Shkarkimi i Besnik Muçit, Noka: Çoi pas hekurave një nga bandat më të rrezikshme, kjo është Rama-formë

419
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka i ftuar në emisionin “360 Gradë” u shpreh se kryeministri Edi Rama ka kapur shtetin, ndërsa reforma në drejtësi është Rama-formë.

Ndër të tjera, Noka tha për Muçin se është një prokuror, i cili ka pasur integritetin e lartë moral të çojë pas hekurave një nga bandat më të rrezikshme të këtij vendi.

“Ajo që ndodhi sot për fat të keq është tregues që në këtë vend po funksionon shteti i kapur, ose jemi në shtet të kapur. Një prokuror që gjatë gjithë periudhës nuk ka pasur asnjë problematikë kishte kaluar vettingun në shkallën e parë, në mënyrë unanime dhe pas asnjë lloj kontestimi. Një punonjës politik të themi e kishte ankimuar.

Në momentin që presidenti e dekreton anëtarë të Gjykatës Kushtetuese angazhohet detashmenti politik për ta shkarkuar, sulmuar dhe deniguar. Një prokuror i cili ka pasur integritetin e lartë moral të çojë pas hekurave një nga bandat më të rrezikshme të këtij vendi. Kemi të bëjmë me një shtet të kapur. Çdo sektor është i kapur vetëm nga Edi Rama,”- tha Noka.

Ngërçi në Gjykatën Kushtetuese është thelluar edhe më tej. KPA e shkarkoi Muçin për problemet me pasurinë si dhe problemet me pastërtinë e figurës, pasi ai u konfirmua më herët në shkallën e parë të vettingut, në KPA e më pas u dekretua nga presidenti Ilir Meta, gjyqtar kushtetues, pa marrë ende vendimin nga Vettingu. Gjykata Kushtetuese tashmë ngelet me katër anëtarë, ndërkohë që për funksionimin e saj duhen gjashtë.