SHBA në Ballkanin Perëndimor/ Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi samitin ndërkombëtar. Rama: Reformat janë për shqiptarët

461
Sigal

Politika e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, në një takim ndërkombëtar, organizuar nga UMSH-së

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi dje në Tiranë një konferencë shkencore krejt të veçantë “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor”; me njohës të thellë të politikës së jashtme Amerikane dhe të rajonit të Ballkanit, vlerësues e kritikë të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit Evropian të Ballkanit perëndimor, me miq speciale e profesioniste karriere të politikës së jashtme Amerikane si Thomas A. Shannon,Jr.; Prof. Daniel Server; Prof. Miomir Zuzul; Kurt Thormahlen. Diplomatë, qeveritarë dhe analistë të njohur diskutuan mbi zhvillimet në Shqipëri e Kosovë dhe ndikimin e SHBA-ve dhe BE-së në rajon. Diplomatët amerikanë në Tiranë pohuan sot se Shqipëria po punon shumë për reformën në drejtësi, si edhe reforma zgjedhore u bë një projekt kombëtar që po ndiqet nga qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij. E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Lejla Moses-Ones tha se drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës të përbashkët. Ajo i bëri këto komente në konferencën “Politika e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar në Tiranë. Leyla Moses Ones: “Ekzistojnë vende të tjera që kërkojnë rrugë më të lehta përpara. Shqyrtojini kërkesat e tyre përpara se ti pranoni ato, do të zbuloni që për Rusinë, Kinën dhe Iranin Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet dhe më pas mund të flaket tej. Nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen. Me oligarkitë e korruptuara që janë të divorcuara nga interesi i njerëzve, të cilëve supozohet t’ju shërbejë qeveria. Kina ka vënë në zbatim diplomacinë shtrënguese të debitorit për blerë një ndikim që i pret fuqitë forcës ekonomike dhe dëmton autonominë politike të ashtuquajturve partnerëve të saj. Kremlini këmbëngul që të mos eksportojë asgjë tjetër përveç kaosit ndërsa kërkon të rikuperojë humbjet nga Lufta e Ftohtë. Irani ka shfrytëzuar praninë e tij diplomatike në Tiranë për të planifikuar shkatërrimin e kundërshtarëve të tij politikë duke kërkuar ti përgjigjet argumenteve të arsyes me burracakërinë e donatorëve të fshehur. Shqipëria ja ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje. Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse dhe Shqipëria ka treguar se nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur sërish dhe përsëri të mbajë qëndrime parimore. Shqipëria është tashmë një vend kandidat i BE-së – kjo nuk ka ndryshuar. Puna që po tashmë po vazhdon dhe ajo çfarë mbetet për t’u bërë nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar. Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë” – tha zonja Moses-Ones. Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe SHBA kanë një marrëdhënie të veçantë, dhe se Uashingtoni i ka mbështetur shqiptarët për afro një shekull, qysh nga fillesat e shtetit shqiptar. Reformat e Shqipërisë tha ai nuk bëhen për SHBA-të dhe BE-në, por për popullin shqiptar. “Ne nuk i bëjmë reformat as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as për Bashkimin Evropian. Nuk i kërkojmë nga vetja të gjitha këto ndryshime të domosdoshme dhe nuk jemi të angazhuar me aleatët tanë në këto procese të ndërlikuara, sepse na kërkohet nga ata, por sepse e kërkon destinacioni i ynë historik, që është krijimi i një hapësire shqiptare dhe në rastin konkret të Shqipërisë, të një shteti modern evropian me të gjitha standardet demokratike dhe me të gjitha institucionet funksionale” – tha ai. Folësit theksuan se si vitin tjetër Shqipëria pritet të marrë kryesimin e radhës së OSBE-së dhe se si, me mbështetjen e amerikane dhe evropiane do të angazhuar për të trajtuar çështje dhe kriza të mprehta, si lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përkrahjen e rolit të grave në zgjidhjen e konflikteve, rininë dhe kontrollin e armëve. Oratorët vlerësuan si parimore qëndrimet e Shqipërisë si për zhvillimet në rajon edhe më gjerë, duke shërbyer si një faktor paqeje dhe qëndrueshmërie. Konferenca “Politika e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor” bashkoi rreth një tryeze shumë studiues dhe figura të njohura të politikës, diplomacisë.