Tentuan të trafikonin drogë, Prokuroria: Ja linja që do ndiqnin italiani dhe shqiptari

504
Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kërkesën për shtetasin Bardhi Hysa, i akuzuar për trafik të një sasie prej 10.5 kg lëndë narkotike në bashkëpunim, mbetur në tentativë. I pandehuri (hetimi ndaj të cilit është zhvilluar në mungesë), akuzohet se, në bashkëpunim me shtetasin italian, Angelo Bonano, kanë tentuar të trafikojnë lëndën narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, nëpërmjet territorit të Malit të Zi. Por ky plan i tyre nuk është realizuar pasi, në 8 maj 2014, policia ka arrestuar shtetasin italian Bonano në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, duke dalë nga Shqipëria për në Malin e Zi, në mjetin e të cilit është gjetur e fshehur lënda narkotike. Aktualisht, shtetasi Bonano është dënuar për këtë vepër penale. Ndërkohë, gjatë hetimit dhe gjykimit të tij, u arrit të provohej edhe bashkëpunimi në këtë trafik të mbetur në tentativë i shtetasit shqiptar, Bardhi Hysa. Shtetasit Hysa dhe Bonano, pavarësisht përgatitjeve të tyre, kanë dështuar edhe për shkak të pakujdesisë së treguar.
Italiani Bonano ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet Malit të Zi me një taksi, i shoqëruar nga nipi i të pandehurit Hysa, 4 ditë para arrestimit. Më tej, nga Shkodra, italiani Bonano ka udhëtuar drejt Tiranës, ku është takuar me të pandehurin Hysa, me të cilin kishte njohje që në Itali. I pandehuri Hysa kishte mbërritur nga Italia në Shqipëri disa ditë para arrestimit të Bonanos, me mjetin Mitsubishi, në pronësi të shtetasit italian. Pasi kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte fshehur në pjesën e poshtme të automjetit, ai kishte njoftuar Bonanon që të vinte nga Italia në Shqipëri. Ky i fundit kishte ndjekur itinerarin tokësor nëpërmjet Malit të Zi. Pasi ka takuar Hysën në Tiranë, Bonano ka marrë mjetin në pronësi të tij, në të cilin gjendej lënda narkotike, dhe është nisur drejt pikës kufitare të Muriqanit, për në Mal të Zi.
Në pikën kufitare të Muriqanit, në dalje, policia shqiptare ka kryer kontroll në mjetin e tij, nisur nga dyshimet se shtetasi Bonano kishte hyrë në Shqipëri me taksi dhe po dilte nga vendi ynë me një mjet, në pronësi të tij, e regjistruar në Itali. Pra, fakti që italiani Bonano kishte hyrë pa automjet dhe po dilte me automjetin e tij, krijoi dyshimet e para tek forcat e policisë mbi faktin se si kishte hyrë ky mjet në Shqipëri. Gjatë kontrollit, në automjetin e Bonanos, u gjetën të fshehura 19 pako në forma drejtkëndore, të mbështjella me ngjitës natriban ngjyrë kafe, me përmbajtje lëndë bimore kanabis sativa, me peshë të përgjithshme 10 (dhjetë) kg e 496 gram.
Menjëherë u krye arrestimi i tij, ndërkohë që Prokuroria për Krime të Rënda, pas referimit të rastit, nisi hetimet për bashkëpunëtorët e mundshëm. Në vijim të këtyre hetimeve u arrit të provohej se bashkëpunëtori i tij kryesor ishte shtetasi shqiptar Bardhi Hysa. Për më tepër, është provuar se ky shtetas ka qenë në shoqërim në distancë të Bonanos nga Tirana deri në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Muriqanit. Pasi duhet të jetë vënë në dijeni për arrestimin e bashkëpunëtorit të tij, italianit Bonano, shtetasi Hysa është larguar dhe deri në përfundim të hetimit nuk është bërë i mundur arrestimi i tij. Në mbyllje të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim kërkesën për shtetasin Bardhi Hysa, me akuzën se ka kryer veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Sigal