Sa do të paguajmë më shumë për projektin “1 Miliard”

564
Sherefedin SHEHU

Besoj se të gjithë e pranojmë që me projektin më të “suksesshëm”, të pagëzuar me një emër shokues “1 Miliardë Euro”, biznesi privat do t’i japë kësaj qeverie 1 miliardë euro borxh gjatë 2-3 viteve të ardhshme dhe qeveritë që do të vijnë pas saj le të vrasin veten. Pra, kjo qeveri po i “stabilizon” sot financat në letër, ndërsa nesër kur ajo të ketë ikur, le të destabilizohen. Kjo është filozofi e njohur për të majtët: “Apres nous, le deluge” (Pas nesh, le të bëhet hataja). Që do të jetë borxh nuk e vë kush në dyshim. Por sa do të paguajmë për këtë borxh?

a – Në faturën që bizneset do t’i bëjnë qeverisë do të shtojnë fitimin e investimit në projektet publike “veresie” për 15 vjet, si edhe koston e kredisë që do të marrin në banka, sepse nuk besoj se ato kanë kaq shumë para të thata në “jastëk”.

b – Po të supozojmë një interes minimal 10% për kredinë (8% është sot interesi për obligacionet 7-vjeçare) atëherë për pagimin e saj biznesi duhet të fitojë të paktën 15%. Kështu kosto mesatare e kapitalit (kredi+para të veta) do të jetë minimalisht 12%.

c – Me të dhënat e mësipërme mund të themi se qeveria do të marrë sot nga biznesi një kredi për 13 vjet (shlyerja fillon pas dy vjetësh) me një kosto minimale vjetore 12%.

d – Një kredi 13-vjeçare me 12% interes që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie” sot do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfish. Pra fatura e projekteve të ndërtuara “veresie” nga biznesi është dy here më e madhe se sa kostoja e tyre.

e – Meqenëse dikush mund të thotë se edhe qeveria do të merrte kredi për këto projekte duhet të konsiderojmë që kostoja e kredive që merr qeveria është nën 5%. Dhe në këtë rast përsëri nuk do të paguanim 2.2 lekë, por vetëm 1.2 lekë për çdo lek të investuar nga vetë Qeveria.

f – Në fund na del që Fatura që bizneset e ndershme do t’i bëjnë qeverisë do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ndërsa eksperienca tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike kjo faturë shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve.
Sigal