Azis Gjergji: Ahmet Zogu, deputeti që falsifikoi moshën për pesë vjet

708
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri 100 vjet më parë

– Sipas Nenit 23 të “Ligjit për Zgjedhjet”, kandidatët për deputetë në Këshillin Kombëtar duhej të kishin mbushur moshën 30 vjeç

-Ndërkohë kur Ahmet Bej Zogolli sapo kishte  mbushur 25 vjeç

– Ahmet Bej arriti ta falsifikonte datën e lindjes nga 8 tetori i vitit 1895 më 8 tetor 1890

Zgjedhejt e para parlamentare për deputetë në Këshillin Kombëtar [Kuvendi i Shqipërisë], i cili i filloi punimet më 21 prill 1921, u zhvilluan ditën e shtunë, më 5 mars 1921. Ligji i zgjedhjeve për deputetë në Këshillin Kombëtar ishte hartuar nga qeveria e Iljaz bej Vrionit më 5 dhjetor 1920 dhe miratuar nga Këshilli i Naltë më 14 dhjetor 1920. Fushata zgjedhore u zhvillua me shumë parregullsi dokumentesh në të gjitha prefekturat e Shqipërisë, por lufta më e ashpër elektorale u shënua në nënprefekturën e Matit, ku hodhi kandidaturën për deputet ish-ministri i Punëve të Brendshme të Qeverisë së dorëhequr të Sulejman bej Delvinës, Ahmet bej Zogolli.

Sipas Nenit 23 të “Ligjit për Zgjedhjet”, kandidatët për deputetë në Këshillin Kombëtar duhej të kishin mbushur moshën 30 vjeç, ndërkohë kur Ahmet Bej Zogolli sapo kishte  mbushur 25 vjeç. (AQSH, Fondi: 252, viti 1920, dosja 54, fl. 45-77: “Ligjit për Zgjedhjet”, hartuar nga Këshilli i Ministrave, dt.05.12.1920 dhe miratuar nga Këshilli i Naltë, dt.14.12.1920; Kaliopi Naska, Këshilli Kombëtar 1920, Tiranë: Drejtoria e Përgj. e Arkivave të Shtetit Shqiptar, 2000, f. 175)

Për të hyrë në listën zgjedhore, 25-vjeçari Ahmet Bej arriti ta falsifikonte datën e lindjes nga 8 tetori i vitit 1895 më 8 tetor 1890. Një dëshmitar matjan i ngjarjes e ka përshkruar historinë e zgjedhjes së Ahmet Zogut deputet në gazetën “Bashkimi” të datës 15 nëntor 1945,  firmosur me pseudonimin “Ushtima e Bushtrojës”. Ndër të tjera  ai shkruan:

Meqë Mati kishte popullsi prej 40.000 frymësh, sipas ligjit, kishte të drejtë me zgjedhë 3 deputetë. Zogu, për t’i zanë këto tri vende paraqiti kandidaturën e tij dhe të dy shokëve: Dr. Syrja Pojanit e Bajram Fevziut. Zogu arriti ta bëjë për vete nënprefektin e Matit, Neki bej Starovën dhe çertifikata e lindjes së tij u korigjua… Në krahinat e Ranxës, Stragjut e Qendrës u shfaqën kundra saj. Kështu lindi një grup tjetër kundërshtarësh… i primë prej Kurt Agë Kadiut, Xhemal Veliut, Rexhep Kërtukës, Riza Çelës, Pjetër Ndue Mardoçit [Mark Doçit] e të tjerë. [Ky grup] në vend të Ahmet Zogut e shokëve të tij paraqiti një listë tjetër si kandidaturë për Matin, siç ishin:Zija Dibra, Ramiz Daci e Azis Pilafi. Fushata midis këtyre dy grupeve u ba shumë e ashpër…

Grupi kundërshtar i paraqiti Komisionit të Zgjedhjeve një kërkesë, me të cilën kundërshtonte daljen e Zogut deputet, përse nuk kishte mbërritë moshën ligjore që kërkonte ligja e zgjedhjeve. Kjo ishte një armë që fikte shpresat e fitimit të Zogut. Atëherë u kërkua ndihma e Ministrisë së Punëve të Brendshme, titullar i të cilës ishte Mehdi Beu [Frashëri, dhëndërr i hallës së Ahmet bej Zogollit, Hedije Biçakçiut]. Ky ndërhyri menjëherë në favor të Zogut dhe grupit të tij. Puna e parë që bani qe burgimi i paligjshëm i mësuesit patriot Shyqyri Sali Koçit, që ishte kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, për shkak se ky nuk e kishte pranue kërkesën e Zogut për korrigjim moshe, meqë kishte kalue afati. Mandej u vu në lëvizje gjindarmëria dhe organe të tjera bashibozuke për të shtypur vullnetin e lirë të popullit…

