Reforma Zgjedhore, mban peng integrimin e vendit në BE 

292
Sigal

DështonKëshilli Politik për formulën e KQZ-së. PS-ja kërkon që anëtarët ti zgjedh parlamenti ku “rilindja” ka shumicën. Reagojnë: Komisioneri për zgjerimin i BE Oliver Varhelyi, këshilltari i CDU-së Henze dhe ish-ministrat e  Jashtëm Ditmir Bushati dhe Besnik Mustafaj

Mbledhja e radhës e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore përfundon pa konsensus. Palët nuk kanë gjetur dakordësi për formulën e KQZ-së. Ndërsa palët nuk kanë gjetur dakordësi për mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e rinj të KQZ-së. Opozita ka bërë dje një propozim të ri për mazhorancën. Sipas demokratëve, ky propozim është në përputhje me formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Opozita thotë se vendosi ta bëjë këtë hap për të mos futur në ngërç procesin, përsa kohë PS-ja refuzoi që përzgjedhja e trupës së KQZ-së të niste me Avokatin e Popullit, siç ndodh edhe me organet e drejtësisë. Propozimi i ri ka tre shtylla kryesore: Çon të gjithë procesin e përzgjedhjes në Kuvend, Reflekton dakordësinë e datës 5 Qershor. Ruan formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për Reformën në Drejtësi. Opozita thekson se propozimi synon ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të KQZ –së së re, si dhe garancitë e palëve politike që përzgjedhja të mos jetë e njëanshme, por e balancuar dhe konsensuale. Opozita ve në dukje se Partia Socialiste nuk është treguar e gatshme për kompromis gjatë diskutimit të çështjes. Demokratët pretendojnë se i kanë qendruar propozimit të muajit shkurt, i cili i siguron mazhorancës emërimin e të gjithë trupës së KQZ-së me një proces të pastër politik. PS-ja kërkon që anëtarët e KQZ-së të propozohen nga çdo deputet dhe të përzgjidhen nga një komision i përbërë nga grupet parlamentare, të cilat PS-ja i kontrollon.

Gjiknuri: Nëse përfaqësuesit i mbështet opozita, mazhoranca u garanton votën

Gjëja e parë që dua ta përshëndes është që PD-ja po vjen tek skema brenda Kuvendit. Por me propozimet e saj, si formulë e ngjashme me organet e drejtësisë nuk është e tillë, pasi komisionet janë prapë përfaqësues politikë. Deputetët e Kuvendit duhet të jenë të përfaqësuar në këtë panel përzgjedhës. Skema e KQZ-së e përzgjedhësve më parë nuk ka funksionuar keq. Dua ta deklaroj publikisht që mazhoranca, ekspertët, apo përfaqësuesit, që do të konkurrojnë për anëtarë të KQZ-së, këta përfaqësues të denjë, do të kenë mbështetjen e mazhorancës, nëse kanë dhe mbështetjen e opozitës. Brenda skemës së komplikuar mund të ketë zgjidhje. I kërkuam që opozita të reflektojë pasi nuk mund të përjashtosh pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces. Jam i bindur që kjo formulë do të zgjidhet si dispozitë e përkohshme për zgjedhjen e përfaqësuesve të KQZ-së. Opozita shqiptare do  garantohet që përfaqësuesit që mbështeten prej saj, do garantohen nga mazhoranca me votë. Kjo do jetë dispozitë tranzitore pasi këto organe synohet të kenë jetëgjatësi me 84 vota. Dhe më pas që konsensusi do jetë i domosdoshëm. Kjo çështje për më vonë është e superuar.

Bylykbashi: PD-ja sjell një propozim të ri për anëtarët e KQZ-së

Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Politik, se opozita ofroi konstruktivitet dhe vullnet për zgjidhje të ngërçit politik, me një formulë, që siguron kandidatë me integritet për KQZ-në dhe administrimin e zgjedhjeve. Me propozimin e ri, Bylykbashi tha se u plotësua kërkesa e mazhorancës që procesi të vijë në Parlament. Ideja e re, është që komisionerët të zgjidhen në Kuvend, por nga një trupë juristësh e propozuar nga PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja. Ja procedura e përzgjedhjes, sipas propozimit të ri: Kryetari i Kuvendit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për të gjitha pozicionet në KQZ-në e re. Kryetari i Kuvendit ngre një Komision për vlerësimin e përmbushjes së kritereve nga kandidatët. Komisioni përbëhet nga 3 anëtarë, 2 nga shumica dhe 1 anëtar nga opozita, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse. Partitë duhet të dërgojnë si propozime persona me profesion jurist, me eksperiencë pune jo më pak se 5 -vjet.  Ky komision përpilon një listë me kandidatët, të cilët plotësojnë kriteret për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere. Listat i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Më pas Kryetari i Kuvendit ngre Komisionin ad hoc të Përzgjedhjes, që përbëhet nga 5 anëtarë, 3 të shumicës dhe 2 të pakicës,  sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse. Partitë duhet të dërgojnë si propozime persona me profesion jurist, me eksperiencë pune jo më pak se 10- vjet. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues  në mbledhjet e Komisionit ad hoc të Përzgjedhjes. Komisioni ad hoc i Përzgjedhjes përpilon listën finale të kandidatëve të propozuar për secilin pozicion në KQZ-ë dhe ia përcjell Kryetarit të Kuvendit. Lista kalon për votim në komisionin e ligjeve dhe më pas në Kuvend.