Saranda, bastioni nga do të nisë “anti rilindja, kryebashkiakja Koka nën hetim për trojet e Ksamilit, taksat dhe emërimet

569
Sigal

Kryebashkiakja e Sarandës Florjana Koka, “koka” e lëvizjes së re “Anti-Rilindje”, braktis punët hedh në veprim gjithë zyrtarët e bashkisë

 

Në 5 rrethet e jugut, 1500 socialistë rreshtohen në “Rilindjen” e Koço Kokëdhimës,

 

Përparim HALILI

 

 Deklaratat e ish-deputetit Koço Kokëdhima, se do të krijonte një “lëvizje të re” politike brenda Partisë Socialiste, bërë publikisht në një emision televiziv nuk janë “llafe”, siç u shpreh ministri Tahiri një prej kundërshtarëve të tij më të fortë, por duket se deklarata e ish-deputetit socialist është një realitet që po vepron me shpejtësi në terrenin socialist, së fundi edhe hapur. Edhe pse e shpalli vetëm dy ditë më parë projektin dhe synimin për “rilindjen” e vërtetë të PS, ish-deputeti Koço Kokëdhima, tashmë pa asnjë pozicion zyrtar politik në “listën” e Ramës as në zonën e Vlorës ku ka qenë deputet, në fakt ka punuar prej kohësh, për të nisur këtë lëvizje të re brenda strukturave të PS në bazën socialiste, paçka se “grupi i të rinjve” në kupolën e PS e ka sulmuar aktivisht e egërsisht edhe me stërkëmbësha. Dhe ka arritur ta nxjerr “de facto” jashtë “byrosë politike” të kësaj partie, duke krijuar edhe një distancim të manifestuar publikisht prej Ramës, që duket haptazi e qartazi se është me ata që ka ministra e deputetë dhe jo me (ish)mikun e tij… Burime të “Telegraf” nga disa zona të jugut të Shqipërisë, shumica prej anëtarëve të shtabit politik “Kokëdhima”, thonë se prej 3 muajsh në rrethet Vlorë, Sarandë, Tepelenë, Përmet e Gjirokastër ka nisur një lëvizje e re brenda strukturave të PS nën drejtimin e Koço Kokëdhimës. Siç shprehen burimet, lëvizja “Kokëdhima” nuk ka synim “kokën” e Ramës, por postimin dhe largimin e atyre që ai ka mbledhur rreth vetes e që i ka veshur me pushtet absolut në parti dhe qeveri. Ata që i janë bashkuar lëvizjes së brenda PS, thonë se synimi nuk është shkatërrimi, por “rikthimi i PS së vërtetë me socialistët e vërtetë në krye e në bazë”. Siç shprehen burimet brenda kësaj lëvizjeje në Tepelenë, objektiv final është shpëtimi i PS prej “rilindësve” që ka mbledhur Rama, ku bëjnë pjesë ministra e deputetë të organizuar në një “çetë” që po shkatërron PS dhe prej afro 4 vitesh po “bën ligjin” në krye të PS e në qeveri, deri në atë shfrenim, sa e kanë katandisur PS në “dordolec” politik, në logo dhe veprimtari faktike korrupsioni, si qeverisje. Sipas pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje të re, nuk synohet dalje nga PS, por betejë brenda saj kundër “rilindësve” që nuk e kanë rilindur, por e kanë “vdekur” këtë parti, duke ia marrë shpirtin “çika-çika”! Baza e kësaj lëvizjeje ka lindur në Sarandë dhe është shpërndarë  në krejt jugun në Vlorë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë e Përmet. Selia e kësaj lëvizjeje është në bashkinë e Sarandës dhe “koka” e lëvizjeje në këtë rreth është Kryetarja e Bashkisë, Floriana Koka e cila ka shpërndarë një “trakt ilegal” me thirrjen për veprim kundër grupit të “rilindësve” të krye-rilindësit Edi Rama. Siç dihet, zonja Koka është hipur në kolltukun e kryebashkiakes së Sarandës jo si potencial intelektual, apo si “socialiste e përkushtuar”, por si preferencë e Koço Kokëdhimës, i cili duhet thënë se grumbulloi votat e socialistëve të zonës për ta graduar kryebashkiake. Kjo lëvizje kundër “rilindësve” që po shkatërrojnë PS duke e larguar nga fizionomia dhe ideali i saj real politik si parti e majtë, është shpërndarë në krejt zonën e jugut, duke pasur si model veprimtarinë e kryebashkiakes së Sarandës e cila po shton anëtarët e kësaj lëvizjeje me premtime për vende pune, me dhënie licencash, me dhënie trojesh publike me qira me vlerë sa “1 lëpirëse”, me lejim ndërtimesh pa leje e me leje anti-ligjore, me pagesa sociale fiktive për ata që janë në emigracion dhe shumë premtime të tjera. Sipas informacionit, vetëm në rrethet Sarandë, Delvinë, Tepelenë, Gjirokastër e Përmet, lëvizjes “Kokëdhima” si pas modelit “Koka” i janë bashkuar 1500 socialistë, ndërkohë që gjithë administrata e Bashkisë së Sarandës është kthyer në “shtab drejtues” të lëvizjes në këtë rreth, me në krye kryetaren e bashkisë dhe administratorët e ish-komunave që janë të emëruarit dhe të besuarit e saj!

