Rama ka blerë emërimin e ambasadorëve në Tiranë, për t’i patur paterica të pushtetit të tij

378
Sigal

Prof. Dr. Enver Bytyçi, politilog

Kryeministri Rama ka vendosur të shpërfillë kushtet e BE-së  dhe  ta bllokojë integrimin europian të Shqipërisë, këtë ëndërr  dhjetra – vjeçare të shqiptarëve

Prof. Dr. Enver Bytyçi, politilog në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri Rama, duke grisur marrëveshjen e 5 qershorit, ka për qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Ndaj po përdor të gjitha llojet e manipulimeve që mundet. Zoti Bytyçi hedh dyshime edhe për qëndrimin e ambasadores Yuri Kim, të cilën e quan përkrahje integruese  për kryeministrin shqiptar, sepse Rama ka blerë emërimine  ambasadorëve në Tiranë, për t’i përdorur ata si paterica të pushtetit të vet. Zoti Bytyçi argumenton se kryeministri Rama, ka cenuar interesat gjermane në pazaret me Serbibë dhe Rusinë në kurriz të Kosovës. Zoti Bytyçi thotë se borxhi  real i jashtëm i Shqipërisë, që është 115 % e PBB është i pamenaxhueshëm, prandaj shqiptarët në 25 prill 2021 duhet që me votë të vendosin për fatet e tyre.

– Prof. Bytyçi, pardje ambasadori gjerman në Tiranë theksoi se për integrimin e Shqipërisë  është kusht i Bundestagut, Reformë Zgjedhore konsensuale. Ndërkohë, kryeministri Rama, çon  të hënën në Parlament draftin e Kodit Zgjedhor, pa miratimin e opozitës, duke hedhur poshtë edhe marrëveshjen e 5 Qershorit. Ky veprim i Ramës është aventurë politike?

– Ambasadori i Gjermanisë, zoti Peter Zingraf, u shfaq në përkujtim të 30 -vjetorit të bashkimit të Gjermanisë dhe dha një porosi të qartë të qeverisë së tij: – Zbatoni marrëveshjen e 5 qershorit ose ndryshe nuk ka përparim në integrimin europian. Por një ditë më pas, Damian Gjiknuri bëri thirrje në grupin parlamentar të PS-së që “t’i japin një mësim opozitës” me shkeljen e asaj marrëveshjeje, duke mos zbatuar marrëveshjen e 5 qershorit. Pra kryeministri Rama ka vendosur të shpërfillë kushtet e BE-së dhe  ta bllokojë integrimin europian të Shqipërisë, këtë ëndërr  dhjetra – vjeçare të shqiptarëve. Duket se Edi Rama ka për qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Ndaj po përdor të gjitha llojet e manipulimeve që mundet. Këtij qëllimi i shërbejnë ndryshimet kushtetuese  të dhunshme e të njëanshme, miratimi kodi zgjedhor rilindas dhe jo kombëtar e me konsensusin e të gjitha palëve, manipulimi i listave, ndryshimi i qendrave të votimit, evidentimi i kartave të identitetit, shit-blerja e votes, listat me administrator për të dëshmuar permes tyre votat e vjedhura, të blera ose të imponuara. Në raportet me jashtë ai po luan me grindjet midis SHBA-ve dhe Bashkimit Europian,  saktësisht Gjermanisë. Nga i preferuari i Angela Merkel, është bërë i preferuari i atij, të cilin e e quante para katër vitesh në CNN “si kërcënim për civilizimin”, pra i preferuari i Donald Trump. Edi Rama bën aventura në cirkun e zhvillimeve, por nuk bën vetëvrasje. Atë duhet  “ta vrasin” shqiptarët politikisht, me qëllim që të shpëtojnë prej tij. Ndryshe do të detyrohen të flenë gjumë e të ngrihen në mengjes me borinë e borizanit të çetës sonë, Edi Ramës!

– Çfarë e ka detyruar tani Ramën të kundërshtojë haptaz pikërisht ndërkombëtarët, që i kishte “aleatë politikë”, duke thënë se nuk pyet më as ambasadorë për ligjet që do miratojë?

