Ministri Arben Ahmetaj jeton me lekët e gruas. Kush e quan “ të korruptuar” gabon rëndë

1747
Sigal

Kush e quan “të korruptuar”, e ka gabim!

Ministri Arben Ahmetaj jeton me lekët e gruas

Shumëkush e konsideron ministrin aktual të “Virusit dhe Tërmetit”, Arben Ahmetaj si një zyrtar të korruptuar. Shumë personazhe publikë i përmendin atij “aferën e inceneratorëve”, duke e akuzuar se ndan miliona me Klodian Zoton.Por, ndoshta akuzuesit e tij mund ta kenë gabim. Formularët e tij të pasurisë tregojnë se ministri Ahmetaj rron dhe  përfiton vetëm pagën si ministër. Miliona e tjera ( euro, dollarë, apo paund, apo lekë) në familjen e tij kanë ardhur dhe vijojnë të vijnë nga aktiviteti profesional i bashkëshortes. Pra, kushdo që ka dyshime mbi integritetin e ministrit Ahmetaj, t’u hedhi një sy deklaratave të pasurisë që ka plotësuar vetë “krahu i djathtë” i kryeministrit Edi Rama dhe që gjenden të depozituara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).Nëse nuk ju bindin as këto, atëherë ky nuk është më problem i Arben Ahmetajt. “Problemi” i tij, nëse mund të quhet i tillë, është që duhet të jetojë me faktin që sjell në shtëpi të ardhura më pak se gruaja. Kjo është e vështirë për një burrë tipik shqiptar. Në formularët e pasurisë do të mësoni se Ahmetaj siguron rreth 1.5 milionë lekë në vit nga puna në zyrë. Aq ka mundësi ministri që të kontribuojë për familjen. Të tjerat, dhjetra mijëra euro nga dividentët, miliona të përvitshme nga interesat bankare, mijëra euro të tjera nga qiradhënie, janë të gjitha kontribut i bashkëshortes së tij, ish-biznesmene dhe prej disa vitesh drejtoreshë në një bankë të nivelit të dytë.

Humbi miliona për një post në shtet

Arben Ahmetaj ka kryer deklarimin fillestar të pasurisë në vitin 2004, kohë kur mbante postin e zv.ministrit të Integrimit Europian. Krahas pagës dhe dy shtëpive, në formularin e pasurisë ai deklaronte edhe 65 % të aksioneve në kompaninë “Hermes”.Bashkëshortja e tij, në vitin 2004, kishte hyrë në një proces investimi në sasinë 15%. Ndërkohë që një vit më pas përfshihet si aksionere në kompaninë “Hermes”, të themeluar nga Arben Ahmetaj.Ndërkohë që Arben Ahmetaj sillte në shtëpi vetëm pagën e tij në ministri, bashkëshortja mori “revanshin” financiar, i cili nisi në vitin 2005 dhe nuk ka ndaluar ende edhe sot.Në atë vit të largët, pra në 2005, bashkëshortja e Ahmetajt arkëton 5.6 milionë lekë të reja nga shpërndarja e dividentit në kompaninë private, si edhe 18 mijë dollarë nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve.Në Shtator të vitit 2005, Ahmetaj largohet nga posti qeveritar dhe për të personalisht fillon një periudhë ulje-ngritjesh financiare.Ndërkohë, bashkëshortja, Albina Mançka, vijonte ngritjen financiare. Në fund të vitit 2006, Mançka kishte siguruar 80 mijë dollarë nga shpërndarja e dividentit në kompaninë “H-Communication”, e cila kishte përthithur kompaninë “Hermes”.Në vitin 2010, Arben Ahmetaj rikthehet në pozicion e deklaruesit të pasurisë, pasi u zgjodh deputetë. Në formularin e dorëzuar në mars të atij viti, Ahmetaj bën një lloj përmbledhje të lëvizjeve të pasurisë së tij përgjatë kohës që i kishte munguar administratës publike.Referuar deklarimit të pasurisë, Ahmetaj duket se në periudhën 200-2009 ka notuar në “ujëra të turbullt” financiar, duke u punësuar si konsulent i jashtëm në kompanitë “H-Communication” dhe “Bindi Integrated”.

Ndërkohë që, me dividentin e përfituar nga bashkëshortja në vitin 2005, familja Ahmetaj bleu një shtëpi në plazhin e Durrësit.Po ashtu, Albina Mançka mori edhe frytet e kontratës së investimit, duke marrë në pronësi një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 200+60 m2, dy zyra dhe tre vende parkimi. Vlera e tyre përllogaritej në atë moment në rreth 105 mijë euro.Nuk mbaron këtu. Bashkëshortja e Ahmetajt përfiton edhe 310 mijë euro të tjera, nga një kontratë investimi për ndërtim në zonën e Selitës.Inventarit të pasurisë së tyre i shtohet edhe një tokë, 3 mijë metra katrorë, blerë në vitin 2009 me vlerë 3 milionë lekë të reja, pjesa më e madhe e të cilës me kredi.

Gruaja forcë e madhe

Duke filluar nga viti 2010, të ardhurat e familjes Ahmetaj përqëndrohen vetëm në punësimin e dy bashkëshortëve, si edhe në interesat e depozitave dhe qeratë, të cilat deklarohen si të ardhura nga Albina Manka.Në vitin 2010, Arben Ahmetaj, në atë kohë deputet, deklaron të ardhura vjetore në total rreth 3 milionë lekë. Bashkëshortja e tij deklaron rreth 3.5 milionë lekë të ardhura nga paga në bankën e nivelit të dytë, si edhe 9 mijë euro nga dhënia me qera e një apartamenti dhe një zyre.Në vitin 2011, Ahmetaj, vijon të jetë deputet i thjeshtë dhe përfiton pagë 3.5 milionë lekë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij përfiton më shumë se dyfishin-5.6 milionë lekë nga punësimi në bankë dhe 10 mijë euro nga qeratë.Ky trend vijon deri në vitin 2018, kur, pavarësisht se Arben Ahmetaj emërohet ministër pas zgjedhjeve të vitit 2013, ai mbetet shumë pas bashkëshortes, përsa i përket kontributit financiar në familje. Kjo, të paktën, referuar formularëve të pasurisë.