Rusia dhe Ukraina në pragun e luftës me gjysmë milioni trupa në lëvizje

234
Sigal

Vladimir Putin mund të ketë urdhëruar deri në gjysmë milionë trupa në kufirin ukrainas ndërsa frika rreth një lufte të mundshme në Evropë po rritet.

Siç shkruan Mirror, një analist veteran paralajmëroi se vendi është në “pragun e luftës” falë “mobilizimit total” në një nivel që nuk është parë për gati 50 vjet, në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Madje, po sipas medias britanike, “Rusia është e gatshme të shkojë në luftë me SHBA-në nëse ndërhyn, me gjithë thirrjen e Joe Biden për qetësi”.

Bëhet e ditur se sot marina ruse filloi stërvitjet në Detin e Zi në një shfaqje të forcës përpara ardhjes së dy anijeve luftarake të SHBA-së në rajon.

Ndërkohë thuhet më tej, pamjet e reja gjithashtu treguan Flotën e Detit të Zi të Rusisë në manovra – ndërsa Ukraina zhvilloi gjithashtu stërvitje detare pranë Krimesë.

Kjo vjen ndërsa një analist veteran i pavarur i mbrojtjes ruse Pavel Felgenhauer ka pohuar se Putini mund të ketë urdhëruar lëvizjen e “më shumë se gjysmë milioni” trupave që përfshijnë forca nga Paqësori në Baltik.

I pyetur në radio Ekho Moscow nëse Rusia ishte “në pragun e luftës”, ai u përgjigj: “Praktikisht, jemi”.

Ai tha: “Po ndodh një mobilizim i paparë i forcave të armatosura ruse”.

“Të gjitha forcat e armatosura. Kjo nuk ka ndodhur që nga viti 1973. Mobilizimi total. Të gjitha forcat e armatosura”.