Zëri i Amerikës: Brukseli paralajmëron me tone të ashpra Shqipërinë për ndryshimet kushtetuese. Të majtë dhe të djathtë të PE-së kundër kryeministrit Rama. Krerët më të lartë të BE-së, që nga McAllister, Santos, Qefalojanis: Ndryshimi i marrëveshjes së 5 qershorit rrezikon negociatat duke ju lënë jashtë BE-së. Rama: Reagimi i Wadephul, dispropociaonal. Opozita: Rama, përgjegjësi i vetëm para vullkanit popullor
Jakup B. GJOÇA
Kryeministri Rama, dje nga foltorja e Parlamentit, doli haptaz kundër SHBA-së dhe BE-së, duke deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, e cila, u përshëndet nga SHBA-ja dhe nga BE-ja. Kryeministri Rama, dje foli me gjuhën e Enver Hoxhës, i cili u ishte kundërvënë SHBA-së dhe Europës, në emër të mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe të sovranitetit të Shqipërisë. Kryeministri Rama gjithmonë, edhe në opozitë deri në 2013, ka qenë konsekuent kundër integrimit të Shqipërisë, derisa bllokoi në 2011, votimin e 3 ligjeve-kushte të BE-së, me pretekstin e Qarkut të Fierit. Ndërsa tani, e ka katandisur parlamentin në ilegjitim, derisa ka vetëm 86 deputetë me mandat të rregullt, derisa parlamenti ka vetëm 122 deputetë nga 140, e këta deputetët e “opozitës parlamentare”, janë deputetë që nuk përfaqësojnë elektorat, por janë bërë paterica të pushtetit të Ramës, derisa i votojnë symbyllur çdo ligj. Këta deputetë të “opozitës parlamentare” janë aty, për të amnistuar përgjegjësitë penale të tyre dhe të pjesëtarëve të familjeve të tyre, në këmbim të kartonit në Kuvend, që u japin ligjeve të kryeministrit Rama, edhe kur këto ligje janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, me interesat kombëtare, sikurse janë shumica e ligjeve-koncensione, apo të shkeljes të së Drejtave të Njeriut, Fjalës së Lirë, etj. Ndërkohë që miliona shqiptarë janë shprehur dhe i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, që ky parlament i turpit, të shpërndahet, mesazhi më i qartë i shqiptarëve u shpreh në 2 mars 2020.
VOA: Brukseli kundër ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri
Zëdhënësja e Komisionit europian Ana Pisonero tha sot (dje) se Marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore në Shqipëri është thelbësore, dhe se reforma si një kusht për nisjen e bisedimeve, nuk duhet të rrezikohet nga çfarëdo ndryshimi tjetër ligjor. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, e mbrojti nismën e ndërmarrë, duke deklaruar se parlamenti është sovran në vendimet e tij. Por për presidentin Ilir Meta, po ndërmerret një akt i njëanshëm dhe çdo ndryshim i Kushtetutës në këto rrethana, nuk do të njihet prej tij. Një ditë pasi ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, u shpreh se Marrëveshja e 5 qershorit duhet të miratohet sa më shpejt nga parlamenti dhe se çdo ndryshim tjetër duhet të diskutohet me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse, të enjten për këtë çështje foli dhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero. “Eshtë themelore që marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore të ruhet, duke parë nevojën e përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, një kusht i vendosur nga Këshilli Europian, përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Ndryshimet e tjera të mundshme nuk duhet të vënë në rrezik këtë objektiv parësor”, -shkruajti ajo në një postim në Twitter. Ndërsa duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund nismës që i hap rrugë listave të hapura dhe shmang koalicionet parazgjedhore në formën që janë aktualisht, nga foltorja e parlamentit, kryeministri Edi Rama, pati një përgjigje për partnerët ndërkombëtarë që u angazhuan për arritjen e Marrëveshjes së 5 qershorit: “Parlamenti i Shqipërisë, është sovran. Dhe në parlamentin e Shqipërisë do të vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar në këtë sallë. Dhe do të vendoset në respekt të Marrëveshjes së 5 qershorit nga njëra anë, dhe në respekt të më shumë se 80 përqind të shqiptarëve nga ana tjetër, që duan të kenë të drejtën të zgjedhin edhe deputetin e jo vetëm partinë. Dhe këto të dyja janë një fakt me të cilin të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë”. Por pasdite tre deputetë me peshë sa i përket Shqipërisë në Parlamentin Europian, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme David McAllister, Raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis, kërkuan përmes një deklarate që “parlamenti i Shqipërisë të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore”. Ata patën një mesazh të qartë për pasojat që vendi mund të ketë në procesin e integrimit, ndërsa pret hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim. “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo ndryshim i Marrëveshjes, pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë thirrjen e Konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian”. Eurodeputetët saktësojnë se “çdo vend është i lirë të vendosë dhe të përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, nënvizon deklarata, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor, duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës”, theksojnë eurodeputetët. Nga ana tjetër, për Presidentin Ilir Meta, “nisma e shumicës e prish në mënyrë të njëanshme marrëveshjen”. Ai nënvizoi se parlamenti aktual nuk ka legjitimitetin për të bërë ndryshime kushtetuese, ndërsa shtoi se vetë nisma është ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës, në periudhën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përgjatë së cilës nuk lejohen veprime për ndryshime të ligjit themeltar të shtetit. Po ashtu sipas tij, propozimet e bëra bien ndesh dhe me kushtetutën, pasi neni 96 i saj, i cili nuk është prekur, njeh koalicionet parazgjedhore. Sipas presidentit Meta, qëndrimi i njëanshëm i shumicës, thellon konfliktin politik dhe institucional. “Si garant i Kushtetutës dhe unitetit të popullit, u bëj thirrje të gjithëve për përgjegjshmëri dhe reflektim, dhe njëkohësisht do të ushtroj të gjitha përgjegjësitë e mia kushtetuese për të frenuar, për të paralizuar dhe njëkohësisht për të zhvlerësuar një veprim të tillë të paprecedent në 3 dekada pluralizëm. Një akt i tillë i njëanshëm nuk do të njihet nga Institucioni i Presidentit të Republikës”, -deklaroi zoti Meta. Nga ana e saj Partia Demokratike tha se deklarimet e kryeministrit Rama, se Marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preken janë të gënjeshtra, pasi të paktën në dy pika të saj flitet për koalicionet parazgjedhore, ndërsa ndërhyrjet në kushtetutë i shmangin ato, shpjegoi sërish sot (dje) Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.