– Edi Rama i pati blerë ambasadorët, edhe Lu-në, edhe flokë-kuqen. Madje kishte blerë emërimin e tyre në Tiranë. Fatkeqësisht edhe tani shoh se ai përkrahet p.sh nga ambasadorja amerikane, Juri Kim. Të ndërmjetësosh një marrëveshje midis Ramës dhe opozitës,  e më pas të thuash se palët duhet t’i përmbahen marrëveshjes, kur marrëveshjen e shkel Rama, është përkrahje intriguese.  Por një gjë është e sigurt. Edi Rama ka humbur përkrahjen e Bashkimit Europian, veçmas atë të Gjermanisë. Kjo ka ndodhur pas një zhgënjimi të madh ndaj tij. BE dhe kancelarja gjermane e pritën me shumë shpresë fitoren e tij më 2013-ën.  Ndërsa në vitin 2018, pas zgjedhjeve të manipuluara të 2017-ës,  Rama cënoi interesat europiane dhe gjermane me pazaret e tij me Serbinë dhe Rusinë në kurriz të Kosovës dhe stabilitetit rajonal. Përkeqësoi situatën ekonomike,  konfliktin politik, gjendjen e të drejtave të njeriut, sistemin e qeverisjes, shtoi bashkëpunimin me kriminelët, manipuloi zgjedhjet, rriti kujdesin e tij për trafikun e drogës dhe u shfaq si një bajraktar në katundin tonë të madh me emrin Shqipëri. Kryeplaku Rama, me ose pa brekushe, u bë delja e zezë e Europës. Prandaj dhe ka humbur çdo shans që ai të fitojë më besimin e kancelarive europiane.  Ai po manovron këto kohë që të fitojë mbështetjen e administrates Trump, por do t’i duhet të paguajë koston e kësaj mbështetjeje. Gjykoj se zoti Trump e ka punën shumë keq me zgjedhjet, derisa po kërkon edhe ndihmën e një të çmenduri në Ballkan  për t’i fituar ato.

– Në qëndrimet dhe veprimet e kryeministrit Rama për të mos përmbushur Shqipëria kushtet e BE-së  për integrim dhe hapje të negociatave, a duhet të dyshojmë se qëllimi i tij është pikërisht Shqipëria të jetë larg BE-së  që ai të qeverisë pa mbikqyrje të BE-së?

– Absolutisht po. Disa muaj para se Keshilli i Ministrave të BE-së të vendoste hapjen e negociatave pa datë  të caktuar isha në një konsultë me një përfaqësues të zonjës Merkel në Tiranë. Atëherë bëhej fjalë për shtimin e dy kushteve, nga 7 në 9. Në konsultë i thashë atij, se me Edi Ramën, ju do të jeni të detyruar t’i shtoni edhe më tej kushtet për Shqipërinë e t’i çoni në 12 e ndoshta në 15. Numrin 15 e vuajta një kohë, ndoshta nuk duhej ta përmendja, sepse do dilja bllof.  Por nuk më shkonte në mendje se Bundestagu gjerman dhe KE do vinte Edi Ramës dhe qeverisë së tij 15 kushte për hapjen pa datë të negociatave. Ndodhi edhe kjo, pikërisht për shkak se kryeministri i vendit tonë nuk e dëshiron integrimin e vendit të tij në BE, pavarësisht se mbi 90 përqind e shqiptarëve e duan këtë integrim. Do të ishte ky fakt i mjaftueshëm për ta zbuar zotin Rama nga pushteti dhe nga politika.

Rama përkrahet nga ambasadorja amerikane, Juri Kim. Të ndërmjetësosh një marrëveshje midis Ramës dhe opozitës, e më pas të thuash se palët duhet t’i përmbahen marrëveshjes, kur marrëveshjen e shkel Rama, është përkrahje intriguese

– Nëse parlamenti të hënën voton Kodin Zgjedhor, siç e ka hartuar mazhoranca, cili duhet të jetë reagimi i Opozitës?

– Opozita shqiptare po dëshmon se është sot opozitë normale përballë një kryeministri jo normal. Është shumë e vështirë të jesh normal përballë një kryeministri bullist si Edi Rama. Prandaj opozitës dhe kreut të saj, zotit Basha i duhet njohur kjo meritë. Kësisoj shqiptarët kanë një provë të sigurtë se kjo opozitë pas 25 prillit,  do të jetë në pushtet dhe do të ndërtojë një qeverisje normale. Ju siguroj se një qeverisje normale bën gabime, por nuk ndërton skema e skenarë shkatërrues  për vendin e vet, siç po bën rilindja e Edi Ramës. Nëse bota do të shohë një qeverisje normale, ajo edhe ne qytetarëve shqiptarë,  do na shohë si njerëz normalë. Ndërsa sot bota e civilizuar  na sheh si ufo, sepse kemi një qeverisje ufosh, matrapazësh, drogaxhinjsh, trafikantësh, kriminelësh.

