Altin Goxhaj: Enno Bozdo dhe BB fajtorë për mbrojtjen e hajdutëve të karburantit

509
Sigal

ZMK-ja denoncon hartuesit e ligjit të inspektimeve jashtë çdo transparence dhe pjesëmarrjeje

Në  Shqipëri u fshihen emrat të gjithë hajdutëve që vjedhin konsumatorët me cilësinë e produkteve, apo me çmimet tregtare. Sepse, ka edhe një ligj që i mbron hajdutët! Është Ligji Nr.10 433, datë 16.6.2011 për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe janë përkatësisht Nenet 9 “Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit” dhe Neni 9 “Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit”, të cilat janë vendosur enkas nga personi që ka drejtuar të gjithë procesin e reformës së inspektimit bashkë me “konsulentët ndërkombëtarë” të Bankës Botërore! Pikërisht është Neni 9 “Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit”: “1. Inspektorati informon publikun për konstatimet dhe masat e marra gjatë procedimit administrativ të inspektimit, nëse kjo është e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave fizikë e juridikë. 2. Informimi, sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë.”  Dhe Pikës së dytë të këtij Neni, i vjen në ndihmë edhe Pika 3 e Nenit 31 “Mbështetja e veprimeve të inspektimit”: “3. Personat e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk kanë të drejtat e përcaktuara nga ky ligj për inspektorin dhe nuk mund të marrin vendime procedurale apo përfundimtare për inspektimin. Sidoqoftë, ata kanë detyrimin të mos përhapin a përdorin të dhënat personale dhe ato që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit a të personave të tjerë të përfshirë, që mbrohen sipas legjislacionit në fuqi dhe me të cilat njihen gjatë inspektimit. Dhe nga  ky ligj i hartuar, ka përfituar  miliona dollarë BB-ja. Kemi vite që denoncojmë praktikën antikonsumatorë të reformës për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri, të dështuar personalisht nga zv/ministri i METE-s. Enno Bozdo, bashkë me ekspertë ndërkombëtarë të BB-së, të BE-së dhe UN, duke ndërtuar një legjislacion fake (mashtrues) për mbrojtjen e konsumatorëve, një legjislacion që  i ka lënë pa mbrojtje konsumatorët si në gjykata (pasi asnjë gjykatë nuk e merr në konsideratë këtë legjislacion, pasi kleçka qëndron te mosparashikimi i tij për t’u njohur nga Kodi Civil), një legjislacion që në çdo hallkë të tij përshkruhet nga pamundësia teknike për ta fuqizuar konsumatorin përballë abuzimeve të tregtuesit të mallrave dhe shërbimeve. Dhe ky legjislacion nga fillimi deri në fund është shkruar bazuar te dhjetëra miliona euro dhe dollarë që institucionet ndërkombëtare i kanë dhënë për të mbrojtur konsumatorin, por që janë shpërdorur totalisht në emër të justifikimit absurd të klimës pro-biznes dhe absurdit më të madh të mundshëm: mbrojtjes së interesit të biznesit, i cili duhet edukuar dhe jo ndëshkuar! Në fakt ky legjislacion për mbrojtjen e konsumatorëve ka dështuar plotësisht, ka mbrojtur një abuzim prej qindra miliona eurosh çdo vit, një pjesë e të cilave kanë përfunduar në fitimin e aksionarëve të huaj çka e ka kthyer procesin e konsulencës së huaj thjesht në një koperturë të huaj të abuzimit miliarder ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë në radhë të parë, por edhe të abuzuesve shqiptarë!

Enno Bozdo, përgjatë disa javëve, mashtroi publikisht duke thënë që nuk ka pengesa ligjore për publikimin e të dhënave të hajdutëve të konsumatorëve për të fshehur pikërisht rolin e tij thelbësor në hartimin e një legjislacioni antikonsumator që mbron hajdutët! Kjo e bëri përsëri të pamundur publikimin e të dhënave të hajdutëve duke sabotuar edhe një herë për herë të fundit rolin e ZMK-së, e cila luajti një rol thelbësor pranë institucioneve publike përgjatë 2 muajve të fundit për të influencuar Këshillin e Ministrave për detyrimin e publikimit të dhënave të hajdutëve të konsumatorëve shqiptarë, i cili fshehu dhe bllokoi çdo mundësi për publikimin e të dhënave të hajdutëve.  ZMK-ja do të ndjekë në ditët në vazhdim hapat e duhur ligjorë për ndëshkimin e shpërdoruesit të detyrës së mbrojtjes së interesave të konsumatorëve z. Enno Bozdo dhe do të vazhdojë të denoncojë lojën e pisët të zyrtarëve të lartë socialistë, që kanë qenë personalisht, apo familjarisht konsulentët e ndërkombëtarëve, përgjatë 8 viteve të shkuara, në reformën e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorëve ,për të shkatërruar çdo mundësi të qytetarit për t’u mbrojtur nga abuzimi i tregtarëve të mallrave dhe shërbimeve!