Reforma në Drejtësi, Vasili: Kemi humbur 25 vite kot, mos politizojmë çështjen

437
Është koha për të finalizuar reformën në drejtësi.Sipas kryetarit të grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili dhe nënkryetarit të kësaj force politike Ylli Manjani 25 vite te humbura shkojnë në dëm të shqiptarëve.
“Është tepër e rëndësishme të përmbyllet sa më shpejtë dhe me konsensus të gjerë politik, pasi qeveria nuk ka më kohë për të humbur, për t’u fokusuar në gjëra të tjera më të mëdha, me të cilat përballet vendi”-u shpreh Vasili
Ndërsa Manjani mandatohet nga LSI si zëdhënësi kësaj force politike për këtë reformë, e cila kërkon konsensus politik. Zyrtarët e lartë të LSI i bëjnë apel opozitës të mos luajë politikisht me këtë cështje.
Edhe zëdhënësi i LSI-së për reformën në drejtësi, Ylli Manjani ka theksuar rëndësinë e kësaj reforme, duke e quajtur atë si “projektin më të rëndësishëm të axhendës shtetërore”. Sipas tij, “kjo reformë përban një listë të gjatë me projektligje, të cilat janë të një rëndësie të veçantë dhe kanë nevojë për debat publik dhe pasjen e një konsensusi të gjerë. E nëse nuk bëhet me konsensus, atëherë reforma në drejtësi – thekson Manjani, – do të ishte e paplotë”.
Ndërsa maxhoranca ka qëndrirm të unifikuar për refromën në drejtësi, kompromisi shkon edhe me opozitës për procesin e dekriminalizmit. Kryetari I grupit të LSI-së tha se zgjatja e këtij proceis nuk i shërben askujt.
Ndërsa lidhur me impulset e reja në qeverisje Vasili u shpreh se është një keqinterpretim i kontekstit në të cilën është përdorur ng fjala nga mediat duke theksuar se Impulset e reja për LSI janë aksioni kundër informalitetit cdo projekt i miratuar në parlament, çdo shërbim në të mirë të qytetarëve dhe jo ajo çka nënkupton media si një batutë. 
Sigal

Konferenca për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili dhe N/Kryetarit të LSI-së, z. Ylli Manjani

Z. Petrit Vasili 

Jemi së bashku në këtë komunikim lidhur me disa problematika dhe konstatime të rëndësishme, që ne deshëm t’i ndajmë me ju. Grupi parlamentar i LSI-së në analizën që bëri dhe programimin e punës për periudhën që na ndan deri në mbylljen e këtij sesioni të vjeshtës të veprimtarisë parlamentare, konstatoi që i gjithë sfondi ligjor i paraqitur dhe që është në përgatitje e sipër e do të shqyrtohet deri në mbylljen e këtij sesioni, lidhet me disa momentet të rëndësishme të vijimësisë të reformave të ndryshme në Shqipëri. Reforma, ku ne së bashku si mazhorancë bashkëndajmë të njëjtat ndjeshmëri politike dhe qëndrime politike, qoftë për disa probleme të mëdha, që kanë të bëjnë me një problem, që ndodh në terren, siç është problemi i përballjes me informalitetin, me gjithë larminë problematike që ai mbart.
Së dyti me dy probleme të mëdha, që sigurisht do të shënojnë zhvillime të rëndësishme, natyrshëm brenda këtij fundviti, ku do të ketë disa përgjigje të rëndësishme dhe që kanë lidhje me reformën dhe me përballjen me problematiken tashmë të njohur me emrin e dekriminalizimit dhe gjithashtu me reformën në fushën e drejtësisë.
