Referendumi, si kartë celulari, “rimbush” vetëm kreun e PS

660
Kongresi i PS edhe pse nuk ishte mbledhur prej 7 vitesh, më tepër ngjasoi me një “mbledhje partie” rutinë me të deleguarit e përzgjedhur të bazës socialiste, ku u tentua të “shpalleshin e demaskoheshin armiqtë e kryetarit” dhe të brohoritej për kryetarin, të instruktuar e të telekomanduar me “lëvizje vetullash e buzësh” nga “sillot” e kryetarit, që gjendeshin në podium. Kongresi i PS i 19 prillit 2016, nuk arriti dot në një takim kulmor punësh të kësaj partie të madhe, brenda të cilit sipas detyrimit Statutor duhej të bëhej analiza politike për çdo drejtues e organizatë të saj nga qendra në bazë. Duhej të trajtohej çdo propozim dhe shqetësim i paraqitur prej bazës socialiste. Duhej të bëhej analiza qeverisëse si qeverisje e PS dhe si punë për çdo ministër të saj. E më kryesorja, duhej të zhvilloheshin zgjedhjet në strukturat qendrore drejtuese të partisë dhe të vendoseshin “piketat” për vazhdimin e punëve si parti e si qeverisje në pushtet, siç është në rastin konkret PS. 
PS me 2 Statute: I riu për kryetarin në qendër, i vjetri për kryetarët në bazë
Vetëm aktin për referendum partie “prodhoi” kongresi pa numër, pa analizë, pa raport kontrolli revizioni, pa debat mbi statutin e ripa zgjedhje kryetari. Më kryesorja, madje më shqetësues është fakti që nuk u belbëzua asnjë “rrokje” debati përpara marrjes (dhënies) së vendimit për “Referendum në PS”, të njoftuar si vendim nga kryetari i PS në kongres, të pyetur për “PO” apo “JO” nga kreu i Asamblesë së PS nga podiumi i kongresit, dme datë të caktuar nga podiumi dhe, brenda minutës… të miratuar me ngritje dore, tipik si dikur në “mbledhjet e sektorit të stallave në kooperativë”. Tashmë, PS po bën “letrat” gati për referendumin e 9 prillit! Më saktë, puna e kryetarit të PS, u katandis deri në atë farë derexheje, sa të mblidhet e të pyetet fshati! Po çfarë ndodh sipas këtij vendimi (skenari) të kongresit? Duke lejuar një praktikë të tillë skandaloze, që anëtarët e partisë të votojnë me referendum, nëse kryetari i partisë duhet zgjedhur me garë, apo duhet votëbesuar si kryeministër, PS si frocë politike është përfshirë në një skandal të rëndë Statutor, me përmbajtje talljen e plotë e të hapur me anëtarësisë. Pse? Sepse anëtarëve të partisë u kërkohet referendum për zgjedhjen e kryetarit me votë e garë kongresi, ose me miratim “fshatçe”, ndërkohë që vetë socialistët në bazë, detyrohen t’i zgjedhin kryetarët e tyre në degët lokale me votim dhe me garë të hapur kandidatësh e jo me referendum! Sipas logjikës së vendimit (skenarit) për referendum, rezulton se pas 19 marsit 2016, PS duhet të veproj me dy Statute partie, me dy përmbajtje të ndryshme. Një statut i PS, ai i riu i miratuar në parim e pa asnjë debat në kongres, duhet të jetë për kupolën drejtuese të kësaj partie që lejon kryetarin “e madh” të partisë të mos zgjidhet me garë e me kandidatë konkurrues në çdo 4 vite në kongres. Dhe një Statut tjetër, pra “i vjetri” me përmbajtje ndryshe nga “Statuti i ri i Byrosë Politike të PS”, duhet zabtuar për PS në fshatra, zona, qytete, rrethe e qarqe, që detyron zgjedhjen e kryetarëve lokalë të partisë me votë dhe me garë kandidaturash! Më qartë, qysh prej datës 19 mars 2016 kur zhvilloi kongresin, PS “punon” me 2 Statute: I riu për kryetarin në qendër, i vjetri për kryetarët në bazë! 


Po çfarë parashikon Statuti i ri, që do të përdoret nga kupola e PS? Në Nenin 42, pika 6 të këtij Statuti, përcaktohet: “Kur Partia është në pushtet dhe kryetari i saj zgjidhet kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa mbështetet nga shumica e delegatëve në Kongres”. Por nuk përcaktohet se sa duhet të jetë përqindja e kësaj shumice delegatësh të kongresit! Çfarë parashikon Statuti “i vjetër” që duhet të zbatohet nga baza socialiste për të zgjedhur kryetarët e PS lokale? Neni 19, përcakton me detyrim, këtë procedurë: Kryetari i partisë i rrethit, zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit 1 herë në 4 vjet, kandidaturat që garojnë për kryetar të partisë propozohen nga Asambleja e PS lokale. Nuk e dimë, se si do të rezultojë ky referendum, por praktika e përcaktimit të mandatit të kryetarit me referendum e jo në çdo 4 vjet me statut dhe votim të lirë e garë kandidaturash në kongres është një skandal I rëndë organizativ e drejtues, mbasi referendumi e kthen Satutin e PS në “kartë telefoni”, pra nuk e zgjedh por e “rimbush” kryetarin me “kallëp mandat”.
Sigal