Sezoni i vjeshtës politike/ Ja dritë-hijet e ndryshimeve të pritshme në qeveri, betejat që po vijnë në Kuvend dhe 2 skenarët e pritshëm brenda “Rithemelimit”

51
Sigal

 

Ndryshimet më shumë gjasa pritet të ndodhin tek zëvendësministrat mund të shtohen, disa promovohen në detyra më larta dhe të tjerë që do “zbrazen” në llogoren socialiste për t’u përgatitur për zgjedhjet që po vinë.

Në mbledhjet e fundit të Këshillit të Ministrave po marrin pjesë edhe zëvendës ministrat. Këta të fundit, u “testuan” kur u bënë për “Ujë të Ftohtë” në Tepelenë ku kryeministri i mblodhi të gjithë “tok”. Adhuruesi i “indiferencës” nuk foli shumë pas këtij takimi por tha se ka ardhur koha për inteligjencën artificiale në qeverisje mbase i zhgënjyer nga inteligjencat humane të atyre të cilët i ka mbajtur shumë pranë vetes. Në fund të shtatorit 2023 qeverisja “Rama 3” mbush gati dy vite. Qeverisja e gjatë e tij ka mundur të përballoj opozitën politike shqiptare. Por në këto dy vite, ai nuk e mendonte se opozita më e fortë do t’i vinte nga SPAK dhe mediat e ndryshme, gazetarët dhe individët që denoncojnë me breshëri thuajse çdo ditë të vërteta dhe të pavërteta, të cilat janë aq të shpeshta sa zëri i kundër reagimit nuk po i dëgjohet më masivisht. Në këto dy vite, Rama i tretë nuk është se ka bërë shumë ndryshime në qeverisje apo parti. Ai e di mirë se ndryshimet e shpeshta i ulin imazhin profesionalizmit që predikon dhe shpesh është gjendur i detyruar të shkarkoj njerëzit e tij që i ka quajtur të suksesshëm, por thjesht sa për fjalim të ngrohtë përcjellje. Arsyet e shkarkimeve të ministrave në fakt nuk motivohen duke mos dhënë arsye bindëse për publikun se përse po i heq këta njerëz të suksesshëm për të dikur. Ajo që është parë si në rastin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, në korrikun e 2022 apo edhe shkarkimi i ministrit të brendshëm Çuçi në korrik të 2023 bëhet prej tij me lëvdata madje dhe falënderohen por nuk jepen arsyet se përse hiqen. Mbase ngaqë korriku i urimeve të datëlindjes së tij duhet t’i kthej reston, korrikut të shkarkimeve të bëra prej tij. Deri këtu gjithçka është “fair”.

Këtë fundjavë pritet fillimisht të mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste. Zgjedhjet në Kukës duket se do të jenë pjesë mbledhjes së kryesisë “hermetike” a thua se aty zhvillohen debate dhe përleshje që njerëzit nuk duhet t’i marrin vesh. Përshtypja që krijohet nga rutina e mbajtjes së këtyre mbledhjeve është ajo e një njeriu që vetëm pyet, bën ndonjë batutë humori dhe flet. Diskutimet thuajse mungojnë edhe pse gazetarët përpiqen të nxjerrin ndonjë fragment “llogaridhënie” që shiten si diskutime të zjarrta në sofrën e memecëve ku vetëm një drejton.  Pas kësaj, të hënën e 4 shtatorit 2023 pasi të jenë kthyer nga parlamenti socialistët kanë njoftuar se në orën 16:30 ose 17:00 do të zhvillojnë punimet e Asamblesë. Për të dytën herë brenda dy muajve do të thirret Asambleja Socialiste. Kjo mbledhje e jashtëzakonshme pritet të sjell fjalimin kilometrik të kryeministrit dhe emrat e rinj në qeverisje që do të vijnë si propozime të kryeministrit, emrat e rinj të sekretariatit që dihet se nga vijnë por do thuhet se vijnë nga kryesia dhe padyshim ca duartrokitje dhe batuta kundër partive të tjera. Diskutime??? Do të thuhet se PO pati diskutime dhe duartrokitje…

Qeveria e re që pritet të konfigurohet do të ketë edhe ca ndryshime strukturore të ministrive që do të ndahen a bashkohen pra krijim i ministrive të reja. Një ministri për të rinjtë dhe fëmijët, ku vendi po plaket dhe përballet me largimet si dhe me numrat në rënie të lindjeve duket luks… por ai “E” di.  Pas satelitëve dhe shërbimeve elektronike, inteligjenca artificiale do të jetë sfidë për qeverisjen e re që nëpër foltore të mos kemi dalje me fotografi të tipit “kjo pika e vockël këtu”. Duhen ministra me update të versionit më të ri. Ndryshimet më shumë gjasa pritet të ndodhin tek zëvendësministrat mund të shtohen, disa promovohen në detyra më larta dhe të tjerë që do “zbrazen” në llogoren socialiste për t’u përgatitur për zgjedhjet që po vinë. Pas zgjedhjeve vendore të 2023, për socialistët, shuplakat nuk janë më 1 milion. Ata që do të bien si yje të pashuar indirekt kuptohet se janë të parët që do të marrin tashmë jo shuplaka, por goditje poshtë brezi nga SPAKU mistrec.

Vite larg, në vitin 2018 Rama largoi nga qeveria gati gjysmën e ministrave të qeverisë së tij. I quajtur shpesh si lunatik, varet sesi zgjohet, ai nuk i ka bërë kurrë gjërat ashtu siç mediat paraprijnë në kazanin e tyre madje as ashtu siç ai i ka menduar. Surprizat tërheqin vëmendje dhe ndjekës në kanalin ERTV tashmë ER e vetmja media që për të nuk është kazan. Pas Asamblesë socialistët do të thërrasin kongresin që vjen menjëherë pas zgjedhjeve të Kukësit. Sekretariati i shkarkuar në mënyrë të beftë do ti duhet të plotësohet. Gjithë këto ndryshime do të ofrohen si “një forcë e re shtytëse për partinë socialiste për të ecur përpara”, të gjithë të tjerët mbeten pas… edhe SPAK që rend pas tyre…

Askush nuk e mohon brenda Partisë Socialiste situatën e vështirë sa herë që vihen në pikëpyetje vendimet që ka marrë qeveria ku pavarësisht se kryeministri njëherësh edhe kryetari i partisë shprehet se nuk mban përgjegjësi juridike dhe personale për çfarë bëjnë ministrat politikë të zgjedhur nga ai, duket se ai me këtë formë përgjigjeje fsheh përgjegjësinë politike. Dhe ai e di se kjo e shqetëson më shumë. Në 2013, Rama erdhi në pushtet me betimin se do të ç’rrënjoste korrupsionin në këtë vend, por 10 vite më vonë aferat më të mëdha korruptive u duken tek njerëzit që ai kishte nën varësi qoftë ekzekutive apo politike. Krahu i djathtë i tij, ish-zëvendëskryeministri është sot është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. / Fatjon Kaloci