Në mënyrë të veçantë këto dy të fundit, që kanë ngjallur një debat të gjerë edhe politik, por edhe publik, ka një qëndrim të unifikuar dhe në sinkron të mazhorancës lidhur me këtë çështje. Ndërsa në mënyrë të veçantë grupi parlamentar i LSI-së dhe LSI-ja si forcë politike janë të pozicionuar qartë në mënyrë të veçantë lidhur me dekriminalizimin dhe unë po rimarr një qëndrim, të cilin ne e kemi bërë publik, por tashmë vazhdon të jetë akoma më aktual. Kjo problematikë duhet përmbyllur.
Koha e shpërdoruar më kot për arritjen e një kompromisi duhet të rifitohet, sepse edhe draftet e paraqitura edhe qëndrimet, janë shumë afër dhe nuk është më koha për të fituar dhe për të luajtur në takticizmin politik, në mënyrë të veçantë nga ana e opozitës. Është momenti për të përmbyllur me mirëkuptim të gjerë politik këtë çështje dhe njëkohësisht për të realizuar në këtë mënyrë një sprovë të arritjes të kompromisit politik, që nuk ka lidhje më as me interesin e një force politike apo një tjetër, por është një përgjigje, të cilën mbasi politika e ngriti gjerësisht duhet t’i japë një përgjigje qytetarëve. Pra, një ndarje përfundimtare nga ky problem, largim përfundimtar nga një debat, që tashmë hynë në hullinë e ligjit dhe të zgjidhjeve ligjore, dhe fokusimi në çështje të tjera të mëdha, me të cilat vendi duhet të përballet dhe duhet t’i zgjidhë. 
Praktikisht ju e dini shumë mirë, që lidhur në mënyrë të veçantë me dekriminalizimin, çdo zgjatje e mëtejshme nuk i shërben më askujt, dhe ne jemi përcaktuar, sikurse kemi qenë edhe më parë, sikurse kemi qenë edhe në 24 dhjetor kur u firmos marrëveshja për këtë çështje. Ju e kujtoni më së miri, LSI, unë si përfaqësues i saj atje, kemi qenë edhe atje inspirues të një qëndrimi, që realizon konsensus në mënyrë që edhe zgjidhjet të jenë të qëndrueshme, afatgjata dhe asnjëra palë, mazhorancë-opozitë dhe anasjelltas të mos vazhdojnë një lojë, që nuk u shërben qytetarëve shqiptarë, absolutisht, por veçse mban debate fiktive dhe artificiale të ndezura më kot.
Gjithashtu ky moment i rëndësishëm politik është, do të thosha, një sfidë para një sfide tjetër të madhe, siç është ajo në drejtësi, që kërkon edhe ajo ecjen në rrugën e një mirëkuptimin politik. Megjithatë, kjo sfidë është e një rëndësie të patjetërsueshme, sepse ju e dini që ajo është një nga kushtet e pakapërcyeshme për t’u realizuar lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, një hap në drejtim të integrimit me një rëndësi të jashtëzakonshme. Dhe veç të tjerave një problematikë, që siç e dini në të gjithë opinionin e gjerë publik, por edhe atë mbarëpopullor, është një sfidë që kërkon zgjidhje.
Lidhur me këtë problem madhor, një përballje vërtetë e madhe dhe serioze për politikën shqiptare, që më së fundi duhet t’u largohet edhe papjekurive edhe luajtjes nga momenti politik, por është një thirrje për maturi. Kërkohet edhe këtu që të ecet në rrugën e një mirëkuptimi sa më të gjerë, por njëkohësisht pa humbur më tej kohë. Një çerek shekulli humbje kohe ka qenë shumë i gjatë, nuk ka më kohë për të humbur. Për ne si Lëvizje Socialiste për Integrimin, reforma në drejtësi është një çështje madhore, e pakrahasueshme nga rëndësia me asnjë problem tjetër, është një parametër ndarës ndërmjet një Shqipërie që ecën drejt modernizimit dhe evropianizimin dhe të një Shqipërie të prapambetur, që vazhdon të ecë me problemin e zgjidhjeve të së shkruarës. Zgjidhje që nuk prodhojnë besim, por që mbajnë paqëndrueshmëri dhe duke e konsideruar si një problem të tillë, që kërkon ndjekje të vazhdueshme, aq më tepër që momenti shënon një intensifikim të veprimit në këtë reformë. Kjo kupton edhe një qasje të përditshme, monitorim të vazhdueshëm dhe një koordinim, që përsa i takon mazhorancës, është një koordinim që ecën në rrugën e duhur, pasi ka një koordinim mjaft të mirë të mazhorancës lidhur me këtë çështje. Ne kemi një aktor shumë të rëndësishëm, siç është Komisioni i Venecias, që është përfshirë formalisht dhe zyrtarisht në proces, edhe në një formë akoma më aktive siç do të jetë edhe prezenca e tij në Shqipëri. Pra shënon një intensifikim si asnjëherë më parë për t’i dhënë rrugë problemit.
