Reportazhi i “Zëri të Amerikës”/ Qeveria shqiptare, me amnistinë fiskale, i hap rrugë pastrimit të parave, të siguruara nga veprimtari kriminale

Qeveria shqiptare, me amnistinë fiskale, i hap rrugë pastrimit të parave, të siguruara nga veprimtari kriminale. Ekspertët e ekonomisë shprehen kundër përjashtimit të politikanëve nga amnistia fiskale. Prof. Dr. Arben Malaj: Qeveria duket e prirur më shumë për interesa elektorale

 

Sigal

VOA:  Qeveria shqiptare me amnistinë  fiskale, i hap rrugë pastrimit të parave

Në Tiranë nisma e qeverisë për amnisti fiskale dhe penale ka nxitur një valë të gjerë reagimesh në radhët e politikës, ekspertëve dhe institicioneve financiare ndërkombëtare. Shumica qeverisë e justifikon nismën me ndihmën ndaj biznesit dhe individëve përmes amnistimit të kapitaleve të përfituara nga fshehja e të ardhurave, ndërsa përfaqësues të opozitës dhe ekspertë të ekonomisë janë kritikë dhe thonë se kjo amnisti, i le shteg pastrimit të parave të siguruara nga aktivitete kriminale. Synimi i qeverisë për aministinë fiskale dhe penale mbetet i paqartë,  thonë kundërshtarët e draftit dhe se nisma nuk po shoqërohet me masa të shtuara, në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në Shqipëri qeveria ka miratuar së fundi një draft ligjor që parashikon amnisti fiskale dhe penale, në një hark kohor një vjeçar, që nëse miratohet nga parlamenti, do të jetë e para e këtij lloji në Shqipëri. Disa shoqata biznesi e kanë përshëndetur draftin, ndërsa opozita është mjaft kritike.

Ballafaqimi: Jorida Tabaku dhe ministrja e Financave Anila Denaj

Anëtarja e kryesisë së PD-së, Jorida Tabaku, i tha  “Zërit të Amerikës”,  se kjo amnisti i hap rrugë pastrimit të parave të krimit dhe drogës, në një kohë kur Shqipëria është vendosur në listën gri të pastrimit të parave të “Manival”, stukturë e Këshillit të Europës për të monitoruar pastrimin e parave.  “Përveçse është e pandershme, përveçse prish çdo balancë formale të vlerësimit  të punës së individit, që ka paguar taksa normalisht, është dhe kriminale, sepse tërheq në  Shqipëri një kapital të krijuar nga krimi dhe droga. Është lënë në dëshirë të individit, kur e vetëdeklaron, që të thotë se unë kam patur një aktivitet, por nuk e kam deklaruar  këtë aktivitet, ndërkohë që të gjithë e kemi të qartë, ashtu siç thotë  Departamenti Amerikan i Shtetit, FMN-ja, që ndërtimi, turizimi apo lojrat e fatit janë aktivitete që po pastrojnë masivisht para,”- shprehet Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD-së. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, i hodhi poshtë këto akuza, në intervistën e saj për  “Zërin e Amerikës” dhe argumentoi se drafti i amnistisë fiskale ka si qëllim të ndihmojë bizneset që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm, por që kanë kryer evazion fiskal, si dhe individët që kanë krijuar një kapital nga paga të padeklaruara plotësisht. Ministrja e Financave sqaron, se filtri i parë do të jetë njësia speciale në drejtorinë e tatimeve që do krijohet enkas, ku pas plotësimit të formularit bizneset dhe individët  i nënshtrohen një verifikimi 48 orësh.  Zyrtarët shprehen se nëse dikush i ka shpëtuar filtrit të njësisë speciale dhe ka amnistuar një kapital të siguruar nga veprimtari kriminale, dhe nëse kjo zbulohet më vonë, do të ndëshkohet sipas ligjit. “Qartazi neni 6 i projektligjit përjashton të gjithë personat që vijnë me dyshime për pjesëmarrje në aktivitete kriminale, por njëkohësisht janë eliminuar te politikanët, të gjithë drejtuesit e nivelit të mesëm dhe të lartë dhe gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë pjesë e subjekteve të deklarimit të pasurisë në ILDKP, dhe jo vetëm për një vit apo 3 vjet, po për gjithë kohën”- thotë për  “Zërin e Amerikës”,  Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Ekspertët e ekonomisë kundër përjashtimit të politikanëve nga amnistia fiskale

