Selami: Ndjesë të përndjekurve dhe pronarëve për braktisjen

484
Kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami, në turin e takimeve me demokratët në Kukës, Has dhe Tropojë, bëri thirrje për hapjen e një dialogu me gjithë shtresat dhe qytetarët, për ta kthyer Partinë Demokratike në një parti popullore, jo thjesht të qendrës së djathtë, por dhe më gjerë. Selami tha se Partia Demokratike ka emergjencë rikthimin e besimit tek ndërkombëtarët, duke theksuar se me përjashtim të vitit 1997, lidershipi aktual është më i izoluar se kurrë. “Hajde të hapim një dialog vlerash me gjithë shtresat dhe qytetarët, ta kthejmë PD në një parti popullore jo thjesht të qendrës së djathtë por dhe më gjerë. Të rikthejmë besimin me partnerët tanë ndërkombëtarë që sot nuk e kemi. Me përjashtim të vitit 97, lidershipi i PD sot është më i izoluar se kurrë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Na dolën kundër në mënyrën më flagrante për shkak të gabimeve tona”, tha Selami. Ai i kërkoi ndjesë për braktisjen e padrejtë që iu është bërë shtresave si ish të përndjekurve dhe ish pronarëve dhe premtoi se do ndjekë një politikë krejt ndryshe për rikthimin e tyre. Rinia është në qendër të platformës së Selamit. “Do t’i kërkojmë ndjesë e do t’i rikthehemi shtresave të persekutuara, të përndjekurve politikë. Jemi shkëputur prej tyre, edhe ish pronarëve, po kështu dhe me rininë. E shikojmë shumë pak rininë! Pse? Sepse nuk arrimë ti japim shpresë. Më thonë që rinia nuk është ajo e viteve 90’. Jo nuk ka ndryshuar aspak, por ne nuk mund ta tërheqim rininë vetëm me traditën krenare të luftës kundër komunizmit! Rininë mund ta tërheqësh sot me një nivel konkurrues dhe bashkëkohor, mund tii ofrosh një të ardhme më të mirë këtu, t’i ofrosh mundësinë ta bëjmë Shqipërinë së bashku, t’i ngushtosh distancën me perëndimin” , tha Selami. Në takim me demokratët e veriut, Selami tha se Basha përfaqëson një model të dështuar. “Kur u ktheva nga Amerika ne vitin 2013, kam qenë shumë afër vendosjes së kandidaturës për kryetar partie. Por u takova me zotin Basha, dhe i thashë kush ishte ambicia ime, pikërisht ta ktheja PD-në, në parti bashkëkohore, të ktheja demokracinë. Pa mbaruar unë, zoti Basha, vazhdonte fjalinë time. Dhe me të vërtetë e kam falënderuar. Thashë, sa mirë një i ri i edukuar jashtë, vjen për të kontribuar. Thashë, hajde ta bëjmë së bashku dhe tërhoqa kandidaturën, sepse mendoja që kandidatura e Bashës ishte më e mirë në atë kohë, por gjërat rrodhën ndryshe”, tha Selami. Ai tha se, beson që nga kjo garë Partia Demokratike do të dalë më e fortë dhe do të ngrihet në nivel më të lartë për ta kthyer Shqipërinë në histori suksesi.
Sigal