Ndaj, nisur nga gjithë kjo problematikë, që është edhe e rëndësishme, por ka edhe pjesën e saj të komplikuar të ekspertizës, të qëndrimeve, të ruajtjes së ekuilibrave,raporteve me Kushtetutën, raportet me ndryshimin e Kushtetutës, raportet me legjislacionin që e pason dhe me mjaft problematika të këtij lloji, grupi parlamentar, edhe Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka vendosur që të ketë një zgjidhje edhe të karakterit institucional. Është vendosur që z. Ylli Manjani, Nënkryetar i LSI-së, të jetë zëdhënësi zyrtar i LSI-së për reformën në drejtësi, jo vetëm për ndjekjen e problemit, por edhe për mundësitë e komunikimit të vazhdueshëm edhe me median, që është një partner i pazëvendësueshëm në këtë proces, i cili duhet të jetë njëkohësisht edhe transparent për këtë çështje. 

Z. Ylli Manjani

Sigurisht është një sfidë e rëndësishme. Është projekti më i rëndësishëm, që kemi sot për sot në axhendën e politikës shqiptare, por edhe të shtetit që është më e rëndësishme. Kemi të bëjmë me një reformë të shtetit, sepse kur flasim për reformën në drejtësi, kemi të bëjmë me drejtësinë e shtetit. Kështu që nga kjo pikëpamje, rëndësia e kësaj reforme është e pamohueshme. Tashmë jemi në një fazë që ka një projekt të parë, për të realizuar disa amendime kushtetuese në raport me drejtësinë, ashtu siç ka edhe një listë me projektligje të identifikuara tashmë, të cilat janë të një rëndësie të veçantë dhe që do të duhet të hyjnë sa më parë që të jetë e mundur në kalendarin e vendimmarrjes. Por ç’është më e rëndësishme, është që ne kemi insistuar dhe na vjen mirë që gjen edhe këtë përkrahje në mënyrë të koordinuar dhe nga faktorë të tjerë brenda koalicionit dhe jo vetëm, që është nevoja për një debat të gjerë publik për të gjithë ato tema dhe mbi të gjitha për një konsensus të cilat janë mjete shumë të rëndësishme për suksesin e kësaj reforme. Ne sigurisht insistojmë tek këta elementë, sepse pa to jo vetëm që reforma do të ishte e paplotë, por do të ishte edhe e pamundur edhe sikur të realizohej që të zbatohej. Kjo është shumë e rëndësishme për të thënë. Përvojë nga e shkuara kemi plot. Kemi edhe përvojë negative, kemi edhe përvojë pozitive. Kështu që le t’i referohemi përvojës pozitive për të eksploruar sa më shumë që të jetë e mundur hapësira dhe të gjithë elementët e nevojshëm të gjetjes së një konsensusi apo nëpërmjet një debati publik. 
