Shembja e Teatrit/ PD padit në SPAK Ramën dhe Veliajn

57

Partia Demokratike këtë të martë ka dorëzuar në SPAK, pasinë për shembjen e Teatrit Kombëtar, veprim që e cilësojnë ‘të paligjshëm’.

Kjo është një padi e ngritur kundër kryeministrit Edi Rama, kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, nënkryetarit të Bashkisë, Arbjan Mazniku disa nënpunësve të bashkisë, kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe 5 inxhinerëve.

Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi në deklaratën e saj për mediat ka bërë me dije se në këtë padi janë përfshirë në padi kanë shkelur çdo ligj për të çuar përpara projektin e grabitjes së tokës publike të Teatrit dhe pas Teatrit.

Deklarata e plotë e mbajtur nga përfaqësuesit e PD:

Ne e dorëzuam padinë për shembjen e paligjshme të teatrit në SPAK, sepse besojmë se dikush duhet të shkojë në burg për krimin e kryer. Përveç shërbëtorëve që kanë hedhur firmat në vendime të paligjshme, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të ndëshkohen nga drejtësia, sepse kanë vepruar me Teatrin si një organizatë kriminale.

Ata kanë shkelur çdo ligj për të çuar përpara projektin e grabitjes së tokës publike të Teatrit dhe pas Teatrit. Një drejtësi e pavarur e ka shumë të thjeshtë të faktojë këtë të vërtetë dhe t’i vërë prangat Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Një vendimmarrje e tillë nuk është në kompetencën e këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ne kemi kërkuar nga prokuroria që të vendosë sekuestro preventive për truallin e kaluar në pronësi të bashkisë me vendim qeverie. Kjo do të ndalë çdo akt tjetër, si ndërtimin e një projekti të paligjshëm, ashtu edhe grabitjen e truallit për të ngritur atje kullat e oligarkëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Partia Demokratike e konsideron çështjen e shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar një provë për funksionimin e pavarur të SPAK-ut. Me apatinë e deritanishme, SPAK ka zhgënjyer këdo që ka besuar se ky institucion do të ndëshkojë qeveritarët e korruptuar dhe bandat e krimit të organizuar.

SPAK i ka aty të gjitha faktet. Mjafton që prokurorët të bëhen shërbëtorë të politikës dhe kjo çështje çon pas hekurave Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

Edi Rama në bashkëpunimin kriminal me Erion Veliajn ka zgjedhur vetë projektin fitues, pa hapur më parë garën për konkurs sipas përcaktimeve të Ligjit për Prokurimet Publike. Këtë e pohuan edhe pas shembjes barbare të Teatrit, siç e cilësoi Le Monde, apo pas vendimit me stil hitlerian, siç shkroi ‘derStandard’. Është Edi Rama që ka zgjedhur arkitektin Bjarke Ingels për këtë projekt që 1 vit e gjysëm përpara se kompania Fusha ta paguante atë, si projekt privat.

Nëse SPAK-u ka vullnet për të zbatuar ligjin, faktet janë të plota për ta ndëshkuar këtë korrupsion kriminal të Edi Ramës dhe Erion Veliajt me Teatrin Kombëtar.

Ligji për Prokurimin Publik e detyron qeverinë shqiptare të kryejë konkurs ndërkombëtar për projektin e Teatrit të ri. Por kryeministri ka shkelur ligjin duke eliminuar garën dhe duke diktuar vetë projektin dhe koston e lartë të tij, 30 milionë euro.

SPAK e ka për detyrë të ndalë jo vetëm grabitjen e truallit të teatrit dhe tokës publike, por edhe të 30 milionë eurove që do të merren borxh për të mbuluar pastrimin e parave të pista me projektin kriminal të Edi Ramës për teatrin dhe Kullat që do ta rrethojnë atë.

Në një kohë kur shqiptarët po vuajnë pasojat e keqqeverisjes nga Edi Rama, të ortakërisë së tij kriminale me një grusht njerëzish me të cilët po vjedh Shqipërinë, 30 milionë euro borxh janë një gur i rëndë edhe mbi shpinën e fëmijëve të prokurorëve të SPAK-ut.

Gjatë gjithë këtyre 22 viteve në politikë, në postet më të larta drejtuese si ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, Edi Rama ka patur si qëllim vetëm pasurimin e paligjshëm.

SPAK ka në dorë një çështje historike që ndan dy kohë. Koha kur drejtësinë e bën politika duhet të marrë fund me vendosjen e drejtësisë për Teatrin. Kjo është koha kur qeveritarët e korruptuar duhet të shkojnë në burg!