Ruli rihap çështjen e Berishës-Deputet: Betejën ta bëjë edhe jashtë Parlamentit

277
Sigal

Genc Ruli ka rihapur polemikat në lidhje me kandidaturën e Sali Berishës për deputet. Kreu i komisionit të PD-së që shqyrton kandidaturat e opozitës, ka deklaruar se i qëndron idesë se ish-kryeministri nuk duhet të jetë më parlamentar. “Betejën me Ramën mund ta bëjë edhe nga jashtë politikës”, tha Ruli në një intervistë për Abc News.

I pyetur sot mbi kundërshtimin e Berishës ndaj ftesës së tij, Ruli tha “unë fola çfarë mendova për veten time si Genc Ruli. Jam në të njëjtën kohë me Berishën dhe e theksova se Berisha ka kontribut. Edhe sot ka kontribut. T’i flasë demokratëve dhe të djathtëve. Ka goxha kontribut sepse është një njeri që nuk i shteron influenca”.

“Angazhimi jonë në politikën aktive dhe profesionale nuk është i nevojshëm dhe i detyrueshëm për të vazhduar misionin tonë. Misioni jonë mjafton edhe me një deklaratë publike, edhe me një intervistë publike apo edhe me një përshëndetje që i bëjmë anëtarëve të partisë.

Pra nuk shoh kontradikta në ato që kam thënë. Unë ndjehem i lirë me veten time në këtë gjykim, prandaj bëra atë formulim që besoj jam mirëkuptuar edhe nga Berisha dhe nga shumë persona që e njohin Partinë Demokratike nga brenda”, tha Ruli.

Kjo deklaratë, ka shumë gjasa që të mos ketë replikën e ish-kreut të qeverisë, por sipas gjasave mund të jetë edhe një “manovër” e Bashës për të hapur një debat inteligjent në publik për t’ju afruar “elektoratit gri”