Shenasi Rama: 21 qershori, fitorja e thëllë e parisë së Tiranës

468
Prof. Dr. Shenasi Rama në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar zgjedhjet e 21 qershorit, thotë se kjo ishte fitorja e thellë e Parisë së Tiranës, Edhe reforma e re territoriale, ka krujiar ndarje të qarta Jug-Veri, fshat-qytet, ndasi fetare. Shenasi Rama pohon se nga këto zgjedhje fitues janë një numër i lartë i njerëzve të kriminalizuar, ose mashtruesë ordinerë, që u zgjodhën në të gjitha nivelet. Kjo ndodh, siç pohon Shenasi Rama, ngaqë ne jemi republika groshë. Votuesit, sipas zotit Shenasi, reaguan, duke mos i dhënë votat PS-, por ia dhanë partive të tjera. Prof. Shenasiu mendon se Shqipëria do të vonohet në anëtarësimin në BE, sepse deri në 2025 BE nuk do të bëjë zgjedhim, por edhe ne nuk kemi ndërtuar akoma shtetin. Dhe në fund të intervistën, Prof. Dr. Shenasi Rama jep edhe 10 parimet që do të duhet për të bërë ndryshimin e vërtetë për Shqipërinë, por kjo do të bëhet nga forca të reja politike, dhe jo nga kjo Pari e sotme e Tiranës. 
– Zoti Rama ju si e lexoni rezultatin e votimit të 21qershorit?
– Si një fitore të thellë të Parisë së Tiranës. Ligji për ndarjen e re territoriale ka krijuar një blok të madh bashkish lokale, që do të kontrollohen nga mafiat lokale dhe nga Paria e Tiranës. Pati një konsolidim të kontrollit të parisë edhe në këtë nivel sepse me këtë numër Bashkish e me nevojat që kanë janë të gjithë të varur nga Tirana. Paria tregoi se ka struktura efektive dhe që, edhe në kohë krize, strukturat e saj funksionojnë. Edhe me caktue një zog gomarit si kandidat, Paria ka fuqinë financiare, propagandën dhe makinën politike lokale me ndikue që ai te zgjidhet. Ra në sy që opozita ka dështuar tërësisht dhe është e pazonja që të përballet me palën tjetër të Parisë. Po ashtu spikati jo vetëm dalja e kandidateve të pavarur por edhe masa e madhe e njerëzve që i bojkotuan zgjedhjet sepse e shohin se këto që ofrohen si zgjidhje, në fakt janë problemi e jo zgjidhja. Duhet theksuar se ka ndarje të qarta Jug-Veri, fshat-qytet, ndasi fetare që po thellohen dhe mbi të gjitha një ndasi etnike që me ligjin territorial është theksuar e ligjëruar. Të bie në sy numri i lartë i njerëzve të kriminalizuar, e kur nuk janë vegla të krimit, numri i mashtruesve ordinerë që u zgjodhën në të gjithë nivelet. Po ashtu të bie në sy sesi mbas fasadës së rregullit e qetësisë, janë të fortët, veglat e familjeve mafioze, që nuk lanë kandidatë të dalin e të votohen. Paria fitoi por ishte një fitore e vështirë sepse ia futën njeri tjetrit dhe nuk ka fare besim midis tyre. Në fund, në bote ka republika bananesh por ka dhe republika groshë. Ne jemi tani republikë fasulesh dhe në një republikë të tillë ka shumë zhurmë, por pak të mira. 
– Përse PS dhe PD në votat që morën për këshilltarë kanë humbur shumë elektorat? PS 15 % nga 41% në 26 % . PD nga 30 % në 20 % në krahasim me zgjedhjet e 2013?
– Sado që një masë e mirë votash shkuan tek LSI sërish kjo është një votë proteste. Shqiptarët votuan ashtu sepse e shohin qartë se i kanë mashtruar dhe i mashtrojnë ditë për ditë. Sepse i njohin kandidatët e kriminalizuar dhe iu vjen të pështirë nga ata. Sepse e kuptojnë se po skllavërohen por nuk kanë zgjidhje tjetër. Sepse e kanë shitur votën për vendin e punës, për bukën e gojës. Sepse gjithkund politika është lokale dhe në këtë rast njerëzit votuan për kandidatët për kryetarë duke mos e peshuar si duhet votën për në Këshillat bashkiake që kanë mjaft pushtet me skemën e re. Në fund sepse në të gjithë bashkitë dihet se kush i financoi, mbështeti e përzgjodhi kandidatet dhe i ka vënë në këshilla. Sepse shqiptarët e shohin se me këtë rrugë po shkohet drejt askundit. Kjo ishte ana tjetër e votës së protestës që duhet analizuar me kujdes. 