– Prof. Bytyçi, mospranimi i rolit të Ramës me cilësinë e Kryetarit të rradhës të OSBE-së si ndërmjetës për negociata nga opozita bjelloruese, po edhe nga Lukanshenko, a është tregues se Edi Rama është i pabesueshëm dhe i papranueshëm edhe në diplomacinë ndërkombëtare?

– Në vitet e para të qeverisjes zoti Rama ndërtoi thagmën, sipas së cilës, “nëse ju pjestarët e familjes time nuk më pranoni, janë ata jashtë vendit, të mëdhenjtë e Europës, që më duan”. Por njeriu që në familjen e tij është arrogant dhe i pabesë, nuk mund të jetë ndryshe jashtë kësaj familjeje. Kryeministri ynë veproi me pabesi dhe me intriga. Nuk ka lënë asnjë homolog të tij pa e zhgënjyer, së paku njëherë. I vetmi që nuk është zhgënjyer prej Ramës është presidenti i Serbisë,  Aleksandër Vuçiç. Dhe kjo ka ndodhur, pasiqë  ai ia ka plotësuar të gjitha kërkesat, duke shkelur mbi të drejtën e Kosovës, mbi gjakun e shqiptarëve, mbi çdo gjë të shenjtë tonën. Në gjallje të tij Rama do të përpiqet t’i justifikojë kompromiset  antikombëtare  me presidentin serb, por historia do ta shënojë si të vetmin kryeministër  anti-shqiptar, i cili t’i ketë shërbyer me zellin më të madh  Serbisë.  Edhe diktatori  Hoxha  e “shfajësoi” në një fare mënyre veten e tij, kur  u shkëput nga ndikimi i Titos. Ndërkohë opozita bjelloruse ka njohuri për sjelljen brutale të Edi Ramës ndaj opozitës në Shqipëri. Ajo nuk mund t’i besojë një drejtuesi të OSBE-së, si Edi Rama, i cili dhunon përditë të drejtat e njeriut dhe të drejtat kolektive të qytetarëve të vendit të vet. Po të lexojmë raportet ndërkombëtare, duhet të lemerisemi. Ndërsa Lukashenko me siguri se do të ndjehej i turpëruar  nga ndërmjetësimi i Ramës, sepse edhe pse arrogant dhe autoritar si Rama, ai duhet të jetë më dinjitoz si lidership e shtetar, më i suksesshëm për prosperitetin e vendit të tij. Rama është rrënues total i gjithçkaje që mund të sjellë përparim e progres në këtë vend.

Me iniciativën e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë janë organizuar deri tani 6 mbledhje të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Cili është produkti politik, kombëtar i këtyre mbledhjeve të përbashkëta?

