Sherri për postet, plasaritet koalicioni i Majtë

421
Sigal

Blushi refuzon detyrën e kryetarit të grupit, ndërsa Ruçi e Majko nuk do të pranojnë

Duket se në koalicionin e Majtë është mbyllur sezoni i dasmave, apo krushqive dhe ka nisur dimri i luftës. Ndërsa brenda selisë rozë, plasaritjet kanë shpërthyer haptazi, sidomos ndaj brezit të ri të politikanëve dhe atyre që quhen “xhaketa të vjetra”. Sidomos një diagramë të re në përçarjen e brendshme ka shënuar emërimi i ministrave, ku figura të tilla, si Majko, Blushi, Fino, etj., nuk janë diskutuar fare për të marrë pjesë në kabinetin e ri, ndërkohë, që Dokle, Dade, Leskaj, Ruçi etj., kanë qëndruar tepër larg tortës qeveritare. Emrat e mësipërm kanë shfaqur shenja ftohjeje, ndaj arbitraritetit të Ramës në caktimin e posteve. Nga kjo ftohje, parashikohet që grupi parlamentar të mos funksionojë si një “fizarmonikë”, por të ketë tonalitete të ndryshme e të kundërta. Në këtë mënyrë lënia pas dore e emrave të politikanëve të vjetër, i ka detyruara këta të fundit, t’i shmangen çdo komunikimi me Ramën, ndërkohë që “humnera” mund të shfaqet gjatë votëbesimeve parlamentare me anë të votës së fshehtë. Përplasja e parë duket se do të ndodhë me Blushin, i cili nuk ka pranuar detyrën e kreut të grupit Parlamentar. Burimet nga PS bënë të ditur se kjo detyrë i është kërkuar ta bëjë Ben Blushit, deputetit të Qarkut të Elbasanit, por ai e ka refuzuar. Ben Blushi e ka mbajtur më parë këtë post, por dha dorëheqjen në momentin kur 6 deputetë të grupit socialist thyen vendimin e grupit dhe votuan si President Bamir Topin. E pas refuzimit të Blushit, në radhë për këtë post mësohet se janë 4 kandidatë: Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Taulant Balla e Blendi Klosi. Midis tyre, mësohet se Ruçi nuk do ta pranojë këtë detyrë, ndërkohë që dy kandidaturat më të mundshme janë Blendi Klosi dhe Pandeli Majko, por thuhet se dhe ky i fundit nuk do e pranojë rolin e kreut të grupit parlamentar. Kështu që, mbetet Klosi, i cili është sekretar organizativ, por edhe një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryetarit Rama, por kjo do caktohet në mbledhjen e parë të grupit parlamentar. Ndërsa në postin e nënkryetarëve të grupit deri tani kanë qenë Vasilika Hysi, Erjon Braçe, Saimir Tahiri e Eduard Shalsi, ndërsa Taulant Balla ka mbajtur postin e sekretarit. Grupi i ri parlamentar u mblodh më 9 korrik, pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Këtë ftohje, gazetarët e mediave e kanë konstatuar në pyetjet që u kanë bërë këto ditë deputetëve të vjetër, të cilët në të shumtën e rasteve janë përgjigjur me arrogancë, duke thënë: Nuk dua të përgjigjem për asgjë”.

 Milo e Gjinushi afër divorcit  nga Rama

Ngjela ka hequr dorë momentalisht nga çdo lloj komunikimi me Ramën. Por pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, ajo që bën përshtypje është heshtja e plotë e kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi. Madje, asnjëherë Gjinushi nuk u pa publikisht që të nënshkruante marrëveshjen zyrtare dypalëshe me Edi Ramën para zgjedhjeve të 23 Qershorit, por çdo gjë u kalua në heshtje. Shpjegimi është se kërkesa e vetme e Gjinushit drejt Ramës, para zgjedhjeve, ishte që të përfshihen në listat  e kandidatëve për deputetë të  PS-së, sikundër bëri edhe Berisha me kryetarët e partive aleate të së djathtës. Edhe Milo, ka qenë i fundit nga kryetarët e partive aleate të së Majtës, që nënshkroi marrëveshjen dypalëshe parazgjedhore me Ramën, duke bërë çdo përpjekje që të përfshihej edhe ai në listat e PS-së për deputetë.

