Sulm i fortë ndaj Ramës – “Në zgjedhjet e 2017 do të kemi një ushtarak në krye të disa mercenarëve”

422
Analisti Artur Zheji shkruan sot se të dënuarit me rekorde kriminale që po lirohen nga burgu do të përdoren nga Rama për të fituar zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Sigal

Në analizën e publikuar në portalin ‘360grade.al’, Zheji shkruan se pas zgjedhjeve të ardhshme nuk do të kemi më kryeministër artistin e dikurshëm por një ushtarak në krye të disa mercenarëve.

“Kështu që, duke mos menduar më për “Vdekjen”, por për Vota, kryeministri, po organizon në mënyrë të marrë dhe të papërgjegjshme, një formacion “luftimi” dhe kërcënimi, duke grumbulluar rreth PS dhe Kupolës së tij, ushtarë, vrasës apo ish vrasës, grabitqarë nga të gjitha llojet, me qëllim mbjelljen e Frikës dhe përdorimin e Kërcënimit, që do të zëvendësojnë platformat e tija të dështuara qeverisëse. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe, ky zinxhir “masash”, që ai po ndërmerr në dritën e diellit, duke marrë përditë e më shumë Hua, nga bota e krimit, Gjeneralë të certifikuar të së Keqes, të cilët do të jenë pjesa e padukshme e makinerisë së tij elektorale 2017”, shkruan Zheji.

Sipas tij “Përveç “blerjeve” më të fundit, përveç pastrimit të orientuar të së kaluarës penale të mjaft prej syresh, ai ka gati një listë blerjesh të reja në merkaton e Krimit, për të ngjeshur radhët, me fytyrat më të egra të Krimit Shqiptar, të integruar në skuadronët e Vdekjes, si dikur diktaturat amerikano-jugore. Ky është një regres ulëritës dhe shqetësues, që rrëfen se sa keq janë punët për kryeministrin dhe se sa keq dhe se sa e vështirë, mund të bëhet sakaq, jeta e shqiptarit të thjeshtë, në këtë Republikë kanabiste! Edhe nëse e merr përsëri pushtetin e domosdoshëm kryeministror të vitit 2017, do të kemi një kryeministër të shndërruar në 180 gradë. Ai nuk do të ketë më, petkun e artistit të shkujdesur ndaj vogëlimave meskine të intrigave të politikës, por do të ngjajë gjithmonë e më shumë me një ushtarak, në krye të një ushtrie laramane, gjakësore, mercenare dhe me një qëllim të vetëm: Pushtimin e Pushtetit”.