Rama- Thaçi: “Do mbledhim në Prizeren dy qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, nën qiellin e BE-së

426
Sigal

Kryeministri Rama, duke u shprehur për rezultatet e takimit të djeshëm të tij me Kryeministrin Thaçi, në selinë rozë, u shpreh se ka ardhur koha që bashkimi i Shqipërisë me Kosovën të bëhet realitet. Madje, sipas Ramës, dy qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës do të mblidhen në Prizren, dhe ky takim do të kthehet në një institucion bashkimi mbarëkombëtar, por, si vende të integruara nën qiellin europian të BE-së. Kryeministri Rama, pohoi se, ky takim ishte vazhdim i një komunikimi sistematik, dhe kjo do të krijojë një klimë më të përshtatshme dhe më shumë mundësi për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. “ Patëm një bisedë që është vazhdimi i një komunikimi sistematik, që kemi mbajtur gjithmonë, por edhe për të vendosur më tutje piketat e një bashkëpunimi që vullneti ynë është ta intensifikojmë. Po ashtu vullneti i kryeministrit dhe i qeverisë së Kosovës është ai që ka qenë gjithmonë, me bindjen e plotë se vetëm përmes intensifikimit të bashkëpunimit ne mund të krijojmë më shumë mundësi për gjithë shqiptarët këtej dhe andej kufirit në të gjitha planet”.  Ajo çka dëshmoi ky takim, është dëshira e përbashkët e Ramës dhe Thaçit për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, Rama deklaroi se shprehja më e zjarrtë e kësaj dëshire është mbledhja e dy qeverive në Prizren. Sipas Ramës, kjo mbledhje nuk do të ketë vetëm karakter simbolik, por do të bëhen përpjekje që kjo të kthehet në institucion, i cili do synojë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, nën qiellin e BE-së. “Së fundmi, ramë në një mendje me kryeministrin, që pas vizitës së menjëhershme, që unë dhe një pjesë e konsiderueshme e ministrave do të bëjmë në Prishtinë, sapo të kemi kryer normalizimin e qeverisë, të fillojmë menjëherë përgatitjen e një takimi dypalësh mes të dy qeverive, një takim i përbashkët, që ne do ta kthejmë në një institucion për t’i dhënë një shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh, në të gjitha ato fusha që bashkarish kemi identifikuar. Jam i bindur që bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Thaçi personalisht do të sjellë hapa të tjerë në rrugën e një bashkëpunimi, që nuk fillon me këtë qeveri dhe sigurisht do të mbetet rruga e përbashkët drejt ëndrrës së bashkimit, nën qiellin e Europës së bashkuar”,- tha Rama. Gjithashtu, Rama vlerësoi edhe marrëveshjen e arritur midis Thaçit e Daçiç. “Unë- tha Rama-  besoj dhe ne të gjithë besojmë që hapat e hedhur me shumë kurajo dhe me një vizion të kthjellët për ardhmërinë e Kosovës, por edhe të gjithë rajonit nga kryeministri dhe nga qeveria e Kosovës drejt marrëveshjes me palën serbe dhe qëndrimi koherent i qeverisë së Kosovës dhe i kryeministrit, në funksion të rritjes së hapësirave të paqes dhe bashkëpunimit në rajon, përbëjnë për të gjithë ne një pikë referimi në raport me atë çka duhet të bëjmë. Ne besojmë se ajo marrëveshje ka shënuar mbylljen e një epoke dhe hapjen e një epoke të re, ku jemi të gjithë të sfiduar që të rrisim masën dhe cilësinë e bashkëpunimit dhe të krijojmë kushte që në këtë hapësirë të re, jo vetëm mes nesh por edhe me të gjithë të tjerët në rajon të bashkëpunojmë në të mirë të gjithë qytetarëve të këtij rajoni”.