Shezai Rrokaj: “Dy fjalë për ministren Nikolla”

991
Sigal

Dy fjalë për ministren Nikolla gjatë llogaridhënies me banorët e Vllahinës në Bashkinë e Selenicës

Në zbatim të programit të Qeverisë për llogaridhënie ministrja Nikolla organizoi një takim me mësues, prindër e banorë në Vllahinë të Selenicës. Zona ku e bëri takimin ministrja, është shumë e shtrenjtë për mua, sepse lidhet me vendlindjen time, kësisoj e njoh mirë. Mënyra e komunikimit më vetoi në mendje si një fyerje me varfërinë e tyre, pse jo edhe deri personale, duke qenë se jam prej asaj zone dhe gjithashtu deputet i saj.

Midis të tjerash, më tërhoqi vëmendjen biseda e ministres me një “xhaxha”, i cili i bëri një pyetje lidhur me kërkesën e mësuesve drejtuar fëmijëve, për të sjellë Kartën e Identitetit të prindit. Siç është bërë e njohur, opozita e ka konsideruar këtë kërkesë si një shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, dhe se me gjasa, kjo lidhje e drejtpërdrejtë e prindit me nxënësin, mund të ishte një manovër e mazhorancës për manipulim të procesit zgjedhor.

Ana komike e këtij takimi ishte fakti që ministrja po sqaronte për Kartën ID një “xhaxha”, i cili në këtë status moshor nuk mund të jetë prind fëmije për moshat shkollore dhe me siguri pyetjen e ka bërë ose për të shuar një kërshëri pensionisti, ose me ironi për t’i lënë të kuptonte ministres se “ku jemi ne e çfarë po na thotë kjo”.
Nga ana tjetër, komik ishte dhe zelli i ministres për t’i mbushur mendjen atij dhe të tjerëve se kjo është një reformë “për të ndërtuar një komunikim të ri me prindërit me anë të teknologjisë, për t’u informuar se çfarë ndodh në shkollë dhe në politikat arsimore që ndërmerr ministria”. Më tej ajo i tha xhaxhait se “do ta kërkojmë dhe po vijojmë për të ndërtuar një sistem të ri komunikimi me ju.”

Por komiko-tragjik bëhet aspekti teatral i populizmit të kësaj Qeverie, kur ministrja thotë se ka shkuar ajo vetë e para “për të më thënë mua të parës, për të më vënë aty me shpatulla për muri dhe me më thënë që hajde dhe sqaro vetë njerëzit, jo nga televizori (…); dhe se ministrja është kaq e etur saqë në mënyrë deklamative i thotë: “dua të komunikoj i dashur xhaxha!”. Por nuk vonon shumë dhe skena bëhet tragjike, kur shfaqet arroganca me gjuhën “sepse (ne) kemi agjencinë dhe Shteti nuk e ka fare të vështirë për ta bërë këtë.” Që një ministër të barazojë qeverinë me shtetin është një lajthitje e rëndë, pasi shteti ka ca ligje, si ai ‘Për mbrojtjen së të dhënave personale’, që qeveria nuk ka doemos të drejtë t’i përdorë, kur cenohet identiteti i personit. Mirëpo arroganca nuk njeh limit. Nervozizmi dhe presioni prej pakënaqësisë ndaj pyetjes rishfaqet sërish, kur zonja Ministre shprehet ndaj një xhaxhai: “Nuk ke interes ta dish? Mos u regjistro, mos i jep këto të dhëna edhe rri i painformuar!”

Gjithë kjo skenë komunikimi është nga njëra anë qesharake, kur ministrja mëton t’i shpjegojë “xhaxhait” se: “email-et e kompjuterat nuk janë kot. Janë një instrument dhe një mundësi që ne në kohë reale të marrim përgjigje nga prindërit” dhe se kështu ministria do të njihet dhe se do të dijë nga t’ia fillojë punës: ose më konkretisht: “p.sh. në shkollën në Bashkinë Selenicë duam të bëjmë 1,2,3,4,5 investime, më thoni nga t’ia fillojmë? Nuk do doje që të jepje një përgjigje?Ja pra që kjo është arsyeja.” Por ka edhe një arsye tjetër po aq absurde ku, sipas ministres, “mund të ketë 20, 200 Lindita Nikolla, në gjithë Shqipërinë, por ne duam atë Linditën që është realisht prindi te shkolla në Bashkinë Selenicë.”
Nuk dua të merrem as edhe me ndonjë lajthitje shqipëruese të saj, kur rreket të thotë se “Ne prodhojmë çdo javë informacion, “News Letter” quhet në këtë gjuhën e bukur të komunikimit dhe shkon në shumë pak njerëz.” Nuk po merremi as edhe me “ato 600 tekste që hoqëm nga sistemi”, sepse në fakt ato ishin vetëhequr, pasi shumë syresh nuk përzgjidheshin më nga shkollat.