Bojkoti i Gjinushit

Gjinushi, edhe pas 23 Qershorit e ka bojkotuar haptazi Ramën, duke mos pranuar që të vinte në asnjë takim të Ramës me aleatët. Gjinushi është ndjerë i pavlerësuar nga Rama për gjithë kontributin e tij opozitar, madje, edhe pse publikisht ka heshtur, në bisedat jo zyrtare, Gjinushi nuk e ka përmbajtur vetveten, nga akuzat që ka adresuar ndaj PS-së për vjedhjen masive të votave që iu bë PSD-së nga komisionerët e numëruesit e PS-LSI edhe në 23 Qershor. Gjinushi, me bojkotin e tij në të gjitha takimet zyrtare që ka bërë Rama me aleatët, ka dashur t’i përcjellë Ramës një mesazh. Vlerësimi i fundit që i mbetet të bëjë Rama aleatit më besnik të tij, Gjinushit, është që ta bëjë pjesë të kabinetit të tij qeveritar, ashtu siç e meriton personaliteti dhe kontributi i tij opozitar 8 vjeçar. Por Rama, e shpërfilli krejtësisht Gjinushin, jo vetëm që nuk e bëri pjesë të kabinetit qeveritar, por, duke vlerësuar më shumë  nga Gjinushin, Spartak Ngjelën, me deklaratën e tij publike, se i afroi një post ministror në Kryeministri, edhe pse Ngjela nuk ka fituar vota. PSD-ja e Gjinushit mori në shkallë vendi mbi 10.000 vota, më pak se 2009-ta, por më tepër se PBDNJ-shi dhe partia e Mark Frrokut, që për arsye të sistemit zgjedhor,  fituan nga një mandat në Kuvend. Gjithsesi, Gjinushi nuk mund të pranojë një post qeveritar të rangut të zv/ministrit.  Sa herë kemi kontaktuar pas 23 Qershorit,  zoti Gjinushi nuk e ka fshehur satirën ndaj Ramës, duke thënë qartazi se nuk i intereson më asgjë se çfarë bën Rama tani, sepse ai shikon tashmë …punën e tij. Bojkoti i Gjinushit ndaj Ramës, është pjesë e hartimit të strategjive të reja politike, që ai mendon në të ardhmen, natyrisht, jo më në aleancë me Ramën. Për më tepër, Gjinushi e ka shumë të vështirë që të bashkekzistojë në një aleancë bashkë me Ilir Metën, ku dihet sa kritikë është akoma edhe sot Gjinushi ndaj Metës.

Një kryetar i një partie aleate të së Majtës, na pohoi se para 23 Qershorit, shumë kryetarë të partive të aleancës së Majtë, kishin bërë bisedime dhe përpjekje që të krijonin një pol të tretë, së bashku, në kundërpeshë të mohimit të Ramës që t’i përfshijë në listat e PS-së për kandidatë, ku mund të përfshiheshin edhe FRD-ja, por në minutat e fundit, Gjinushi ishte tërhequr, duke shpresuar te premtimet e Ramës.

Milo, i zhgënjyer nga  Rama

Pak ditë para se Rama të shpallte emrat e ministrave të tij, Paskal Milo, kryetari i PDS-së, deklaroi publikisht se nuk i intereson posti i zëvendësministrit, duke i dërguar, kësisoj, mesazhin e fundit Ramës, që duhet  të respektojë marrëveshjen dypalëshe.  Domethënë, kontributi i tij vlerësohet vetëm me postin e ministrit, në bazë edhe të votave që ka fituar PDS-ja në 23 Qershor,  që janë mbi 11.000 në shkallë vendi. Mirëpo Rama as Milon nuk e përfshiu në kabinetin e vet qeveritar, edhe pse PDS-ja është partia e tretë e së Majtës, pas PS-së, e LSI-së, që ka numrin më të madh të votave, në shkallë vendi.  Madje, i kontaktuar nga “Telegraf”, para disa ditësh,  zoti Milo, haptazi, na u përgjigj: “Tani jam në punët e mia dhe nuk interesohem më se çfarë bëjnë të tjerët. U uroj të kenë sukses në punët e tyre”. Me këtë përgjigje, njëfarësoj, Milo e ka (vet)përjashtuar vetveten nga e maxhoranca qeverisëse e Edi Ramës.

Është fakt që para një viti, Milo bisedoi me Metën për mundësinë e shkrirjes të PSD-së dhe kalimin e tij në LSI. Mirëpo marrëveshja u prish, sepse Milos nuk iu premtua ajo detyrë që pretendonte nëLSI, domethënë, të ishte një nga nënkryetarët e LSI-së. Rama, duke e mësuar këtë fakt, i propozoi Milos, para zgjedhjeve, të shkrinte PDS-në dhe të futej në listat e kandidatëve të PS-së. Këtë propozim të Ramës e publikoi vetë Milua, duke e refuzuar po publikisht. Milo është në pritje të vlerësimit që duhet t’i bëjë kontributit të tij Edi Rama, por, njëkohësisht, vazhdojnë edhe përpjekjet e bisedimet për gjetjen e mundësive të reja, pse jo, të krijimit të një poli të ri politik,  aq të përfolur si Poli i Tretë.