Rrjedhja e votave, Basha: E Papranueshme, Berisha: Dola kokulur nga salla

569
Në 48 orë Partia Demokratike është vënë në qendër të kritikave të shumta brenda radhëve të saj, por edhe nga jashtë. Enigmë identiteti i tre deputetëve “tradhtarë”
Ndodhi ajo që askush nuk mund ta kishte pritur, të paktën nga opozita e sapokrijuar nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe nga ajo opozitë e cila prej ditësh kishte deklaruar se nuk do të jepte votë pro për Gramoz Ruçin. Deri mbrëmjen e së premtes, kur Basha mblodhi grupin parlamentar dhe diskutuan rreth qëndrimit, askush nuk e dinte se tre prej deputetëve të këtij grupi opozitar do të “tradhtonin” pjesën tjetër, duke ia dhënë votën Gramoz Ruçit. Emrat nuk dihen. Ka shumë diskutime dhe aludime. Madje kritikët e Lulzim Bashës kanë shkuar deri aty sa thonë se një nga votat kanë qenë e tij. Të ndodhur përballë këtij realiteti, Basha ditën e djeshme mblodhi grupin parlamentar të Partisë Demokratike, ku pjesën më të madhe të vëmendjes e kanë marrë tre votat plus, për Gramoz Ruçin si kryetar Kuvendi, të cilat dyshohen si rrjedhje nga kjo parti. Mësohet se Lulzim Basha e ka cilësuar të papranueshme rrjedhjen e votave. Ai ka thënë se grupi kishte marrë vendim për të votuar kundër.“Vendimi i grupit ishte për ta votuar kundër. Partia Demokratike dënon rrjedhjen e votës në seancë, është e papranueshme. Vendimi i grupit është për t’u respektuar në unanimitet”, mësohet të jetë shprehur Basha gjatë mbledhjes. Ai ka dënuar atë që e ka cilësuar manipulim të Partisë Socialiste dhe përpjekje për të blerë vota. Por nga ana e tij lideri historik i së djathtës, Sali Berisha ka thënë se është ndjerë i fyer gjatë votimit të së shtunës. “Kam dalë me kokën ulur nga Parlamenti. Jam ndjerë i fyer dhe i lënduar”, është shprehur Berisha. Më tej ai ka kërkuar vendosjen e rregullave strikte në parti dhe ndëshkim për deputetët që votuan për Gramoz Ruçin. Berisha ka shprehur bindjen se votat u shitën. Ai ka shkuar edhe më tej kur ka folur me emra konkret për dy eksponent të Partisë Demokratike. Ka deklaruar se askush në parti nuk duhet të jap deklarata pa marr më parë pëlqimin e kryesisë. Emri i Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit ngjalli kritika dhe kundërshti, qysh në momentin e parë që Kryeministri Edi Rama e propozoi, kundërshti të cilat vijuan deri në momentin e votimit.

Por pikërisht seanca e pasdites së të shtunës, kur zoti Ruçi u votua si kryeparlamentar, rezervoi një tjetër surprizë, më shumë vota nga sa kishte mazhoranca. Gramoz Ruçi u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 80 pro, 40 kundër, 1 e pavlefshme.

Në favor të kryetarit të ri shkuan 6 vota më shumë, 3 të paralajmëruara nga PDIU, dhe tre dyshohen si të rrjedhura nga radhët e Partisë Demokratike. Por kjo rrjedhje kundërshtohet fortë nga demokratët, të cilët mohojnë që brenda grupit parlamentar të ketë pasur vota ndryshe, duke akuzuar mazhorancën për manipulim të procesit. PD pretendon se mosmarrja e Partisë Demokratike në komisionin e votimit u bë pikërisht për të faktuar se drejtimi prej Ruçit, do të jetë si në diktaturë. Nga ana e saj Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mori pjesë fare në votim, duke e cilësuar gjithë procesin si farsë dhe kryetarja Monika Kryemadhi deklaroi prerë “Ky proces nuk meriton as votën tonë kundër”.

Edhe zëdhënësja e grupit parlamentar të PD, Grida Duma, pati një sqarim për këtë situatë. Ajo tha se grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi me qëllim të qartë të lërë Partinë Socialiste të administronte numërimin dhe votimin, pikërisht për të vërtetuar deri ku shkon e keqja. Dita e djeshme ishte e mbushur me kritika nga një pjesë e madhe e demokratëve të përjashtuar nga listat për zgjedhjet e 25 qershorit. Të gjithë kambanat e tyre ishin drejtuar ndaj Lulzim Bashës, madje nuk ngurronin të kërkonin dhe përjashtimin e tij. 
Sigal