Rama takon Nuland, diskutohet për zgjedhjet, reformat dhe rajonin

468
Kryeministri Edi Rama priti te henen në një takim NënSekretaren Amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, Victoria Nuland. Në një postim në rrjetin social në “Facebook”, Kryeministri Rama shkruan se në takim u fol për zgjedhjet e sukseshme, progresin e reformave dhe për rajonin. “Me Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, për zgjedhjet e suksesshme, progresin e reformave dhe rajonin tonë”, shkruan Kryeministri Rama në postimin e tij.
NënSekretarja Amerikane e Shtetit, Nuland, vizitë në Ballkan
Gjatë qëndrimit në vendin tonë zyrtarja e Departamentit të Shtetit zhvillon takime me autoritetet më të larta shqiptare, për intensifikimin e dialogut mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Në fillim të turit rajonal, znj.Nuland mori pjesë në “Forumin Kroacia 2015″ në Dubrovnik, nga ku përcolli mesazhe të rëndësishme për Ballkanin. SHBA, tha ndihmës sekretarja amerikane, mbështesin një Ballkan të lirë, në paqe dhe begati, por vendet e rajonit duhet të varrosin njëherë e përgjithmonë, urrejtjen, kriminalitetin, lakminë dhe despotizmin. Të shtunën Nuland u ndal në Srebrenicë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të masakrës së forcave serbe, të cilat vranë mbi tetë mijë burra myslimanë.
Ndërsa pas takimeve të dielën në Prishtinë, zyrtarja e DASH tha se, nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën e Posaçme për krime lufte, marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje.
Pas Tiranës, turi i zonjës Nuland do të vijojë me vizitat e tjera në vendet e rajonit, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni.
Sigal