klodian Gradeci dhe drejtori e portit të Durrësit, Afrim Bakajn.

Kush është Benet Beci

Benet Beci është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës, dega Ekonomi Politike, në vitin 1987. Në vitin 2003 përfundon programin dy vjeçar “Master në Administrim Biznesi” (MBA) duke mbrojtur tezën “Sistemi bankar në tranzicion, tronditjet dhe mësimet”, pranë Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me Universitetin Nebrasca-Lincoln.

Beci e ka filluar karrierën profesionale në vitin 1987 në Ministrinë e Transporteve, ku ka kryer detyrën e inspektorit të tarifave dhe standardeve. Në vitin 1992 fillon të punojë si ekonomist në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Bankën Kombëtare (sot Banka e Shqipërisë). Në vitet 1993-1999 vazhdon punën në Bankën Kombëtare Tregtare duke kryer funksione të ndryshme, si: specialist në Departamentin e Letërkredive dhe Financimeve të Huaja, specialist në Departamentin e Administrimit të Fondeve të Huaja, përgjegjës i Sektorit të Kredisë në Departamentin e Financave të Huaja. Gjatë periudhës Prill 1999 – Qershor 2003, ka vazhduar karrierën e tij profesionale si Drejtor Financiar në Fondin e Financimit Rural, për të vijuar më tej deri në Tetor 2005 si Drejtor Financiar në Unionin e Shoqatave të Kursim Kredisë, institucion financiar i krijuar nga transferimi i aseteve të Fondit të Financimit Rural.

Prej muajit Tetor të vitit 2005, mban postin e Drejtorit Ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Z. Beci ka qënë gjithashtu edhe Anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë për periudhën Shtator 2005 – Janar 2008. Z. Benet Beci ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për periudhën Shkurt 2008 – Tetor 2012. Z.Beci ka kryer një sërë specializimesh brenda dhe jashtë vendit. Fushat e specializimeve janë kryesisht në sistemin bankar dhe funksionet e institucioneve të kredidhënies, analizës financiare, manaxhimin e riskut dhe përcaktimin e normave të interesit, manaxhimin efikas të institucioneve mikrofinanciare, buxhetimin, planifikimin dhe menaxhimin e projekteve, si dhe modelimin e institucioneve financiare dhe të kreditimit.