Rama prezanton në Mirditë kandidaturat e PS-së të Qarkut Lezhë

501
Sigal

Kreu i PS-së ka qenë i shoqëruar nga Mimi Kodheli udhëheqësja e listës dhe kandidatët e tjerë

Njoftimi i kujdesshëm i Kryesisë së Partisë Socialiste të Mirditës ka bërë dyndjen masive të banorëve të 5 komunave dhe 2 bashkive të rrethit, ku kanë mbushur si asnjëherë tjetër sheshin “Abat Doçi” të Rrëshenit, për të parë e dëgjuar drejtpërsëdrejti Kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë z.Edi Rama për të prezantuar skuadrën fituese të Partisë Socialiste të Qarkut Lezhë, ku bën pjesë dhe Mirdita si dhe programin e kësaj partie. Dje pasdite rreth orës 17:00, Partia Socialiste e Mirditës ka organizuar mitingun në  sheshin “Abat Doçi” me një pjesëmarrje si asnjëherë tjetër dhe pa frikë, mund ta quash si një miting madhështor, ku shumë pjesëmarrës mbanin në duar dhe valëvitnin flamurin e Partisë Socialiste. Autobusi me të cilin ka udhëtuar në të gjitha takimet e tij anë e kënd vendit z. Rama, ka mbërritur në Rrëshen në pasditen e së enjtes i shoqëruar nga znj. Mimi Kodheli udhëheqësja e listës së Partisë Socialiste për deputete në Qarkun e Lezhës, bashkë me deputetët e tjerë të renditur në këtë listë. Ardhja e Edi Ramës në Rrëshen është pritur me duartrokitje e brohoritje për Edi Ramën, Partinë Socialiste dhe fitoren e saj që ka vazhduar për disa minuta. Kryetari i Bashkisë Rrëshen z.Ndue Gega i ka uruar mirëseardhjen Kryetarit të Partisë Socialiste z. Edi Rama. Spikerja e këtij mitingu ka thirrur me radhë sipas numrit rendor të listës të gjithë emrat e kandidatëve për deputet, ku janë prezantuar para publikut Mirditor. Pasi kanë zënë vend në tribunën qendrore, fjalën e ka marrë z. Edi Rama, i cili ka shpalosur programin e tij, kur ndër të tjera popullit të Mirditës i premtoj, se me ardhjen e partisë së tij në pushtet do të ketë në qendër të vëmendjes hapjen e minierave, të cilët do të punësohen jo vetëm mirditorët, por edhe një pjesë tjetër e Shqipërisë, çka do të bëj të mundur rritjen e mirëqenies tuaj dhe të familjes tuaj. Ai nuk ka lënë pa përmendur atë që shpesh e bën pjesë të fjalimeve dhe premtimeve të tij se 21 janari nuk do të kalojë si deri më tani, por do të vihen para përgjegjësisë urdhëruesit dhe vrasësit e 4 njerëzve të pafajshëm. Në fund u dha një koncert nga ansambli “Mirdita”.