Reforma që nuk u krye dot kurrë, zgjedhorja në udhëkryq

19
Sigal

Fundi i pranverës nënkupton afatet e fundit edhe pse për të gjithë gjithçka duket e pamundur. Në rreth dy vite, reforma zgjedhore nuk arriti të nxirrte gjë në dritë nga i famshmi Komision i Posaçëm Parlamentar, i cili gjatë këtyre viteve u mjaftua të bënte vetëm 5 seanca dëgjimore me organizatat, që merren me çështjet elektorale. “Paqja” mes PS dhe PD duket se tani do të spostojë vëmendjen Komisioni i Ligjeve që mund të ketë një formacion të ri po ku sërish e djathta duket e përçarë. Demokratët e vulës edhe në seancën e së enjtes kërkuan përgjegjësit ndonëse ishin vetë bashkë kryetar të komisionit të zgjedhores. Ata thanë se është depozituar projektligji nga ana e PD-së së tyre (ajo e vulës) që të futet në procedurë për votën e diasporës, listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votimin dhe numërimin elektronik, Këtë e tha Alibeaj në seancën e kuvendit të së enjtes. Nga ana tjetër socialistët bënë edhe ata propozimet e tyre për të ndryshuar ligjin e zgjedhjeve. Në draftin e tyre socialistët parashkruajnë se shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së tyre të banimit jashtë kufijve të Shqipërisë dhe të mund të votojnë përmes postës dhe zarfi i tyre me fletën e votimit të mund të mbërrijnë në KQZ jo më vonë se dita e votimit. Pas “paqes” PS – PD, u duk se komisioni i mëparshëm që mbaroi afatin shëmbëlleu për të gjitha palët në dështim të plotë nga të gjitha anët. Raporti i ri mazhorancë – opozitë do të nxisë që demokratët e Rithemelimit të paraqesin propozimet e tyre për reformën, e cila ka kohë të kryhet edhe shumë pak, deri në fundin e kësaj pranvere.