Referendumi, Blushi dhe Hafizi depozitojnë kërkesën për hapjen e kutive

304
Deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi kanë depozituar sot pranë Komisionit Zgjedhor të Partisë Socialiste kërkesën për hapjen e kutive të votimit në referendumin e 9 prillit. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së, deputetja Hafizi tha se shkeljet e konstatuara në referendum do të jenë objekt diskutimi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë ditën e shtunë.
“Mbledhja e Asamblesë do të bëhet të shtunën. Sot kam depozituar në Komisionin Zgjedhor të partisë kërkesën për hapjen e kutive të referendumit. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, në varësi të përgjigjes që do të kem – edhe të përgjigjes që nuk kam marrë nga Komisioni i Garancive Statutore për të gjithë ato shkelje që kemi pretenduar për referendumin – të gjitha këto do të jenë objekt diskutimi edhe në Asamblenë e ardhshme Kombëtare”, deklaroi Hafizi.
Ligjvënësja socialiste shtoi gjatë prononcimit për media se në mbledhjen e grupit parlamentar ka ngritur edhe shqetësimin për kërcënimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. “Dhe përgjigjja ishte që qeveria dhe MAS-i kanë marrë të gjitha masat për një ecuri normale të procesit zgjedhor në universitet dhe duke garantuar një autonomi universitare”, tha deputetja.
Sigal