– Në fillim kur u bë mbledhja e parë, e dytë, menduam se vërtet diçka do të dalë nga kjo formë e re e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Por u bënë 5, mbledhje para kësaj të së premtes së shkuar, u firmosën 70 marrëveshje, ku secila kishte 10-15 e më shumë pika të bashkëpiunimit,  pra kishte rreth 1000 çështje që duheshin adresuar sipas këtyre marrëveshjeve dhe sot shohim se asnjë prej tyre nuk është zbatuar. Përkundrazi, marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë përkeqësuar si në aspektin politik, edhe atë ekonomik, social e kulturor. Janë përkeqësuar marrëdhëniet politike, sepse për herë të parë pas konfliktit midis Enver Hoxhës e Fadil Hoxhës përjetuam fillimisht konfliktin Rama-Mustafa, pastaj luftën e hapur kundër të Ramës kundër Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit e mesa shoh, do të kemi edhe një lloj konflikti të heshtur midis kryeministrit Rama dhe kryeministrit Hoti. Rama ka një kusht të vetëm për bashkëpunimin me Kosovën: Çdo politikan i Kosovës që bashkëpunon dhe pranon vartësinë e tij prej Beogradit bëhet automatikisht mik i Edi Ramës. Ndryshe je armik i tij. Ky është modeli i marrëdhënieve politike të Ramës me Kosovën.  Ky do të jetë produkti i mbledhjes së fundit të përbashkët të të dy qeverive. Nëse Hoti do pranojë pa kushte Minishengenin, ai do të jetë mik i kryeministrit shqiptar.  Nëse vendos ushtin e trajtimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe i barabartë me Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, ai do të shndërrohet  Brenda  sekondave në një armik të Edi Ramës! Do të shohim dhe do ta provojmë këtë arsyetim. Në ekonomi kemi përkeqësim të marrëdhënieve,  për shkak se zoti Rama nuk pranon të njëjtësojë tarifat, tatimet dhe taksat me Kosovën. Nëse i njëjtëson, atëherë detyrohet t’i ulë taksat në Shqipëri. Por politika e tij është të taksojë  të varfërit dhe shtresën e mesme dhe të lehtësojë të pasurit, oligarkët. Pra nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në këtë drejtim. Dhe nuk ka si të ketë bashkëpunim midis Kosovës, e cila injekton për biznesin në kushtet e Pandemisë,  15 përqind të buxhetit të saj, ndërkohë që Shqipëria ka rrit borxhin publik  në 115 përqind të GDP së saj. Kurse në kulturë,  Rama ia fali Serbisë  Eposin e Kreshnikëve, edhe pse ai epos, sipas antropologut serb të shekullit XVIII, Vuk Karaxhixh, është pjesë e kulturës së Shqipërisë së Veriut, ku përfshihet folklori i Kosovës. Arsimi, shkenca dhe shëndetësia nuk janë objekt bashkëpunimi, sa kohë që shkëmbimi i profesorëve nuk ka arritur  as nivelin e shkëmbimeve të viteve 1970. Shkurt, produkti do të jetë vendnumro ose bën indietro! Por asnjë hap përpara. Kush beson se me Edi Ramën mund të bëhet diçka pozitive në marrëdhëniet me Kosovën, ai duhet të jetë një iluzionist i pandreqshëm!

– Ju si i vlerēsoni kritikat  e djeshme në konferencën e shtypit me kolegun kosovar të  kryeministrit Rama ndaj ish-kryeministrit Kurti dhe, pak më herët edhe padinë penale që Rama(asokohe) i bëri kryeministrit në detyrë Haradinaj? 

– Ashtu si në mbledhjet e shkuara, përjashtuar mbledhjen e parë, edhe në këtë mbëdhje kryeministri i Shqipërisë, në mungesë të bilanceve pozitive, zgjodhi retorikën e përçarjes së faktorit politik shqiptar në Kosovë. Nëse ndonjëherë dikush do t’i studiojë marrëdhëniet e Ramës me dy homologët e tij në Kosovë, Haradinajn dhe Kurtin, do të japë një version unik të modelit se si një politikan vegjeton përmes përçarjes së faktorëve kombëtarë!  Përçarja është sëmundje, mjet dhe model për të arritur qëllimin e tij në ushtrimin e pushtetit. Përveç pushtetit ai nuk njeh asnjë qëllim tjetër. Në mungesë të produktit të qeverisjes për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, në mungesë të dëshirës për të realizuar interesat kombëtare, për shkak të egos për dukje, për të hyrë në histori e të tjera brroçkulla si këto, Edi Rama ka vetëm një mënyrë mbijetese: Bullizmin në marrëdhëniet me opozitën dhe faktorët e aktorët e tjerë panshqiptarë, fyerjet, akuzat, shpifjet, mashtrimet, trillimet dhe përçarjen. Nëse nuk janë të mjaftueshme këto shtatë vite të qeverisjes së tij dhe këto gjashtë mbledhje të përbashkëta të dy qeverive për ta kuptuar këtë të vërtetë, atëherë duhet të ngremë lart idiotizmin dhe të varrosim dijen e bashkë me të edhe drejtësinë.

– Në konferencën e Shtypit me kolegun kosovar, kryeministri Rama adresoi kritika të ashpra ndaj BE-së  për politikën që ndjek ndaj Kosovës, ndërkohë vetë Kryeministri Hoti ishte më i matur, më i moderuar në vlerësimin e tij ndaj BE-së. Sipas jush, vallë Rama kritikat ndaj BE-së  për Kosovën i adresoi nga adrenalina që ka për Çështjen Kombëtare?

