Rilindja shpartallon administratën/ Kryeministri Rama josh me pushtet “kuslingët” e së djathtës. Gati postet edhe për partinë e Tom Doshit

417
Sigal

 

 Gazeta Telegraf

 Kryeministri Rama, më shumë se kushdo tjetër kryeministër në 30 vitet e tranzicionit, për të “çimentuar” karriken e pushtetit të vet, shumë herë përdor aksiomën romake “Përça dhe sundo”. Kështu ka vepruar me aleatët e vet, në fushatën elektorale të 2013-s, ku u premtoi aleatëve, se secili do të merrte pjesë në qeverisje, sipas kontributit të votave. Aleatët i dhanë Edi Ramës asokohe, mbi 100 mijë vota, e sollën në pushtet pas humbjes së 2009-s, mirëpo Edi Rama, si kryeministër, pasi mori pushtetin, i përçau aleatët, i shkërmoqi, sa sot i ka zhdukur fare nga harta politike e Shqipërisë. Gjinushin e PSD-së e joshi me kolltukun e kryetarit të Akademisë së Shkencave, po kështu edhe me ndonjë kryetar partie aleate, që e bëri zv.ministër, sa ky, me gishtin e lyer në “mjaltin” e pushtetit, e çoi partinë për …skrap.  Kryeministri Rama, për të krijuar diversitet tek opozita, joshi edhe ish- ministrin e Financave të qeverisë “Berisha” Ridvan Boden, duke e bërë anëtar të Bordit të Bankës së Shqipërisë, edhe pse në Opozitë, Rama e kishte denoncuar e akuzuar ministrin Bode për dhjetëra akte korruptimi, kur ndërkohë, shkarkoi nga Bordi i Bankës së Shqipërisë ish- ministrin socialist, personalitetin e PS-së Prof. Arben Malaj, ngaqë e luftoi si kundërshtar politik të ‘Rilindjes’. Ndërkohë, që kryeministri Rama socialistët, që janë elektorati i ‘Rilindjes’, i ka injoruar, i ka shpërfillur, nuk u dha asnjë mundësi punësimi, por i detyroi shumicën, që të emigrojnë, për bukën e gojës. Kryeministri joshi me detyrë diplomatike edhe ish- ministren  e qeverisë së Djathtë, Majlinda Bregun. Së fundmi, kryeministri Rama joshi me pensione të përjetshme, por edhe me emërime të familjarëve, deputetët e së ashtuquajturës “opozitë parlamentare”, duke u vjelë kartonët, për të miratuar ligjet që shkallmuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Tani, që afron 25 prilli i 2021-it, kryeministri Rama ofron “karrotën” tek disa (ish)eksponentë të PD-së , siç bëri me  Besart Kadian, ish -anëtar i Këshillit Kombëtar i PD-së, të cilin e emëroi dje zv.ministër të Financës. Gjithashtu, flitet se Tom Doshi, si kryetar i PSD-së dhe aleat i Ramës merr këto ditë 1 post zv.ministër të Brendshëm, drejtori të OSHEE-së në Kamëz, shef sektori në ARRSH, dhe 20 specialistë tek OSHEE, të gjitha këto, me qëllim që Tom Doshi ta furnizojë me votë ‘Rilindjen’ Socialiste, edhe pse SHBA-ja i ka ndaluar Tom Doshit hyrjen në SHBA, për shkak të korrupsionit.

Kush ështe Besart Kadia, zëvendësministër i Ramës dhe mik i Samir Manes

I ftuar në në “Top Channel” rreth dhjetë muaj më parë, në 12 dhjetor 2019, pas një përplasjeje mes tyre, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, iu drejtua Basart Kadias, duke i thënë se ishte ushtar i Samir Manes. “O Besart, pse kam ardhur të të mbush mendjen ty unë. Po ti je ushtar i Samir Manes. Unë jam në luftë me Samir Manen. Ti paguhesh nga oligarkët, ti paguhesh nga ata njerëz që rrjepin shqiptarët.” – deklaronte Kryemadhi në emision.

Kadia ishte shkarkuar nga PD para një viti, si klienti i preferuar i qeverisë

 

Besart Kadia është shkarkuar nga funksioni i anëtarit të Këshillit Kombëtar të PDSH, që më datë 5 nëntor 2019, për shkak se ishte nismëtar i krijimit të lëvizjes politike “Alternativa”, e financuar, sipas informacioneve të verifikuara, nga burime të dyshimta financiare të klientëve preferencial të Qeverisë. Atij i është hequr e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në strukturat e Partisë Demokratike, për shkelje të parimeve bazë të funksionimit të PDSH, të sanksionuar në nenin 9 të Statutit të PDSH-së.

 

Toni Gogu emërohet prefekti i ri i qarkut të Tiranës, lirohet nga detyra Suzana Jahollari

Toni Gogu do të jetë prefekti i ri i qarkut të Tiranës. Suzana Jahollari është liruar tashmë nga detyra. Gogu ka qenë zv/ministër i Drejtësisë, më pas u zgjodh kryetar i Këshillit të Bashkisë së Tiranës