Sigal

Fjala e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj në takimin me LRI-në e Selenicës.

Kjo është një zonë me njerëz shumë të mençur, por është zonë nga më të varfrat, se po braktiset, sepse politikat që po bëhen këtu, kryesisht nga ajo që quhet Rilindje dhe që ne e kemi thënë disa herë duke qenë të majtë, që nuk i ngatërrojmë socialistët me Rilindjen, nuk kanë lidhje socialistët me Rilindjen. Rilindja është një kastë që i ka kapur socialistët, ka  shfrytëzuar ndoshta në një moment dobësie edhe tonën, socialistët për të bërë atë që po bën sot. Sot ne po korrim të gjithë atë synim që pati Rilindja për të kapur kokën e së majtës, edhe për ta shfrytëzuar. Çfarë do të thotë? Do të thotë që përqendrimi i të gjithë Buxhetit të Shtetit në duar, në ato që quhej Partneritet Publik Privat (PPP), 5 njerëz po marrin të gjithë pasurinë e shtetit.

Po ju dhe familjet tuaja nuk doni të hani? Çfarë ishte ajo që ndodhi në zgjedhjet, qoftë edhe në fshatin tim ku u premtuan 40 vende pune për të marrë votat dhe tani po i heqin nga puna. Nuk është politikë kjo dhe ju keni zgjedhur të qëndroni në këtë zonë, e cila me të gjitha vështirësitë që ka, është një zonë që na bën të gjithëve krenar, se është vendlindja jonë në radhë të parë. Por të kesh kaq pasuri sa të shtroni edhe rrugën e Francës, siç flitet edhe për minierën e Selenicës, e të mos shtrosh rrugët e tua, ky është një problem i madh. Gjithë kjo pasuri që po e rrëmbejnë pesë njerëz dhe unë bëra një shkrim shumë të thjeshtë kundër ish-ministres Nikolla, e cila shkoi në Vllain dhe i thoshte xhaxhait që i donte ID-të e kartave të nxënësve, sepse në këtë mënyrë do të bëhej investim për zonën. Një marri e jashtëzakonshme, çmenduri!

Ai xhaxhai nuk kishte fare lidhje dhe me fëmijët. Ai shkoi kot aty për të dëgjuar. Kjo zonë ka nevojë për gjëra të thjeshta. Ka nevojë për rrugët që të asfaltohen që nuk janë, ka nevojë për ujin e pijshëm që për të gjithë ata fshatra, për të cilat ajo fliste nuk kanë ujë. Pra duan ujin, duan rrugën, duan lehtësim, duan arsim. Pse nuk fol për furgonët ai? E di çdo të thotë të shkosh në shkollën e mesme nga një fshat në tjetrin? Të shkojë fëmija pa një furgon? Këto janë gjëra shumë të thjeshta. Këto janë gjëra jetime.

Por ka nevojë për të grumbulluar ato prodhimet. Këto i nevojiten kësaj zone. Nuk i duhen fasadat. Në Brataj investohet për të bërë qendrën, në kuadrin e “100 fshatrave”. Bëhet qendra e Bratajt, me disa fonde nga Ministria e Kulturës. Shumë mirë. Nuk jemi ne kundër gjërave, por që të shkosh në Brataj për të parë sheshin, duhen edhe një palë veshka rezervë, përveç atyre që ke, pra shteti drejtohet me mend nuk drejtohet me fasada, dhe problemi i kësaj qeverie, Kryetarja e tha shumë qartë është se ka një realitet për qeveritarët, që është realiteti i luksit dhe i përfitimeve marramendëse dhe ka një realitet për qytetarët, që është realiteti i braktisjes së Shqipërisë, është realiteti i varfërisë, është realiteti i mungesës së përkujdesjes së shtetit dhe është realiteti i asaj që ju shikoni në ERTV, doli edhe shpikja që nuk ishte parë ndonjëherë, që kryeministri të kishte edhe televizion edhe në ERTV, unë ju them si një njeri i zonës tuaj, mos e shikoni më, mos e shikoni më se e di pse, edhe televizionet e tjera i ka blerë ai, por ERTV mos e shikoni sepse ai njeri ka ndërruar rrugë, ka marrë rrugën e dreqit, domethënë ai do tu tregojë njerëzve Shqipërinë e bukur në letër, dhe çfarë bën, nuk na nxjerr rrugën, por nxjerr maketin e rrugës.