Presidenti Nishani pret në një takim Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi

474
Sigal

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë pune. Presidenti Nishani vlerësoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synojnë të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e dy vendeve, për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike, si dhe shprehu angazhimin për të mbajtur hapur institucionalizimin e një dialogu politik intensiv në nivelet më të larta dhe siguroi se, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian dhe gatishmërinë të ofrojë përvojën e saj për proceset integruese. Presidenti vuri në dukje se ka mbështetur në vazhdimësi bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete fqinje të pavarura e sovrane dhe përgëzoi klasën politike shqiptare të Kosovës për një përqasje racionale ndaj pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, duke pranuar logon e KQZ-së.

Kryeministri Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Shqipërisë dhe nënvizoi vendosmërinë që Kosova të ecë në rrugën e reformave dhe integrimit euroatlantik ndërsa vlerësoi rolin mbështetës të Shqipërisë si të pazëvendësueshëm në procesin e njohjeve, nismave rajonale dhe integrimit të Kosovës.