Ndërtuesit nuk bëhen pesimistë nga pandemia, presin rritje të çmimeve të banesave me 5.6%

449
Pandemia e Covid-19 kudo në botë e ka ulur kërkesën për mallra të qëndrueshme dhe po ushtron presion mbi konsumin edhe pas heqjes së masave bllokuese, por në Shqipëri, kërkesa për banesa po rritet, duke ushtruar presion mbi rritjen e çmimeve.
Sigal

Bizneset në sektorin e ndërtimit presin një rritje të çmimeve me 5.7% në tremujorin e dytë të vitit 2020 në anketën që Banka e Shqipërisë ka bërë për indeksin e besimit në tremujorin e dytë të vitit. Kjo ishte rritja më e madhe e pritshmërive mbi çmimet në sektor që nga tremujori i parë i vitit 2014. Sektorit i ndërtimit po kalon një periudhë “lulëzimi” prej ndërtimeve në banesat luksoze, hotele dhe resorte në bregdet.

Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se shitjet e banesave vijuan edhe gjatë karantinës, ndërsa pas majit, tregu i është kthyer normalitetit edhe në drejtim të shitjeve.

Pritshmëritë e ndërtuesve për çmimet e banesave bazohen edhe në ecurinë pozitive të këtij treguesi vitin e fundit.
Tregu i banesave në vendin tonë në 6-mujorin e dytë të vitit 2019 ka shënuar rritje si në drejtim të ofertës ashtu edhe kërkesës sipas një ankete që Banka e Shqipërisë ka bërë në operatorë kryesorë të tregut dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme. Këto zhvillime janë shoqëruar edhe me rritje të çmimeve me rreth 13.8%.
Banka raportoi se vëllimet e shitjeve kanë rënë lehtë vetëm në zonat qendrore të Tiranës dhe janë rritur në të gjithë zonat e tjera të kryeqytetit dhe në rang vendi.

Gjatë vitit të kaluar, Indeksi i Çmimit për Tiranën u rrit me 34.7% ndaj periudhës bazë (2013) dhe me 14.9% ndaj periudhës paraardhëse. Çmimet mesatare raportohen të rritura ndjeshëm në të gjithë vendin, por kanë qenë relativisht të qëndrueshme në qytetet bregdetare. Në Tiranë, ato u rritën me 15.3% në qendër, rreth 25% në zonat jashtë qytetit dhe shumë pak në zonat periferike.

Për 6-mujorin e dytë të 2019-s, çmimet ishin më të larta se për 6-mujorin e parë, teksa pritshmëritë janë për çmime më të larta edhe për 6-mujorin e parë 2020.

Çmimet e banesave të llogaritura për shitjet e kryera në 6-mujorin e dytë 2019 janë rritur me 13.8% në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe me 33.5% në krahasim me periudhën bazë (viti 2013).