Kështu, deshtë pa deshtë, nji pjesë e popullit, e trembun nga masat e padrejta, votoi; nji pjesë tjetër e madhe abstenoi dhe nji pjesë i muer votat me dhelpni, me mashtrime, se gjoja do të votonte për grupin kundërshtar të katundarëve, kurse në të vërtetë votat hidheshin në arkën e Zogut, dr. Syrjas e Bajram Fevziut. Do theksue në këtë rast se, kur Zogu erdhi në fuqi si ministër e kryeministër, ay nuk i harroi kundërshtarët e tij të vjetit 1921: Kurt Agë Kadiun, Xhemal Veliun, Rexhep Kërtukën, Pjetër Mardoçin [Mark Doçin] e Shyqyri Sali Koçin, të cilët i vrau me armën e gjindarmërisë së vendit, komandue prej veglës së tij, H. S. (Gazeta “Bashkimi”, viti II, nr. 273, 15 nëntor 1945: Ushtima e Bushtrojës: “Ahmet Zogu në zgjedhjet e vitit 1921”, f. 3; H. Kadiu, Historia e familjes Kadiu…, f. 33–40: “Xhemal Veliu (Barhidri) ishte xhaxhai i Beqir Valterit (Barhidri), i cili i bëri atentat Ahmet Zogut përpara shkallëve të godinës së Asamblesë Kushtetuese, më 23 janar 1924, për të marrë hakun e tij. Babai i Beqir Valterit, Bajram Veliu (Barhidri) fillimisht kishte qenë prozogist, por pas vrasjes së të vëllait, Xhemalit, si të gjithë Barhidrët e tjerë, ishte radhitur kundër Zogollëve)

Vrasjet e pesë aktivistëve të grupimit kundërshtar të kandidatit 30-vjeçar me moshë të falsifikuar u kryen kur Ahmet Zogu mori frenat e shtetit shqiptar në dorë dhe e përdori fuqinë e tij për të frikësuar këdo që do të kundërshtonte vendosjen e diktaturës së tij personale. Një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë politikë të tij në këtë kohë, Sejfi Vllamasi pohon:

“Zogu ka qenë një tip realist, për të cilin si ndjenja ashtu edhe ana morale e çështjes s’ka pasur kuptim. Shoqëria, miqësia dhe intimiteti kishin një farë vlere për të kur këto i shërbenin interesit të tij. Ai vrasjen e pranonte si një mjet jo të keq kur shtrëngohej ta përdorte atë kundër rivalëve të rrezikshëm që pengonin qëllimet e tij. Këtë mjet më vonë e ka përdorur edhe kundër patriotëve, kur me eliminimin e tyre ka shpresuar fitime të mëdha për veten e tij.” (S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, f. 313)

Jeta e hershme

Ahmet Zogolli u lind në fshatin Burgajet të Matit. Si datë e lindjes është dhënë 8 tetori, kurse si vit i lindjes janë dhënë 3 vite të ndryshme: 1891, 1895 ose 1898. Zogu konsideronte të saktë datën 8 tetor 1895. Qe djali i dytë i Xhemal pashë Zogollit, dhe djali i parë nga gruaja e dytë e Xhemalit, Sadije hanëm Toptani. Nga lisi i gjakut rrjedhte nga oxhaku i derebejve të Matit.Nga ana e nënës vinte nga Toptanët e Pishës, degë e Toptanve, bejlerët e plotfuqishëm të Krujës dhe Tiranës.

Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësuesit privatë Hysen efendi Çeka nga Elbasani për gjuhën shqipe dhe nga Hafiz Muharremi nga Dibra për gjuhën turke, deri në moshën 13 vjeçare. Më 1903, u largua për në Stamboll me vetëm një shoqërues, Lalë Krosin, dhe filloi studimet në “Numenu Tereki”, e më pas vazhdoi shkollën e oficerëve. Pasi u gradua oficer, ndoqi dhe kreu gjithashtu liceun francez Gallatasaraj në kryeqytetin perandorak. Qëndroi në Stamboll deri në fund të pranverës të vitit 1912, kur mësimet shkollore u mbyllën për pushimet verore.Kur u kthye në vendlindje, më 17 gusht 1912, mënjanoi me ngadalë vëllain, Xhelal beun, dhe i siguroi vetes parësinë e krahinës së Matit duke marrë titullin Myhtar.