Tre eurodeputetë thirrje të fortë Parlamentit të Shqipërisë: Ndryshimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon negociatat
“Qeveria dhe opozita duhet të ruajnë konsensusin ndër-partiak”. Në një deklaratë të përbashkët, tre eurodeputetë kanë dërguar një mesazh të fortë për Shqipërinë. Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister, raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis, kërkuan nga Parlamenti i Shqipërisë që të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Në deklaratë tre eurodeputetët, që janë jo pak të njohur për Shqipërinë shprehen se shumica parlamentare duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Ata thonë se ndryshimet kushtetuese pa konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojnë thirrjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian. “Shqipëria është një vend i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar, por sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor, duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës. Parlamenti Europian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë që janë të domosdoshme për BE-në, dhe vendin në të ardhmen“, -shtohet në deklaratë. Të tre eurodeputetët kanë një raport shumë të ngushtë me Shqipërinë, pasi Santos raporton drejtpërdrejtë në PE për arritjet e Shqipërisë, Kefalogiannis është kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë dhe e njeh çështjen e Shqipërisë. Ndërkohë McAllister është njeriu që në vitin 2017 uli në tryezë Ramën dhe Bashën dhe arriti marrëveshjen e 17 majit që njihet si “Bin Mac”. Reagimi i tre eurodeputetëve, vjen në një kohë kur Edi Rama dhe Partia Socialiste, kërkojnë t’i shkojnë deri në fund nismës për ndryshimet kushtetuse që heqin koalicionet dhe hapin listat zgjedhore, sipas kërkesave të opozitës së re. Kundër Ramës dhe ndryshimeve kushtetuese pa konsensus janë dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë. Nënkryetari i grupit të CDU/CSU-së, David Wadephul, Komisioneri Oliver Vaferlei dhe ambasadorët kërkojnë që marrëveshja e 5 qershorit të miratohet pa ndërhyrje të tjera.
Kryeministri Rama: Reagimi i Johann Wadephul zv/kryetarit të CDU/CSU-së, disproporcional
“Nuk është e lehtë ju e patë reagimin edhe të një personaliteti të Bundestagut, një reagim disproporcional dhe në thelb i padrejtë, me këtë parlament po nga tregon se sidoqoftë duhet të konsiderojmë mosprekjen e Marrëveshjes se 5 qershorit. Nuk jam, dhe këtë ua them sot, jemi Atdheu i Shën Thomait, jo i Jezu Krishtit, por do i qëndrojmë deri në fund asaj, që kemi vendosur te ligjet, do i hapim listat. Sa dhe si do i diskutojmë në vijim, kemi kohë. Askush nuk mund t’i ketë listat e hapura më pak se 2/3 dhe kemi rënë me konsensus se duhet të garantojmë të drejtat e grave. Shqipëria është rritur në vite si vend burrash, por në fakt në Shqipëri shpëtimi gjithmonë kanë qene gratë, edhe pse nuk janë parë si të tilla, edhe ky parlament është shumë më i mirë se i mëparshmi, se është shtuar prania e grave në sallë. Që gratë të konkurojnë si burrat, duhet shoqëria t’i pranojë njësoj pozicionin i tyre që të jetë njësoj, por ne e dimë shumë mirë që nuk është, dhe e mbajmë këtë balancë me kuota. Gratë në Shqipëri ende nuk i kanë këmbët e lira për të vrapuar njësoj si burrat. E dimë ç’ndodh me shumë elementë të tjerë diskretitues për burrat në Shqipëri. S’kam dëgjuar dhunë ndaj burrave, por ndaj grave. Burra të dhunuar janë ata që flasin në emër të barazisë të konkurencës pa kuota. Ne thjesht po bëjmë atë që bën Gjermania, ajo që shoh e dëgjoj, është se po ndalojmë koalicionet, kjo është qarja e fundit e Lulit, në kohë. Ne nuk do i ndalojmë koalicionet, por do i bëjmë si në Gjermani, dhe do isha mirënjohës nëse më tregoni një shtet demokratik që i ka koalicionet si në Shqipëri. Të më sjellin një. Italia i ka si do i bëjmë ne. Koalicionet janë program dhe listë e përbashkët. “Casa dela Liberta” ishin koalicion, por me një listë të përbashkët. CDU/CSU-ja është koalicion, por ka një skuadër dhe i shpërndajnë në betejë jo me 3 mijë kandidatë si kemi ne në Tiranë dhe në fund shumë nga votat që shkojnë te njëri, mblidhen në prehrin e tjetrit. Kështu nuk do ketë më.”