Rama: Samiti i Diasporës në Tiranë të marrë shembull tek Kongresi i Manastirit

476
Sigal

Kryeministri Edi Rama përkujton 108-vjetorin e çeljes së Kongresit te Manastirit, duke sjellë dy foto në rubrikën e bërë traditë, AMARCORD dhe njëherazi duke hequr një paralele mes Kongresit të Manastirit dhe Samitit te Diasporës, që do të mblidhet në Tiranë këtë fundjavë. Në postimin në statusin e tij Facebook, kryeministri Rama shprehet: “Nga Kongresi i Manastirit, të cilit sot i përkujtojmë 108- vjetorin e çeljes, kanë mbetur pothuajse vetëm dy foto të mirënjohura, njëra prej të cilave paraqet delegatët e tubuar së bashku”. “Përveç përpunimit dhe njehsimit të alfabetit të gjuhës sonë, kontribut i paçmuar që duhet ta përvetësojmë çdo ditë për një përdorim sa më të kulluar të shqipes, ky kongres mund të konsiderohet si i pari që mblodhi rreth problemeve shqiptare, përfaqësues nga diaspora e atëhershme”, shprehet Rama. Kryeministri Rama thekson se “Samiti që do të mblidhet në Tiranë këtë fundjavë, duhet të shohë te Kongresi i Manastirit një shembull gjithmonë të gjallë e ushqyes për të ardhmen e Shqipërisë, një dhe të pandarë”.