Unë e kuptoj, gjithashtu, se cilido që të vihet në krye të këtij institucioni ka një peshë të rëndë mbi krye, pasi ky numër i madh burimesh njerëzore ka shumë probleme në kushtet e Shqipërisë. Por atë që nuk kam kuptuar, e them me bindje, është të mosparit e realitetit në sy, mosheqja dorë nga populizmi apo nga arroganca, nga skena komiko-tragjike si ky takim, në të cilin flitet për komunikim interneti në një zonë, ku familjet nuk e kanë as luksin e kompjuterit e as atë të rrjetit të internetit. Për më tëpër, diskutohet me një xhaxha, të cilit do të ishte më mirë t’i flitej për pensionin e ulët të kooperativës, për ujin e pijshëm, që nuk shkon në këto fshatra. Këtij xhaxhai dhe të pranishmëve të tjerë do të duhej t’u flitej dhe të jepej llogari, bie fjala, përse nuk ka mjekë e infermierë në këto zona, përse nuk ka ambulancë, pse jo edhe përse nipërit e mbesat e tij dhe fëmijët e tjerë shkojnë më këmbë deri në Vllahinë, që nga Koculi, Gërneci, Gorrishti e Treblova apo edhe Vezhdanishti? Të diskutohej përse nuk kanë furgonë që t’i marrin dhe t’i kthejnë në shtëpi nxënësit. Besoj shumë gjithashtu se xhaxhait dhe banorëve do t’u interesonte më shumë të dinin përse rrugët e këtyre zonave janë si mos më keq dhe nuk po hidhet një grusht asfalt mbi to.

Do të kishte qenë me interes, zonja Ministre, të bisedoje me këta banorë përse po ikin drejt Vlorës, Tiranës apo në emigracion. Si është në këtë zonë analfabetizmi funksional: sa fëmijë kanë braktisur shkollën, apo e frekuentojnë atë pjesërisht? Përse rezultatet e Pisa-s i nxjerrin fëmijët shqiptarë të fundit në Evropë për aftësitë e tyre në lexim e matematikë dhe sa e vërtetë është kjo gjë atje?

Jam shumë i sigurt, zonja Ministre, se xhaxhai dhe shumë prindër të tjerë do të kishin parapëlqyer që ministrja e arsimit të jepte llogari dhe t’u thoshte përse nuk mbulohen nga shteti shpenzimet për tekstet shkollore, si në të gjitha vendet evropiane, përfshi dhe Kosovën? Përse tarifat e shkollës së lartë janë shumë të larta? Përse Qeveria nuk shpenzon 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin, siç ka premtuar vetë në Strategjinë e Arsimit të Parauniversitar (SAPU), por vetëm 3%? Kurse sa për portalin për mësuesit, çoni njerëz të pyesin në popull se çfarë bëhet për një vend pune, zonja Ministre. Sigurisht, pa përdorur pyetësorë që nuk marrin dot përgjigje, se përndryshe mësuesve u ikën vendi i punës.
Kështu bëhet llogaridhënia zonja Ministre e Arsimit. Në “bazë” nuk shkohet për t’i bishtnuar realitetit dhe ca më pak përgjegjësive, as edhe për të bërë teatër me varfërinë e këtyre njerëzve të lënë në mjerim gjithë këto vite. Këto dhe shumë të tjera janë probleme që duhen parë në sy, sepse unë jam i bindur se vetëm kështu u shërbejmë banorëve të asaj zone dhe arsimit shqiptar.

Fotografia e Shezai Rrokaj