– Partitë e vogla u favorizuan duke rritur shumë elektoratin. Sipas jush përse kjo? 
– Në zgjedhje lokale njerëzit votojnë kandidatin. Votohet me fise e me tribu, me katunde e me të punësuar në firma dhe në bazë të parave që ke e të atij që të mbështet. Kjo është shenjë e keqe, shumë e keqe për politikën sepse tregon qartë se nuk ka kurrfarë ideologjie e besnikërie ideologjike tek votuesit. Një popull që nuk ka ideologji të qarta për me zgjedhe, që nuk ka një shtet të fortë njëherë e pastaj mendon me zgjedhë drejtuesit në çdo nivel, është një popull që ka probleme serioze. 
– Meqë jemi në provë nga BE për plotësimin e 5 kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim a mendoni se me zgjedhjet ne dëftuam që plotësuam standarte të pranueshme? 
– Nuk ka shans që ne të hyjmë në BE. Nuk ka kohë kush të merret me ne, nuk kemi asgjë për me iu ofrue BE dhe nuk na beson njeri. Kur të ndërtojmë shtetin tonë si duhet, me një ekonomi normale dhe me sisteme të qëndrueshme në edukim shëndetësi, mbrojtje të qytetarëve infrastrukturë e me radhë, ndoshta do të merren me ne. Mos harroni kanë thënë se deri në vitin 2025 nuk ka asnjë zgjerim. Deri në vitin 2025 ne do të kemi përfunduar edhe më keq sesa grekët sepse edhe kështu po shesim të ardhmen e të gjithë shqiptarëve me borxhe, koncesione e me varësinë totale të ekonomisë nga të huajt. Zgjidhja e jonë vjen nga ndërtimi i shtet-kombit, bashkimi i shqiptarëve dhe jo nga hyrja në Europë. Europa nuk na don, nuk na ka dashur ndonjëherë, ne kemi rrugën tonë dhe çdo refuzim me e ndjekë atë rrugë do të na çojë në të njëjtin përfundim. 
– Fitimi i 75 % i bashkive dhe 59 i maxhorancës të këshillave bashkiakë nga e Majta në pushtet është tregues që jemi në drejtimin e duhur në progresin e integrimit?
– Po ku ka të Majtë e të Djathtë në shtetin shqiptar! Në shtetin shqiptar ka kuletë, para dhe shitblerje. Jemi në drejtimin e askundit, jemi një rreth i ferrit në mes të Ballkanit dhe po nuk u integruam si komb nuk do të arrijmë asgjë, askund e asnjëherë. Integrimi ka qenë me iu hedhe hi syve shqiptarëve. Paria e jonë e shiti atë tezë, dmth bëri sikur integrimi ishte imminent. E Majta dhe e Djathta jonë janë për dy duar të të njëjtit trup që mendojnë me një kokë dhe që kanë një qëllim: sesi të vjedhin zhvasin, grabitin e rrjepin shqiptarët dhe pasurine e tyre kombëtare me metoda të mirëfillta jeniçere e katundare. 
– Edhe pardje ambasadori amerikan Donald Lu bëri apel që të largohen nga sistemi i drejtësisë gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Si duhet të përkthehen nga klasa jonë politike ky apel i SHBA, por edhe ajo thirrje në zgjedhje për dekriminalizimin e politikës? 
– Askush nuk përparon asgjëkundi në shtetin shqiptar nëse nuk mbështetet nga krimi. Krimi kontrollon vendin e punës së mësuesit, policit, nëpunesit, e deri të pastruesit në institucione. Nuk është puna se ne jemi për faqe të zezë, puna është se nuk po mendojmë të bëjmë atë që bënë shtetet e tjera që kanë qenë në gjendje të tilla dhe që punuan për të mirën e popullit të tyre. Apeli do të përkthehet që tre ditë zhurmë bën edhe ky, dhe aty mbyllet ai muhabet. Do të nisë një sherr i ri dhe mandej do të vijë një apel tjetër.
– Mos vallë fitorja që arriti në 21 qershor maxhoranca i hedh poshtë kritikat e forta që bëri Ben Blushi oër keqqeverisjen e Rilindjes dhe për PS si turmë e jo parti? Mendoni se me gjithë këtë fitore kryeministri Rama do reflektojë ndaj atyre kritikave? 
