Rama-Schulz: Kryesfida është reforma në drejtësi, do ta kalojmë në vjeshtë

445
Kryeministri Edi Rama priti te henen pasdite në një takim Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Rama ripërsëriti në një prononcim pas këtij takimi edhe një herë zotimin e mazhorancës për të përfunduar në vjeshtë reformën në drejtësi.
“Folëm për sfidat që ka vendi, ku kryesfida është reforma në drejtësi dhe ne këtë kryesfidë do ta kalojmë në vjeshtë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, kjo reformë shërben për ta transformuar një herë e përgjithmonë Shqiperinë, për ta kthyer në një vend të gatshëm për t’u brë pjesë e BE. Ndërsa kreu i PE, Schulz, theksoi se ishte kënaqësi që mbajti premtimin e bërë për të ardhur për herë të parë në Tiranë.
“U nisa sot në mëngjes nga Mynihu vetëm pak minuta pasi u arrit marrëveshja në Bruksel me Greqinë”, tha Schulz, i cili shtoi se, “me anë të kësaj marrëveshje u arrit të shmanget një krizë edhe më e thellë e BE”. Schulz theksoi se “ky është një lajm i mirë, pasi kriza do të prekte edhe Shqipërinë dhe është lajm i mirë për të gjithë BE-në, pasi tashmë mund të vazhdojmë punën për të hartuar një paketë tjetër për Greqinë dhe për të ecur përpara”. “Pata një shkembim të hapur dhe të mirë me z. Kryeminsitër dhe ramë dakord për çdo gjë”, tha Schulz, i cili vlerësoi rolin konstruktiv që luan Shqipëria në rajon dhe në veçanti ai falenderoi Kryeministrin për rolin që luan qeveria e tij në këtë fushë. Po ashtu, Schulz falenderoi Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për mbështetjen tepër të qartë që i ka dhënë BE-së për marrëdheniet me Rusinë, ku Shqipëria ka mbajtur të njëjtën linjë si ajo e BE. Gjithashtu, Schulz ka falenderuar Kryeministrin Rama edhe për transformimin që i ka bërë Kryeministrisë duke treguar se është një njer i artit dhe që e vlerëson shumë artin.
Sigal