Sigurisht, ka një tendencë e cila është për t’u përshëndetur, një tendencë për të mos politizuar në ekstrem gjithçka, sepse është shumë e rëndësishme që ta themi. Puna e ekspertëve është një element i rëndësishëm dhe ndërhyrja e Komisionit të Venecias është gjithashtu një element i rëndësishëm, por duhet të kuptojmë që kur flasim për çështje të Shqipërisë, kur flasim për çështje që na shqetësojnë përditë, kur janë çështje të tipit si vonesa të gjykimit, zvarritje të vendimeve gjyqësore, besueshmëria jonë është afër zeros.
Pra, janë tema që shqetësojnë gjerësisht opinionin publik. Shqiptarët kërkojnë drejtësi në dyert e gjykatave apo qoftë edhe në dyert e prokurorisë, ku një nga temat kryesore në Shqipëri sot është çështja e hetimit penal, e cila është një çështje që duhet parë me shumë vëmendje. Janë tema të cilat duhet t’i debatojmë me publikun, me grupet e interesit, me juristë, por jo vetëm, me shoqërinë civile të cilat besojmë që propozimet e bëra deri më tani do të përmirësohen dhe do të shëndoshen edhe më mirë nëse i nënshtrohen një debati publik të shëndetshëm në këtë pikë, pa qenë e nevojshme që të politizojmë gjithçka apo të hyjmë në llogore politike, të mbajmë qëndrime të cilat nuk i shkojnë për shtat jetës politike.
Në këtë rast, edhe njëherë e theksoj, po flasim për të ndërtuar shtetin, po flasim për reforma për të ndërtuar shtetin, ku shteti ka hapësirë sa të duash që të bësh debat, ku Parlamenti është një nga vendet ku bëhet debat publik, media është gjithashtu një vend ku bëhet debat politik. Tani është momentin për të bërë një debat të shëndetshëm për të ndërtuar shtetit, për të ndërtuar gjykatën, për të ndërtuar vendin ku të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Kjo është shumë më e rëndësishme nëse e kuptojmë kështu se sa të rrimë të merremi me pozicionet politike apo të hyjmë në llogore politike të panevojshme të cilat shpeshherë shfaqen edhe si folklor politik.
Rasti i dekriminalizimit për shembull është një moment i tillë, na vjen mirë që konstatojmë që ka komunikim, ka një arritje shumë të mirë me një draft të përbashkët thuajse 99% të të gjithë çështjeve të pazgjidhura. Sigurisht, ka elementë të cilët përgjithësisht Partia Demokratike kërkon t’i polizitojë, është legjitime sigurisht në interesin e saj politik, por ne nuk mund të presim pafundësisht për të lënë zvarrë axhendën e shtetit për interesa të parëndësishme. Kështu që në këtë pikëpamje qëndrimi jonë ka qenë i qartë, pra të eksplorojmë të gjitha mundësitë për konsensus dhe të shkohet drejt një vendimmarrje sa më konsensuale. Reforma në drejtësi ka shuma tema, ka shumë nevojë për konsensus. Ky është thjesht një komunikim i parë i joni dhe do të vazhdojmë të bisedojmë me ju dhe nëpërmjet jush me të gjithë opinionin publik për këto tema. 
Pyetje nga gazetarët 

Deri kur do të vijojmë që LSI-ja të kërkojë impulse të reja për qeverinë? Së dyti, Kryeministri Rama ka pasur një përplasje me Dhomën Amerikane të Tregtisë. A keni ju si përfaqësues i LSI-së një koment për këtë çështje? Dhe e treta, mungesën e përfaqësuesve të LSI-së në sallë gjatë seancës plenare të enjten e kaluar si do ta komentoni?