– Rama me deklaratën e tij kundër Europës, duke manipuluar me një të vërtetë të hidhur për Kosovën, mosliberalizimin e vizave, kishte disa piketa e pikësynime:  Së pari, të justifikojë dështimin e tij në integrimin europian.  Së dyti, të sigurojë mbështetjen amerikane duke shfrytëzuar konfliktin midis Uashingtonit dhe Europës,  Së treti, të hiqej se ai është shumë i shqetësuar për fatin e shqiptarëve të Kosovës, të hiqej si patriot i madh. Por nëse e analizojmë këtë synimin e fundmë, atëherë duhet thënë se pozimi i zotit Rama si patriot,  lidhur me “turpin” europian ndaj Kosovës,  bëhet për të mbuluar veprimtarinë e tij të ethshme anti-Kosovë, deri te ajo përpjekja dhe angazhimi i tij skrupuloz  për ndarjen e saj. Një kryeministër shqiptar që përdori  Amerikën, së paku John Boltonin, për ndarjen e Kosovës në dobi të Serbisë, kurrë, por ama kurrë!  nuk do të shndërrohet në “patriot”! Ai është tashmë patriot i madh i Serbisë dhe si i tillë, kurrë nuk do të mundë të jetë edhe “patriot” i shqiptarëve!  E ka humbur këtë shans përgjithmonë! Kryeministri Hoti ishte i matur, u shfaq si një kryeministër  normal edhe në këtë çeshtje në raport me Edi Ramën. Ai bëri thirrje për maturi në diskursin anti-europian të Ramës. Dhe është interesant se si Rama edhe Thaçi prej kohësh, që kur u zhduk nga skena Frederica Mogherini dhe Merkel ndali projektin serb të shkëmbimit të territoreve ,  janë bërë shumë të egër me Bashkimin Europian, në thelb me Berlinin dhe Bundestagun gjerman.

– Prof. Bytyçi, qeverisja e kryeministrit Rama në 7 vjet ka sjellë rritje të frikshme të borxhit publik, mbi 80 % nga 63% në 2013, për shkak të dhënies me PPP  e tendera, ndërkohë që kryeministri  Rama ka projekte të tjera miliarda euro për PPP. Nëse fiton sërish Rama në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, a mendoni se borxhi marramendës i Shqipërisë do të jetë i manaxhueshëm?

– Borxhi real i Shqipërisë është në shifrat e 115 përqind të GDP-së së vendit. Gati është dyfishuar në krahasim me vitin 2013, ndonëse Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin për ta ulur dyfish këtë borxh. Këtë situatë nuk mund ta menaxhojë aq lehtë asnjë lloj qeverie që do të vijë pas 25 prillit 2021,  jo më qeveria Rama, e cila është shkaktare e kësaj situate kaotike. Ulja e treguesve ekonomikë  këtë vit do të jetë deri në 14 për qind,  krahasuar me vitin e kaluar. Një situatë kjo e ngjashme me atë të vitit 1997. Varfëria ka kapur  shifra alarmante, ndërkohë që PPP-të e zotit Rama,  pasurojnë oligarkinë politike e financiare të Shqipërisë. Vendi është në kolaps total. Por njerëzit po presin me durim  25 prillin e vitit të ardhshëm, ndaj nuk ndjehen aq sa duhet. Kanë shpresë se projekti ekonomik i opozitës do t’i japë frymë biznesit dhe ekonomisë familjare. Dhe duhet të kenë shpresë. Mesa kuptoj unë, opozita e di se po nuk mbajti premtimet do të krijojë një zhgënjim rrënues në vendin tonë. Megjithatë ajo votohet  bazuar në projektin dhe programin që u jep qytetarëve.  Kjo do të thotë se shqiptarët më  25 prill,  nuk do ta pranojnë zgjedhën e regjimit satrap të Edi Ramës!

– Faleminderit!

Në vitin 2018, pas zgjedhjeve të manipuluara të 2017-ës, Rama cënoi interesat europiane dhe gjermane me pazaret e tij me Serbinë dhe Rusinë në kurriz të Kosovës dhe stabilitetit rajonal