Sekretari i Përgjithshëm i PS/ Blendi Klosi: Çdo garë po e fitojmë më thellë nga e mëparshmja, organizimi i partisë e çon vendin në fitore

5
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha gjatë një dalje televizive se nuk është vetëm përçarja e opozitës ajo që po i çon socialistët në fitore në zgjedhje, por edhe forca dhe organizimi shumë i mirë i partisë ku ai merr pjesë. Për Klosin, nuk ka asnjë arsye se përse Rama duhet të largohet nga drejtimi i vendit dhe i PS, teksa shtoi se kryeministri e ka bërë të qartë se do të ikë kur të mos e votojnë më shqiptarët. “Edi Rama e ka thënë që do iki kur të mos më votojnë shqiptarët. As i shkon në mendje të japë dorëheqjen. Ne po shkojmë në fitoren e 7 nga 8 gara të realizuara, një prej të cilave e vjedhur. Çdo garë po e fitojmë më thellë nga e mëparshmja. PD nuk i merr dot aq bashki sa gishtat e duarve dhe kjo për shkak të punës së PS. Ne jemi të fortë dhe jemi fitues. Opozita do që të fitojë”, -tha Klosi. Sekretari i Përgjithshëm i PS komentoi në A2 dhe debatet që lindën nga ana e opozitës në seancën e së hënës se nuk pati një debat për emrat e ministrave të rinj në Kuvend, për të cilin tha se është i kotë pasi asnjë dekret i presidentit nuk është në sallën e Kuvendit, por thjesht është hedhur në votim. Duke komentuar votën kundër shkarkimit të deputetit Erion Braçe për votimin e shkarkimit të Olta Xhaçkës, Klosi tha se mund të ketë qenë një gabim i teknikës. “Mendoj që do të ketë qenë një gabim i teknikës. Nuk besoj se ka qenë një vullnet i z. Braçe dhe mendoj që ka qenë thjesht një moment teknik, nuk ka pse të ishte kundër. Nuk shpreh asgjë një votë, kur qartazi edhe vetë znj. Xhaçka votoi për shkarkimin e saj. Megjithatë padyshim i takon z. Braçe për ta komentuar, vota e gjithsecilit është individuale, pasi z. Braçe nuk është nga ata që në qoftë se do të kishte një qëndrim politik, nuk do ta kishte thënë atë qëndrim. Por mendoj fort që ka qenë një problem teknik.” – tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi.