Rama: “Ka lidhje të drejtpërdrejtë mes kupolës së MB-së dhe botës së krimit”

442
Sigal

Kryetari i PS-së prezantoi programin për rendin dhe sigurinë publike

Kreu i PS-së Edi Rama gjatë prezantimit të programit “Për një Rilindje Shqiptare” premtoi se brenda 300 ditëve të mandatit qeverisës socialistët do të zhvillojnë ‘betejën’ me krimin me qëllim rimarrjen e territorit nga krimi dhe kthimin e policisë së shtetit në shërbim të qytetarëve. “Ne kemi marrë një angazhim brenda 300 ditëve të para të qeverisjes sonë do të zhvillojmë një luftë të paparë me krimin, do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Do t’u japim shqiptarëve në shërbimin e tyre një Polici të Shtetit si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për t’ju përgjigjur sfidave të kohës që jetojmë. Do të shënojmë një fitore të rëndësishme në betejën me krimin. Sigurisht, që ne nuk besojmë se lufta me krimin është një luftë që mund të zhvillohet dhe mund të përfundojë brenda 300 ditësh. Ne besojmë se brenda 300 ditësh mund ta zmbrapsim krimin, të rimarrim në dorë kontrollin mbi territorin dhe të vendosim një ekuilibër të ri në raportin e forcave në këtë fushë beteje ku krimi sot ka një epërsi të papërballueshme. Ne besojmë që sa ç’është e rëndësishme lufta frontale me krimin aq është e rëndësishme dhe beteja me shkaqet e krimit. Beteja me shkaqet e krimit është një betejë që zhvillohet çdo ditë dhe të cilën ne do ta zhvillojmë pa pushim në 4 vitet e mandatit tonë qeverisës.” , theksoi Rama, gjatë prezantimit të programit “Për një Rilindje Shqiptare”, kapitulli për “Rendin dhe Sigurinë”. Duke iu referuar aktualitetit, kryesocialisti theksoi se 5 persona kanë humbur jetën në më pak se 48 orë, teksa shtoi se në mandatin e saj qeverisës, PS-së do të zhvillojë ‘betejën’ e saj kundër krimit duke vendosur theksin tek shkaqet e tij. “Nuk ka më kohë për të reaguar me forcë dhe për të zhvilluar një luftë nga e cila duhen përfituar menjëherë dy gjëra: paprekshmëria e individit dhe pacenueshmëria e pronës”, shtoi Rama. Rama sulmoi ashpër atë që ai e quajti “Kupola e Ministrisë së Brendshme”, duke hedhur akuzua për lidhje me botën e krimit dhe favore reciproke. Rama teksa etiketoi ministrin Flamur Noka si personazh komik, tha se ai mban gabimisht postin, duke premtuar se do i kthejë Ministrisë së Brendshme dinjitetin e humbur prej vitesh. “E kemi thënë, dhe e përsërisim, me ngulm; Policia e Shtetit sot është braktisur, është tradhtuar, është lënë në mëshirë të fatit. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes kupolës së Ministrisë së Brendshme dhe botës së krimit. Është një lidhje ku kalojnë rrugët e korrupsionit, rrugët e kontrabandës, rrugët e favoreve reciproke që shkëmbejnë mes njëra tjetrës kupola e Ministrisë së Brendshme dhe bota e krimit. Ne do t’i mbyllim këto rrugë. Ne do t’i japim Ministrisë së Brendshme dinjitetin e humbur prej vitesh, por tanimë të nëpërkëmbur në mënyrën më të papërballueshme nga qenia në krye të vetë e një personazhi që gabimisht gjendet në zyrën e Ministrit të Brendshëm sepse duhet të ishte në skenën Portokallisë. Besoj që megjithë nivelin e lartë që ka arritur Portokallia nuk gjendet në Shqipëri një aktor që të mund të jetë në lartësinë e Ministrit të Brendshëm për të bërë të gajaset populli shqiptar”, nënvizoi Rama.  “Pas 23 Qershorit do të ristrukturojmë forcë e goditjes së shtetit në funksion të paprekshmërisë së individit duke e ngarkuar policinë e shtetit të bëjë atë rol që nuk e bën, rol që e kanë marrë të fortët dhe qytetarët. Nuk mund të lejojmë armatosjen e njerëzve me çifte se kanë frikë se i futet njeri brenda. ‘Një shtet një polici’ do jetë motoja e programit tonë ‘Për një Rilindje Shqiptare’ në lidhje me shtetin dhe policinë. Polici që të jetë garanti për qytetarët dhe territorin. Nuk mund të lejojë të gëlojë anarkia dhe rrumpalla”, shtoi Rama.

 Saimir Tahiri

 “Ky vend është më i pasigurt se kurrë. Ky vend qeveriset nga të paaftë, militant dhe kokëbosh. Këta njerëz që qeverisin nuk duan një vend të qetë, të sigurt . Vazhdoni merruni me ne, me padi ndaj deputetëve të opozitës. Ne do merremi me qytetarët, për t’ua bërë jetën më të sigurt”.