Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili shprehet se harta e re gjyqësore është anti-reforma në drejtësi më e rrezikshme me të cilën mund të jetë përballur ndonjëherë vendi.
Drejtësia është në kolaps, tha Vasili në një emision, duke shtuar se reduktimi i gjykatave bën që drejtësia të largohet nga qytetarët dhe çështjet do të zvarriten me vite me radhë.
“Jo vetëm largimi i drejtësisë nga qytetari është fakt, por edhe cilësia sigurisht është detyrimisht e rrënuar. Ripërzihet çorba e kolapsit, pasi prej një kohe të gjatë, prej 3 vitesh, unë e kam përcjellë në mënyrë sistematike që kolapsi është fakt. Dhe kolapsi si një ledh i madh që po rrënohej, nuk i vendosej asnjë pengesë. Ky kolaps jo vetëm ka gjunjëzuar drejtësinë, por ka rrezikuar të gjithë ekuilibrat shtetërorë. Pasi raporti, një nga tre pushtetet që ndërtojnë republikën tonë, pushteti gjyqësor është i tronditur, i asfiksuar dhe nuk kryen detyrën e tij.
Pra, do të thotë që u evidentua qartë që drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Mbizotëron drejtësia e munguar, sepse mijëra çështje janë të stivuara. Kryetarja e KLGJ thotë që mesatarja e çështjeve në Gjykatën Administrative të Apelit është 3 mijë çështje për një gjyqtar. Dhe në Gjykatën e Apelit, 2500 çështje. Po shkojmë tek një drejtësi ambulante, jemi duke ecur në anti-reformën në drejtësi, më të thellë dhe më të rrezikshme që mund të jetë përballur Shqipëria ndonjëherë”, u shpreh Vasili.