Rama: Shqipëria vuan pasojat e abuzimeve afatgjata

527
Në një takim për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste, të mbajtur këtë pasdite në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, sot Shqipëria po vuan pasojat e abuzimeve të kryera përgjatë një gjenerate të tërë. Duke e vënë theksin tek reformat e qeverisë së tij, Rama ka theksuar se, nëse ato do të kishin marrë jetë vite më parë, sot situata në sektorët jetikë të vendit do të ishte ndryshe. 
“Nëse paratë e shtetit do të ishin investuar në arsim, shëndetësi apo bujqësi, sot situata do të ishte ndryshe. S’do të kishim një shkollë apo një spital jashtë standardeve”, ka thënë Rama. “Nëse aksioni anti-informalitet do të ishte bërë më parë, ne do të kishim fituar më shumë para. Me këto para do të kishim investuar në shëndetësi në 20 vjet sa në 200 vjet”, ka vijuar shefi i qeverisë. 
Ai ka nënvizuar se, në këto 25 vjet klasat politike qeverisëse i kanë lejuar vetes një fushë abuzimi shumë të madhe, pasojat e të cilës ndihen sot. “I kemi lënë vetes kaq shumë fushë abuzimi dhe vetëpëlqimi me abuzimin në gjithë këto vite, sa kemi krijuar një prapambetje organike shumë të madhe. Një prapambetje që nuk kapërcehet lehtë sepse është prapambetje e një gjenerate”, ka thënë Rama.
Sigal