Por ekspertë të ekonomisë janë dyshues mbi përjashtimin e politikanëve, nga amnistia fiskale, pasi mendojnë se ata mund të jenë përfitues indirekt, përmes të afërmve të tyre, tek të cilët kanë transferuar kapitalet. Drafti përjashton nga amnistia vetëm personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, kur përfitues mund të jenë rrethi i të afërmve të tjerë. “Duhet përcaktuar deri në ç’nivel është rrethi të afërmve të njerëzve me mandate politike që nuk përfitojnë, sepse është e lehtë të krijosh kompani të mbyllësh kompani, të transferosh kompani. Për këdo nga ne që është marrë më financat publike dhe me legjislacionin e pastrimit të parave, është shumë më e lehtë se sa ata mendojnë të kuptosh skemat e pastrimit të parave”- tha për  “Zërin e Amerikës”,  Arben Malaj, ish- Ministër i Financave.  Zyrtarët mendojnë se përjashtimi i të afërmve të politikanëve nga amnistia fiskale përtej atyre në përbërje familjare, do të ishte një akt paragjykues. “Unë nuk do të paragjykoja asnjë biznes, i cili përfaqësohet nga administratorët respektivë se çfarë lidhje do të kishin me një politikan. Nuk mundem ta bëj këtë. Do të jem në shkelje të pozitës time”- shprehet Anila Denaj,  Ministre e Financave dhe Ekonomisë. Një prej shqetësimeve të opozitës lidhet me shtetasit e huaj që kanë një biznes në Shqipëri. “Ky tërheq dhe kapital kriminal të krijuar jashtë kufijve të Shqipërisë, që do të thotë se një individ që ka një adresë fiskale këtu në Shqipëri me nënshtetësi të huaj, i cili ka krijuar kapitale të dyshimta kriminale jashtë Shqipërisë, vjen këtu dhe i legalizon”- shprehet Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD-së. Përfaqësues të qeverisë thonë se një shtetas i huaj, pronar i një biznesi në Shqipëri përfiton nga amnistia fiskale njësoj si një pronar shqiptar, ndërsa hedhin poshtë mundësinë e transferimit të kapitaleve të tyre nga jashtë vendit, me qëllim amnistie. Ministrja e Financave Anila Denaj,  sqaron se për këtë çështje do të këtë diskutime dhe me përfaqësitë diplomatike. Ndërsa shqetësimit të FMN-së se amnistia mund të minojë nënshtrimin ndaj taksave, Ministrja e Financave i dha këtë përgjigje: “Ne duhet  të kuptojmë që të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare do të preferonin rregulla të tjera dhe amnistitë nuk janë një qasje proaktive e institucioneve ndërkombëtare. Gjithmonë do ta shihnin me një sy kritik. Ne po flasim për një falje, për një deklarim jo të saktë. Por ne kemi bërë falje dhe për elementë të tjerë. Kemi bërë falje për kamat-vonesat. Shkojmë me tej, kemi bërë falje dhe për krime. Aminsti janë dhe ato”- argumenton Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë. Drafti për amnistinë u njoftua nga Kryeministri Edi Rama pak muaj më parë, më së shumti si amnisti për të ardhurat e siguruara nga emigrantët shqiptarë me punë “të zezë”, në vendet ku jetojnë. Por ekspertët mendojnë, se arsyeja e vërtetë nuk janë emigrantët. Një tjetër shqetësim lidhet dhe me mungesën e kufirit të deklarimit dhe objektivit të ligjit. “Lufta kundër informalitetit që thuhet se është në qendër të kësaj inisiative, nuk rezulton në historinë e vendeve të tjera që të ketë ardhur përmes amnistisë fiskale. Qeveria është e paqartë, për atë që kërkon. Duket se është e prirur më shumë për interesa elektorale. Në vendet e tjera kur bëhet një amnisti, thuhet se me këtë amnisti mund të rikuperohet kaq  përqind e ekonomisë informale, mund të vijnë kaq para më shumë në buxhet, ose elementë të tjerë”- shprehet për  “Zërin e Amerikës”, Arben Malaj, ish- Ministër i Financave. Zyrtarët kanë një qasje tjetër, kur thonë se nuk mund të parashikojnë se sa të ardhura mund të sjellë amnistia fiskale dhe penale. “Në relacion ne nuk kemi përcaktuar një pritshmëri. Që të realizosh një pritshmëri duhet të kesh një database, një informacion, i cili duhet të bëjë së pari, ndarjen qartazi midis grupeve që unë përmenda pak më lart. Këtë ne nuk mund ta kalkulojmë, sepse nëse do ta kalkulojmë sot, duhet të pranojmë që kishin gjithë informacionin për evazionin fiskal dhe nuk e kemi kapur. Ky është një ligj jo për të ardhurat domosdoshmërisht në buxhetin e shtetit. Mbi të gjitha duhet të kuptojmë që është një ligj, i cili ndihmon bizneset dhe individët në Shqipëri, të cilët kanë nevojë për të rehabilituar pasqyrat e tyre fiskale” – sqaron Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë. Ekspertët mendojnë se synimi i amnistisë fiskale mbetet i paqartë, dhe se ajo nuk po shoqërohet me masa të shtuara për shkelësit e ligjit në të ardhmen. Ata janë të bindur se amnistitë fiskale kanë përfitime të vogla në raport me kostot që krijojnë, pasi krijojnë pabarazi ndaj ligjit si dhe dëmtojnë të ardhurat në buxhet, duke nxitur shpresat tek taksapaguesit për një amnisti tjetër.