Petrit Vasili: Me mirëkuptimin tuaj po e nis nga pyetja e fundit. Po e konsideroj një pyetje të fundjavës. Të shtunën dhe të dielën mund të bëhen pyetje që nuk kanë ndonjë vlerë apo përmbajtje. Kështu që do t’ju jap këtë shpjegim, që jo çdo lloj humori që thuhet në sallën e Parlamentit vlen të interpretohet politikisht. Kështu që ky ka qenë një humor, nuk ka pasur asgjë të tillë. Madje po të kishim atë vëmendjen që ju keni me kamerat tuaja dhe po të kishit bërë vetëm një kthim të lehtë të kamerave, do të konstatonit që kishte deputetë të LSI-së në sallë, por kishte edhe me dhjetëra deputetë të PD-së, që e shqetësoi ky “fakt” dhe nga të gjitha partitë e tjera. Besoj se i keni parë fotografitë tuaja, por duke qenë se debatet janë të gjata, ka edhe momente kur salla jo gjithmonë është e mbushur plot. Megjithatë, për respekt të pyetjes suaj, edhe këtij humori i kthyem përgjigje e doza të lehta ironie. 
Së dyti, lidhur me çdo lloj komenti që vjen, ju cilësuat Dhomën Amerikane të Tregtisë, vëmendja ndaj çdo lloj komenti, ndaj çdo lloj vërejtjeje besoj është një kulturë pozitive aq më tepër nga Dhoma Amerikanë e Tregtisë. Çdo gjë që është racionale është mirë të merret në konsideratë dhe unë besoj që ushtrimi i parë ndaj informalitetit ka qenë një ushtrim masiv, i gjerë në terren i munguar për gati dy 10-vjeçarë, që ka bërë gjetjet e veta. Sigurisht, gjithmonë një proces kaq i madh ka gjithmonë vend për përmirësim dhe çdo sugjerim të Dhomës Amerikane të Tregtisë besoj se duhet të dëgjohet gjithmonë me veshë të vëmendshëm nga qeveria, e cila është treguar e hapur. Edhe në dispozitat parlamentare që ne kemi edhe në draftet e caktuara për çështje të caktuara ato gjithmonë pësojnë përmirësim të vazhdueshëm dhe është mirë që të vazhdojmë kështu përkundrejt qëndrimeve dogmatike apo të pandryshuara që ne kemi konstatuar në të shkuarën, që nuk i kanë bërë mirë vendit. Kështu që besoj se edhe hapja apo marrja e opinione dhe shprehja e interesit për të dhënë opinione për të tjerët nga organizma të tjera, jo vetëm nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, është një gjë pozitive. Tregon që fenomeni ka ngjallur vëmendje dhe sigurisht sugjerimet janë të mirëpritura.
Sa i takon pyetjes së parë, besoj që e kemi shpjeguar shumë herë. Është sërish një mundësi e re kjo për ta shpjeguar, qeverisja ka gjithmonë nevojë për impulse, aksioni kundër informalitet për shembull është një impuls. Të gjitha ndryshimet legjislative që bëhen apo të gjitha projektet e mëdha, që miratohen në sallën e Parlamentit janë impulse, pavarësisht se media shpeshherë është e përqendruar te batuta e ditës, tek humori i ditës, siç qe edhe një nga pyetjet që u bë. Po thelbi nuk është ky, thelbi është shumë marrëveshje, shumë projekte të mëdha që miratohen, të gjitha këto janë impulse dhe për të tilla impulse qeveria gjithmonë ka nevojë dhe këto impulse po vijnë.
E drejta e përkthimit të impulseve sipas mënyrës që doni t’i përktheni ju është e drejta juaj. Për ne impulsi është që në qeveri të ketë zhvillime të reja, projekte të reja, ngjarje të reja, inaugurime, shërbime të reja për qytetarët, infrastrukturë të re. Këto janë impulse dhe besoj që edhe ju si njerëz të medias, por edhe si qytetarë keni nevojë pikërisht të ketë impulse të tilla të përditshme. Nuk besoj se impulset duhet të jenë të personalizuara, që të quhen impulse. Impulset janë shërbimet dhe çdo element i programit elektoral të premtuar në vitin 2013 që realizohet në praktikë.