Shantazhi i votuesve/ Pas 6 muajsh, Yuri Kim “kujtohet” për patronazhistët

174
Sigal

Kur kanë kaluar plot 6 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim “kujtohet” për skandalin e mazhorancës me patronazhistët. 

Ambasadorja e SHBA kërkoi sot hetimin e këtij skandali. Kim thotë se Shqipëria duhet të garantojë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

“Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor. Ne i nxisim autoritetet të veprojnë sipas rekomandimit te mëposhtëm dhe rekomandimeve të tjera të OSBE/ODHIR në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. E drejta e qytetarëve për të votuar lirshëm – pa frikë apo presion apo joshje të paligjshme – është themelore për demokracinë“, shkruan Yuri Kim në rrjetet sociale.

Heshtja e Yuri Kim dhe ambasadës amerikane në momentin që shpërtheu skandali i nxjerrjes së të dhënave për mbi 900 mijë qytetarë, i shërbeu deformimit të votës dhe diktimit të sjelljes elektorale të qytetarëve. Por edhe suporti që Kim i dha Edi Ramës pas procesit elektoral të 25 prillit duke i njohur zgjedhjet si të rregullta dhe demokratike, shkon sërish në funksion të certifikimit të tjetërsimit të votës me vetëdije të plotë.

Edhe opozita iu bashkua heshtjes së Yuri Kim. Kryetari i PD, Lulzim Basha do të deklaronte në studiot televizive, sa herë pyetej për këtë çështje, se kjo është tendencë për të demotivuar votuesit e PD dhe të opozitës në tërësi. Pas masakrës elektorale, Lulzim Basha sërish nuk e ngriti zërin për deformimin e votës përmes shantazheve dhe metodave majtiste të presionit. Nuk e ngriti zërin për asnjë moment dhe as bëri përpjekjen më të vogël për të mbrojtur votuesit e vet, ndërsa u mjaftua vetëm me një padi në SPAK, sa për t’i hedhur hi syve popullit opozitar.

Mesa duket, Yuri Kim reagoi vetëm sot për skandalin e patronazhistëve dhe kjo jo pa qëllim, pasi duket qartë se mazhoranca ka marrë në patronazh Lulzim Bashën. Dhe jo vetëm e kontrollojnë, por edhe kujdesen dhe e mbrojnë në mediat e tyre.

Megjithatë, skandali i patronazhistëve nuk mund të kalojnë në heshtje pasi deformimin e votës dhe përndjekjen e mijëra qytetarëve, nuk ka çmim që e blen.

Në database, përmbajtja e të cilit përbën vepër penale, janë të dhënat për 910 mijë qytetarë të Tiranës të cilët nuk i kanë dorëzuar me vullnetin e tyre informacionet për Partinë Socialiste, por ato i janë vjedhur secilit prej nesh, që nga numrat e telefonit, numri ID i kartës së identitetit apo vendi i punës etj, të shpërndarë në kompjuterat e selisë së PS të Tiranës.