– Kjo është një verë e nxehtë për Parinë e Tiranës sepse të gjithë po maten se çka do të bëjnë në shtator e më pas. Mbasi ia futën keq njeri tjetrit tani do të mundohen të qëndrojnë në pushtet e të ruajnë torta që kanë. Ben Blushi e ka humbur këtë betejë dhe këta të PS-së ishin dhe janë për një kothere dhe Edi Rama tregoi mjeshtëri politike si me LSI-në ashtu edhe me këta që mendojnë ndryshe. 
– Cila mund të jetë kostoja që tani e Majta ka pushtetin qëndror dhe atë vendor në mënyrë absolute? 
– Po hiç asgjë. E Majta e Djtahta janë thjesht struktura kriminale e mafioze, mund ti quani edhe hudhra edhe qepa. Do të qeverisin, vjedhin e korruptojnë siç kanë bërë në të shkuarën. Jemi një vend që po shkojmë tatëpjetë e rrokopjekthi në greminë. Do të hanë aq sa ka mbetur dhe mjerë ata që vijnë pas, e mjerë ata që jetojnë aty sepse duhet të lajnë borxhet, do të gjejnë një shtet të shitur, një popull të ndarë si mos më keq e duhet të nisin nga një pikë zero e këta do të marrin paratë e do të shkojnë në shtetet ku kanë bërë investimet e familjeve.
Ja 10 parimet që do sjellin ndryshimin e vërtetë të Shqipërisë
– Ka një perceptim të shumëkush në Shqipëri. Që, edhe pse kjo klasë politike nuk ka vullnet të bëjë dekriminalizimin e politikës e të luftojë korrupsionin, do ta detyrojnë SHBA dhe BE. Cila do të jetë rruga që do të ndiqet? 
– Ka një alternative që nuk është e pranishme në politikën e përditshme në shtetin shqiptar dhe, natyrisht nuk i jepet fare vend në mediat e kontrolluara nga Paria e Tiranës. Por, kjo është një alternativë moderne, ideologjikisht e konsoliduar, e mbështetur në nevojat e vërteta të shqiptarëve dhe që ofron zgjidhjet e duhura në këtë kohë e në kushtet që jemi. Kjo alternativë është kombëtarizmi shqiptar. Pavarësisht daljes së disa sharlatanëve e demagogëve që u munduan të përfitojnë për vete, dhe që e përdorën këtë alternativë për qëllime arriviste e të momentit, shihet qartë se me njerëzit e duhur, në kohën e duhur dhe vendosmërinë e duhur, kjo alternativë ofron zgjidhjen e nevojshme. Alternativa e vërtetë e të Djathtës nuk janë njerëzit, por ideologjia dhe parimet kombëtariste. Njerëzit gabojnë, parimet nuk gabojnë dhe ne kemi përvojat e kombeve të tjera që kanë qenë të suksesshme pikërisht për këtë gjë, sepse ndoqën pikërisht këtë rrugë. Ka ardhur koha për një fillim të ri. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme dhe forcat e reja politike që do lindin, duhet të kuptojnë mirë se cilat janë rrugët e ndryshimit të vërtetë. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar, dhe të mbështetur në themelet e forta. këtë mund ta bëjmë vetëm duke ndërtuar një shoqëri që do të mbështetet në parimet e mëposhtme. 
Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb.
Së dyti, në një sistem politik demokratik, me një sistem zgjedhor proporcional por me shtrëngesa të forta ligjore që nuk lejojnë tepritë në sjelljen e politikanëve e që nuk pengojnë qeverisjen e mirë. 
Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj me shtrëngesa shembullore e drastike. 
Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar dhe ku sukseset dhe arritjet e njerëzve më të zotë, ndihmojnë në rritjen e zhvillimin e njerëzve të mirë. 
Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin shtetëror-kombëtar. 
Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore brenda llojit. 
Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë shqiptarët e qytetarët me aq sa i kemi mundësitë e kushtet. 
Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive që është baza dhe shtrëngesa kryesore mbi të keqen, shoqërinë dhe strukturat institucionale. 
Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. 
Së dhjeti, ndërtimi i një sistemi përfaqësues politik që të funksionojë për zgjedhjen e udhëheqësve që do të mbahen nën kontrolle të forta nga shoqëria e nga strukturat administrative institucionale. 
Sigal