Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u takua dje me Kryeministrin e Kosovës, Hasim Thaçi. Kryetari i PD-së, Basha ka nënvizuar se, edhe tani që do jetë në opozitë Partia Demokratike do vazhdojë të mbështesë Kosovën: “Patëm rastin të shqyrtojmë disa çështje të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve, diskutuam për detyrën time të re, por rolin e opozitës së re në parlament, për rolin dhe vizionin që do kemi për Kosovën dhe integrimin evropian të Kosovës dhe Shqipërisë dhe evropianizimin në tërësi të Rajonit. Sigurova Thaçin që nuk do mungojë bashkëpunimi nga PD edhe në opozitë”, tha Basha. Duke u ndalur tek marrëveshja e Kosovës me Serbinë, Basha tha: “Marrëveshje historike që hap një kapitull të ri për gjithë rajonin provë e qartë e forcës dhe besimit që Kosova ka krijuar në vite”. Kryebashkiaku i Tiranës ka inspektuar edhe ndërtimin e rrugës prej 4 km të gjatë, që lidh zonën e Saukut dhe Komunës Farkë me kryeqytetin. Segmenti rrugor Farkë – Rruga e Elbasanit do t’u shërbejë rreth 20 mijë banorëve të njësisë nr. 1 dhe nr.2, në Bashkinë Tiranë dhe Komunën Farkë. Kjo rrugë për Kryebashkiakun Basha, do të shërbejë edhe për realizimin e një objektivi madhor të planit urbanistik, Tiranën e Madhe. Rëndësinë e kësaj arterie, Basha e ka ndarë në 3 plane. “Pikë së pari, kjo është një arterie shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone, të cilët për një periudhë 15-vjeçare nuk kanë pasur asnjë segment rrugor të shtruar apo të asfaltuar, ndërsa tani do të kenë një rrugë të parametrave evropianë, në shërbim të tyre. Së dyti, rruga do të shërbejë si një unazë rajonale e pjesës lindore të qytetit të Tiranës dhe komunave përreth, duke lidhur në kohë të shkurtër dhe në parametra të mirë, pa pasur nevojë të futen në Rrugën e Elbasanit, në qendër të Tiranës, të gjithë pjesën e Farkës, Bërzhitës, Petrelës, Dajtit dhe natyrisht pjesën lindore dhe juglindore të qytetit të Tiranës. Një “mushkëri” e re, vihet në dispozicion të qytetarëve të Tiranës, liqeni i Farkës i cili do të jetë një tjetër mundësi pushimi dhe rekreacioni për qytetarët e Tiranës. Nëpërmjet ndërtimit të kësaj rruge, koha e mbërritjes në brigjet e liqenit të Farkës dhe pedonales që së shpejti do të ndërtohet aty, nga komuna e Farkës do të jetë e barabartë, madje për shumë banorë më e shkurtër, se sa koha e mbërritjes në Liqenin Artificial”, u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Të hënën mblidhet grupi i PD-së, do zgjidhet kreu i grupit parlamentar
Të hënën mblidhet grupi i PD-së, do zgjidhet kreu i grupit parlamentar.
Parlamentarët demokratë do të zhvillojnë të hënën në orën 11:00 mbledhjen e tyre të parë në ambientet e selisë së re të PD-së. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha pritet të thërrasë mbledhjen e grupit parlamentar vetëm pak orë para seancës së parë të legjislaturës së re. Kreu i selisë Blu pritet të thërrasë grupin, ku do të vendoset edhe për zgjedhjen e kreut të grupit parlamentar të PD-së tashmë në opozitë. Ndërsa flitet ende mediatikisht për emra që do të drejtojnë grupin parlamentar kjo do të mbetet në dorë të votëbesimin të deputetëve demokratë për të zgjedhur atë që do të do t’i përfaqësojë në debate politike në parlamentin e ardhshëm. Megjithëse, Kryetari i PD-së ka paralajmëruar para pak kohësh se procesi i zgjedhjes së kreut të grupit do të bëhet në fillim të muajit para seancës, gjatë kësaj kohe në pritjet që ka zhvilluar me ambasadorët e akredituar në Tiranë janë vënë re edhe preferencat për deputetët që ka kryetari Basha. Në këto takime kreu i PD-së shoqërohej nga deputetët Eduart Selami, Gerti Bogdani, Oerd Bylykbashi, për të cilët mendohet se mund të ofrohen poste të rëndësishme brenda PD-së apo grupit parlamentar. Por nga ana tjetër ndërsa askush nga radhët e deputetëve demokratë nuk flet për emra konkretë, se kush do të jetë në krye të grupit parlamentar, disa prej deputetëve janë tashmë të artikuluar në media për këtë post, siç është rivali i Lulzim Bashës në garën për drejtimin e PD-së, deputeti Sokol Olldashi apo edhe deputetët Arben Imami, Edi Paloka etj.. Megjithatë, demokratët janë shprehur se, do të jenë një zë i fuqishëm në parlamentin e ardhshëm dhe do të bëjnë një opozitë të vërtetë përballë maxhorancës së Majtë. Ndërkaq, në këtë mbledhje pritet të vendoset edhe për pozicionet e tjera të deputetëve demokratë në parlamentin e ardhshëm të drejtuar nga e majta





