Skandali i konsorciumit mafioz që tentoi të fuste në veprim kryebashkiakja e Sarandës në dhjetor 2015

 

A do të dështojë kryebashkiakja Koka edhe me lëvizjen “anti-rilindje” në Sarandë, siç dështoi me projekt-biznesin korruptim Vlorë-Gjirokastër?

 

Vetëm 5 muaj pasi kishte hipur në kolltukun e falur të kryebashkiakes së Sarandës, kryetarja Florina Koka, paraqiti për votim në Këshillin Bashkiak një projekt biznesi totalisht të dyshimtë e anonim, maskuar pas termit “konsorcium privat”, që binte “erë” aferë korruptive! Ky skandal që u tentua të mbahej i fshehtë nga “Mon Kukaleshët” dhe “Sillot” me lojëra kredie financiare brenda e jashtë Shqipërisë, u zbulua në 30 dhjetor 2015! Ky projekt-biznes i paraqitur prej kryebashkiakes Koka, nuk parashikonte se cilat ishin palët e krijimit të këtij konsorciumi dhe as baza ligjore mbi të cilën do të mbështetej dhe do të zhvillonte veprimtarinë ekonomike-financiare, por ishte vetëm një letër e cila, sipas kryebashkiakes Koka duhej votuar “qorrazi” me… “urdhër nga lart”! Projekti përcaktonte vetëm një gjë: ndarja e aksioneve do të ishte 30% bashkiak dhe 70% për kompanitë private, por nuk dihej se cilat ishin kompanitë private, mbasi ato do të vendoste kryebashkiakja me vendim administrativ! Edhe pse kryebashkiakja Koka garantoi votat “PRO” të këshilltarëve socialistë, duke ua paraqitur këtë konsorcium 30% të saj, si biznes të Edi Ramës, Këshilli Bashkia e rrëzoi me shumicë votash! Kujtojmë, që ky projekt biznesi mafioz, ishte një konsorcium që do zhvillohej në qarqet Vlorë-Gjirokastër, ku përfshiheshin rrethet Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, me qendër në Bashkinë e Sarandës, tamam në këto rrethe ku ka nisur dhe po zhvillohet edhe lëvizja “Kokëdhima” kundër “rilindjes” së modelit Rama, e cila edhe kjo e ka qendrën po në Bashkinë e Sarandës dhe drejtuese zonale ka po kryebashkiaken e Sarandës, zonjën Floriana Koka. Dokumenti i paraqitur nuk parashikonte se cilat ishin palët e krijimit të këtij Konsorciumi apo dhe baza ligjore mbi të cilën do të mbështetej dhe do të zhvillonte veprimtarinë. Projekti përcaktonte vetëm se ndarja e aksioneve do të ishte 30 përqind publik dhe 70 përqind do i takonte kompanive private që do të bëheshin pjesëmarrëse, por edhe në këtë rast për shpjeguar se cilat do të ishin këto kompani.

Për çfarë firmosjesh, i bënte presion kryetarja e Bashkisë Sarandë

 

Prokuroria të zbardhë dosjen e shkarkimit të administratorit të Ksamilit, të drejtorit të taksave dhe të inxhinierit urbanist

 

Katër muaj më parë, u shkarkua nga detyra, drejtuesi njësisë administrative të Ksamilit. Kryetarja deklaroi se ka bërë shkelje në detyrë. I shkarkuari Florian Sali, deklaroi se kishte bërë dorëheqjen nga detyra që në muajin qershor 2016, për shkak se kryetarja e Bashkisë së Sarandës Florian Koka, pra shefja e tij “fuqiplote” i kishte “lodhur kokën” duke i kërkuar të shkelte ligjin “për ca punë që ajo kishte interes privat”. Burime nga administrata e Bashkisë së Sarandës dhe nga Njësia Administrative e Ksamilit, na bëjnë me dije, se shkarkimi ishte një akt formal i kryetares Koka, për të “larë duart” përpara ligjit dhe opinionit, duke ia lënë përgjegjësinë administratorit. faktikisht në prokurori ka një dosje të skeduar “Florian Koka” për shkaqet e këtij shkarkimi dhe për fakte të tjera abuzive të saj me detyrën dhe fondet publike, sidomos me punësimet klienteliste, fiktive dhe me listë-pagesat sociale! Pyetja shtrohet kështu: A ka nisur  prokuroria hetimin për zbardhjen e motiveve të vërteta, të shkarkimit të administratorit të Ksamilit, zotit Florian Sali, prej kryetares së Bashkisë Sarandë, zonjës Floriana Koka? përse e braktisi detyrën drejtori i taksave të bashkisë dhe cilët e “bindën” të rikthehej përsëri në detyrë e të vazhdoj të zbatoj pa asnjë refuzim urdhrat e kryetares Koka? A ka pasur fonde investimesh Ksamili dhe a ka “letra”, sikur këto fonde janë investuar, kur në fakt nuk është vendosur asnjë llambë ndriçimi? Për çfarë motivesh dha dorëheqje edhe një inxhinier nga kjo njësi administrative dhe si u arrit që të tërhiqte dorëheqjen, të mbyllte gojën e të emërohej në zyrat qendrore në Bashkinë e Sarandës me vendim të posaçëm të kryetares Koka?