Rastësi ose jo, Rama do të jetë i përgatitur për këtë seancë. Kjo sepse më 1 mars, një ditë para debatit, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland do të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit mbi punën e bërë në lidhje me çështjen e McGonigal.
Kryeministri Edi Rama do të përballet më 2 mars me Opozitën për takimet me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, i cili është marrë nën akuzë për korrupsion dhe po i nënshtrohet një procesi gjyqësor. Data u caktua nga Ermonela Felaj e cila drejtonte seancën plenare ku do të vendosje se kur do të zhvillohej seanca plenare ku Rama ballfaqohej me Opozitën. Duke qenë se Konferenca e Kryetarëve nuk ishte mbledhur pasi nuk kishte pasur dakortësi, data kaloi në duart e kryetares së Kuvendit. Atë ditë, në krye të seancës ishte Felaj, pasi po shqyrtohej dhe kërkesa e Opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Kështu u caktua 2 marsi, por përse pikërisht kjo datë?
Rastësi ose jo, Rama do të jetë i përgatitur për këtë seancë. Kjo sepse më 1 mars, një ditë para debatit, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland do të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit mbi punën e bërë në lidhje me çështjen e McGonigal. Kështu, ‘veshët’ e Ramës do të jenë në SHBA më 1 mars, që në datën dy të futet me informacionet e mbledhura në sallë.
Ç’ka ndodhur me dosjen e Charles McGonigal?
Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal, ndërsa Opozita ka zhvilluar disa protesta kombëtare ke a premtuar se do të vijojë me të tjera. Nga ana tjetër, debatet e zhvilluara në Kuvend kanë sjellë përjashtimin e shumë deputetëve të Partisë Demokratike.