Reagimi i ashpër i SHBA, BE dhe PPE/ Michael Gahler: Rama hodhi hije të errët mbi zgjedhjet e 25 prillit. Presidenti të kthejë ligjin

346
Sigal

Dje Kuvendi miratoi me 97 vota pro ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë që opozita e bashkuar e kundërshtoi, PS miratoi formulën e re të koalicioneve me listë unike, pa mbështetjen as të opozitës parlamentare. PS negocioi vetëm uljen e pragut nga 3 në 1%, dhe lejimin e garës për kryetarin e partisë deri në 4 qarqe, dy kërkesa këto të opozitës parlamentare. Për listat, PS ka vendosur t’i ndajë në dy pjesë; listë e sigurtë dhe pjesa e poshtme, që mund ta thyejë pjesën e sigurtë me një numër më të lartë se herësi, por jo më shumë se 10 mijë vota. Listat kanë ngelur sërish të mbyllura, ndërsa koalicionet nuk do të jenë më si në zgjedhjet e shkuara, por partitë do të garojnë bashkë në një listë të përbashkët.

Reagimi i Parlamentit Europian

Përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të PPE në Parlamentin Europian, Eurodeputeti Michael Gahler ka reaguar  ashpër për votimin e sotëm në Parlament për Kodin Zgjedhor. Gahler shprehet se Rama po pengon zgjedhjet e ardhshme të prillit. Reagimi i Gahler: “Duke votuar sot (dje) shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama, hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme,  dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë. Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE. Shqipëria meriton shumë më mirë se kaq. Ne i bëjmë thirrje Presidentit ti kthejë ligjin e sotëm Parlamentit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij, për hir të së ardhmes europiane të popullit shqiptar.”